BE, dokumenti konfidencial: Pasiguria për zgjedhjet dëmtoi ekonominë shqiptare

0
140

Ervin Kaduku

 – Faktorët negativë lidhen me pasiguritë e zgjedhjeve 2013, remitancat e ulëta, nivelin e lartë të borxheve të papaguara dhe kreditë problematike, si dhe me ngadalësimin e rritjes së kredisë

ekonomi Në një dokument të përbashkët të 27 vendeve të BE-së, i cili i parapriu takimit të gjashtë mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, merret në analizë gjerësisht ekonomia shqiptare. Delegacionit shqiptar iu përcollën shqetësimet e vendeve anëtare gjatë takimit vjetor që mbahet me dyer të mbyllura në selinë e Këshillit dhe vetëm një pjesë e tyre u bënë publike në deklaratën e përbashkët në përfundim të sesionit me përfaqësim të kufizuar mes dy palëve.

Dokumenti vëren se kriza globale, rënia e remitancave dhe borxhet ndikuan në rënien e fortë të ekonomisë shqiptare. Por, ndryshe nga qeveria “Rama”, që e vlerëson rritjen e ekonomisë së vendit vetëm në masën 0.44 për qind gjatë vitit të kaluar, sipas BE rritja ka qenë pak më e lartë. Ekonomia shqiptare vazhdon të ketë një rritje prej 0.7% në fund të 2013, sipas Brukselit.

Në dokument theksohet rritja e borxhit publik dhe thellimi i deficitit buxhetor. Por, theksi vihet në faktin e paqartësisë që krijoi në ekonomi edhe ndryshimi i qeverisjes së vendit.
“Pasiguritë lidhur me zgjedhjet e 2013, remitancat e ulëta, niveli i lartë i borxheve të papaguara dhe kredive problematike dhe ngadalësimi i rritjes së kredisë ndikuan më shumë negativisht rritjen ekonomike”, – thotë dokumenti. BE vëren se mbetet i papërshtatshëm investimi në kapitalin njerëzor dhe në infrastrukturë. Përpara qëndrojnë sfidat për shtrirjen e gjerë të sektorit informal me tatim të paqartