Bedri Pejani, një jetë për Kosovën

0
1122

Çelo Hoxha

 

Në 13 shtator 1922, parlamenti shqiptar thirri në interpelancë kryeministrin Xhafer Ypi, për të dhënë shpjegimet e qeverisë “mbi ndodhitë e kohëve të fundit, veprimet e saj dhe gjendja politike e brendshme dhe e jashtme”, siç u shpreh në fjalën e hapjes të interpelancës që zgjati dy ditë, kryetari i parlamentit. Diskutimet ishin të gjata dhe të ashpra, por gjithmonë me elegancë. Nga ata që diskutuan, deputeti Bedri Pejani bën pjesë në ata që folën më shkurt, por fjala e tij, mund të thuhet pa frikë, duhej të ishte lexuar mirë e të mbahej mend më gjatë.

Një nga çështjet e interpelancës ishte vendosja e rendit në Shqipëri. Fjalimi i Bedri Pejanit ishte një gërshetim i gjendjes në terren, ligjeve dhe karakterit të shqiptarit.

Thelbi i fjalës së tij ishte që qeveria duhej të ishte e ashpër me kriminelët dhe qeveria shqiptare duhej të hartonte ligje që i përshtateshin karakterit të shqiptarit dhe jo huazime nga vendet e tjera. Ai i kujtoi Luigj Gurakuqit, duke iu kundërvënë qëndrimit të tij kritik ndaj ligjit të fisit, se qeveria e Vlorës ia kishte dalë të vendoste rregull, në atë periudhë kaosi që ajo krijua, duke shpallur se kush vriste do të vritej dhe e kishte vërtetuar këtë kur u vra, si ndëshkim, një oficer që kishte vrarë një polic. Sipas Pejanit, qeveria e Lushnjës arriti të vendoste, deri-diku, qetësinë në Shqipëri, duke u bazuar në ligjet e fisit. Luigj Gurakuqi harron, kujtoi në fjalën e tij Pejani, që populli shqiptar nuk përbëhet prej fellahësh që mund të urdhërohen prej dy xhandarëve. Dhe pastaj dy fjali që s’duhet të ishin fshirë nga kujtesa e shqiptarëve për asnjë çast: “Në Shqipëri jeton një popull mbretësh e çdo shqiptar është mbret më vedi, e si është ky popull, ashtu duhet të jenë dhe ligjet që e qeverisin. Duhet të kemi një ligj që mund t’i përshtatet popullit shqiptar”.

Bedri Pejani nuk ishte i vetmi firmëtar i pavarësisë së Shqipërisë në atë sallë, por, dhe kjo mund të thuhet me siguri, ishte i vetmi që mishëronte të kulluar idealin e saj: krijimin e një shteti për shqiptarët. Kanë kaluar 80 vjet qysh nga ajo seancë parlamentare dhe Shqipëria ende nuk është rehatuar, pikërisht se ligjet që i janë ofruar gjithmonë kanë qenë të huaja; një periudhë të gjatë u importuan nga Moska, ndërsa dy dekadat e fundit nga Brukseli. Zërat shqiptarë si i Bedri Pejanit, për Shqipëri me identitet shqiptar dhe jo huazime, janë, nëse nuk janë shuar, në margjinat e kuvendit publik të shqiptarëve.

Bedri Pejani lindi në Pejë, në 1885. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes, shkollën e mesme dhe universitetin, dega histori, në Stamboll. Pas studimeve u emërua sekretar i mytesarifit të Pejës. Për veprimtari patriotike, ai u syrgjynos nga Porta e Lartë në Kosta Murin. Krahasuar me ç’pasoi, ky ishte një dënim shumë i butë. Më vonë u dënua tre herë me vdekje.

Në Stamboll, Bedri Pejani u përfshi në lëvizjen e përmbysjes së otomanizmit, ai mori pjesë në lëvizjen e Turqve të Rinj, ndërsa në 1907 mori pjesë në një mbledhje ku u diskutua çështja e krijimit të një shteti shqiptaro-maqedon. Kjo ishte një nismë që nuk mund të jepte, siç nuk dha fryte, sepse shqiptarët kërkonin që kryeqyteti i Shqipërisë të ishte Shkupi dhe i Maqedonisë të ishte Selaniku, kurse maqedonasit nuk ranë dakord. Ajo ç’ka mbetur nga kjo përpjekje janë këto pakë radhë, për këtë incident, në jetëshkrimin e Bedri Pejanit.

Me arsimin, falë dhe formimit të tij profesional, Bedri Pejani ka pasur një marrëdhënie të ngushtë. Me përpjekjet e tij, Hasan Prishtinës dhe Sali Gjukës, një tjetër firmëtar i pavarësisë, në vitin 1909 gjuha shqipe u fut në gjimnazin e Shkupit. Po atë vit në këtë gjimnaz u shkolluan dhjetë mësues për nevojat e Kosovës.

Në 1909, Bedri Pejani mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, që ishte i preokupuar me çështjet arsimore dhe rezultoi në hapjen shkollës së mirënjohur si Normalja e Elbasanit. Po këtë vit ai mori pjesë në hapjen e Klubit Shqiptar të Kumanovës, për të cilin shkroi në gazetën Liria të Selanikut.[1] Kongresi II i Manastirit, 2-3 prill 1910, i cili, sipas historianit Tahir Abdyli dhe M. Pirraku përcaktoi përfundimisht fatin e alfabetit të sotëm të gjuhës shqipe, i zhvilloi punimet nën drejtimin e Bedri Pejanit. Qëllimi i këtij kongresi ishte, sipas fjalëve të Bedri Pejanit, diskutimi “përmi nevojat t’ona kombëtare, përmi diturinë, përmi lulëzimin dhe përparimin e gjuhës s’onë dhe përmi mbrothësinë të kombit shqiptar”.

Bedri Pejani ishte një nga organizatorët e Konferencës së Shkupit, 14 tetor 1912, e cila u zhvillua në shtëpinë e Sali Gjukës. Nga kjo mbledhje doli një komunikatë për të informuar fuqitë e mëdha se populli shqiptar po rrëmben armët jo për të mbrojtur ekzistencën e perandorisë osmane në Ballkan, por për të mbrojtur trojet e veta.[2] Për shkak të veprimtarisë së tij politike dhe publicistike në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, gjë që binte ndesh me interesat e Stambollit, në shtator 1910 Bedri Pejani u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak i Prizrenit, një vendim që nuk u zbatua kurrë për shkak të presionit të brendshëm dhe të jashtëm. Në 28 nëntor 1912, Bedri Pejani ishte në Vlorë, duke u bërë kështu njëri nga firmëtarët e deklaratës së pavarësisë dhe, si shumë të tjerë, hyri përjetësisht në historinë e Shqipërisë. Pikërisht për këtë veprimtari, që perandoria e konsideroi “subversive”, Bedri Pejani u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak i Janinës. Edhe ky vendim nuk u zbatua kurrë.

Me krijimin e shtetit shqiptar, Bedri Pejani iu kthye profesionit të tij fillestar: mësimdhënies. Studimet e tij në histori nuk mund të gjenin shumë terren në Shqipërinë e kësaj periudhe që i kishte të pakta dhe shkollat fillore, ndërsa nivelet më të larta i kishte minimale. Për detyrën e tij në Durrës pas pavarësisë, gjatë vitit 1913, ka dy burime. Historiani Abdullah Vokrri thotë që Bedri Pejani punoi si drejtor i shkollës fillore të Durrësit,[3] ndërsa ish-inspektori i policisë së Manastirit, Teofik Rugo, i cili ishte dërguar në Durrës prej dy muajsh, në një letër për Ismail Beun, kryetarin e qeverisë, 12 shtator 1913, i referohet Bedri Bej Pejanit si “drejtor i arësimit të Durrësit”.

Veprimtaria e Bedri Pejanit vazhdoi në shërbim të çështjes shqiptare. Ai ka kontribut në Shqipëri dhe Kosovë, duke punuar njëkohësisht për të dyja çështjet, sipas kushteve. Në fund të Luftës së Parë Botërore punoi për zgjidhjen me sukses të çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit, pati kontribut në organizimin e Kongresit të Lushnjës, 1920, e më pas u zgjodh deputet në parlamentin shqiptar. Veprimtaria e tij pas kësaj periudhe u zhvillua ose në Shqipëri, ose jashtë saj, por gjithmonë larg Kosovës së tij të dashur.

Duke parë gjithë veprimtarinë politike të tij, fillimisht me turqit e rinj, pastaj me bullgarët e maqedonët, më vonë e komunistët e politikanë të rrymave të ndryshme, mund të thuhet se e vetmja bindje politike e tij ishte çështja e shtetit shqiptar, në fillim, e më vonë çështja e Kosovës. Aq me përkushtim punonte për Kosovën Bedri Pejani, sa që një herë guxoi të vinte në dyshim seriozitetin e Mid’hat Frashërit në këtë çështje, njeriut që më së shumti identifikohet me Shqipërinë Etnike. I lënduar, Mid’hat Frashëri e shndërroi përgjigjen e letrës për mikun e tij në një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, me shtatë pika. “1) Kosova është tokë ashqiptare, 2) Kosova nuk e shpëton Shqipërinë, Shqipëria e shpëton Kosovën, 3) ne dimë me shpëtue Kosovën, por duhet më parë me forcue Shqipninë, 4) për me focue Shqipninë, duhet që të ketë paq, 5) për me pas paqe, duhet me jetue mirë me fqinjët, 6) e shoh nji punë kriminale me u dhanë ksovarvet shpresë të kotë e me i marr në qafë, 7) duhet me i bindë kosovarët si me jetue urtë e me ruejtë interesat e tyne në rrugë të nomit,” iu përgjigj Mid’hat Frashëri, pak a shumë në fyrmën rugoviane që 77 vjet më vonë nga kjo letër Mid’hat Frashërit çoi në pavarësinë e Kosovës.

S’ka asnjë dyshim, po të kemi parasysh dhe fjalën e tij në parlament në 14 shtator 1922, që Bedri Pejani punonte, siç sintetizojnë historianët, për një arsim kombëtar, i bazuar në doket, zakonet, traditën dhe psikologjinë e kombit shqiptar. Ai e donte mishërimin e karakterit shqiptar në çdo punë që bëhej.

Kur Shqipëria u pushtua nga Italia në 7 prill 1939, Bedri Pejani ndodhej në Francë dhe e shprehu prej andej mosaprovimin për pushtimin. Në një miting proteste në Paris, ai ishte midis personaliteteve që mbajtën fjalime, një fakt ky që vlen të përmendet, ngaqë në 1945, në Gjyqin Special që u zhvillua në Tiranë, dikush hiqej patriot duke pretenduar se kishte qenë në atë tribunë, e dikush quhej bashkëpunëtor i pushtuesit, sepse, mes të tjerash, kishte qenë në atë takim, por jo në tribunë. Vetëm fakti që Bedri Pejani kishte folur nuk u vendos asnjëherë në dyshim.*

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Bedri Pejani u gjend, fatkeqësisht, në Shkodër. Aty u takua me shkrimtarin e njohur komunist Petro Marko dhe së bashku u nisën për Tiranë, një udhëtim me fund tragjik për firmëtarin e pavarësisë. Takimi i tyre në Shkodër u bë në shtëpinë e një dentisti kosovar, ku Petro Marko shkoi me lejen e Sigurimit.

Babushi, siç e thërret Petro Marko në kujtimet e tij, i tregoi gjithë natën për masakrat e serbëve në Kosovë. Ai tregoi që PKSH, shkruan Petro Marko, që PKSH ishte krijuar nga agjentët e Titos, dhe po të njëjtën gjë bëri dhe gjatë udhëtimit për në Tiranë, veç rrëfeu krimet e jugosllavëve në Kosovën e tij të dashur. Për në Tiranë udhëtoi me ta dhe Hysni Kapo, një nga zyrtarët e lartë komunistë, mik i Petro Markos, i cili, kur zbritën në kryeqytet, e këshilloi Babushin t’i shkruante ato që u rrëfeu gjatë rrugës dhe t’ia jepte Petros.

Babushi e mbajti fjalën. Pas një jave vajza e tij i çoi Petro Markos një Promemorie ku kishte përmbledhur gjithë ato që u kishte rrëfyer gjatë udhëtimit. Në arkivat shqiptare që unë kam parë s’kam gjetur gjurmë të kësaj promemorie, që, sipas Petro Markos, një kopje e mbajti ai dhe origjinalin ia dërgoi Hysni Kapos. Në fondin personal të Bedri Pejanit në Arkivën Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet vetëm një biografi e shkurtër e tij, e shkruar në vetë të parë, për veprimtarinë e Pejanit gjatë luftës, por nuk duket se është e shkruar prej tij, por një njeri që s’kishte patur kurrë ndonjë pakënaqësi nga komunistët serbë dhe malazezë. Ka shumë mundësi të jetë shkruar në kushte presioni, nëse është diktuar prej sij, sepse shtypshkrimi duket qartazi që është bërë nga dikush tjetër.

Përmbajtja e Prormemories që jep Petro Marko në kujtimet e tij, duke iu referuar asaj çfarë mban mend, i shkon më për shtat figurës së Bedri Pejanit. Aty e konsideron krim fatal të komunistëve shqiptarë bashkëpunimin me jugosllavët. Ai e quante të marrë fund pavarësinë e Shqipërisë dhe se Shqipëria tashmë drejtohej nga serbët. Sipas tij, “ishte më se e sigurt se Shqipëria tashmë ishte e Titos”. Gjykimi i tij ishte i saktë, por dhe një provë më shumë për t’i shpejtuar vdekjen vetes. Komunistët e Tiranës ua dorëzuan Bedri Pejanin autoriteve jugosllave, së bashku me disa figura të tjera të shquara si Fuat Dibra, Qazim Komani e të tjerë, të cilët e dënuan me vdekje. Edhe kësaj radhe, e treta herë, Bedri Pejani i shpëtoi ekzekutimit të vendimit, por jo vdekjes. Vdiq në qeli, i helmuar.

 

 

 

 

*Arkiva e Ministrisë së Brendshme, Dosja e Gjyqit Special. I ashtuquajturi Gjyq Special u organizua në Tiranë nga komunistët e sapoardhur në pushtet për të dënuar gjoja kriminelët e luftës. Gjyqi rezultoi në një vepër propagandistike vulgare, në fund të së cilës u ekzekutuan 17 vetë të pafajshëm, mes të cilëve dhe Kol Tromara, ish-kryetari i federatës Vatra, në ShBA. Në seancën e tij në gjyq u hap çështja e folësve në mitingun e Parisit, sepse Ymer Dishnica pretendonte që ai vetë kishte qenë tribunë, ndërsa Kol Tromara kishte qenë aty, sipas Dishnicës, por nuk kishte folë. Për këtë u pyet dhe Beqir Valteri, një tjetër person që u pushkatua në atë gjyq, i cili kishte qenë pjesëmarrës në atë miting. Dhe aty përmendet, nga Tromara dhe Valteri, fakti që Bedri Pejani kishte mbajtur fjalim. Ymer Dishnica, që kërkonte grada patriotizmi, u ndëshkua më vonë nga partia e tij, PKSH.

 

Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa libra. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Për natyrën eseistike të Shenjës, nuk janë përfshirë në këtë botim. Librat e konsultuar janë: Opozita dhe mbreti i ardhshëm i Shqipërisë, Horizont, Tiranë 2008; Abdullah Vokrri, Mësues në Shqipëri e në Kosovë, Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2008; Tahir Abdyli, Hasan Prishtina, GME, Prishtinë, 2003; Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë, 1963; Uran Butka, Mid’hat Frashëri, elita shqiptare, Plejad, Tiranë, 2008; Arkiva e Ministrisë së Brendshme, Dosja e Gjyqit Special; Arkiva Qendrore e Shtetit, fondi personal i Bedri Pejanit.



[1] Po aty.

[2] Abdullah Vokrri, Mësues në Shqipëri e në Kosovë, Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë, 2008, faqe 57.

[3] Po aty.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency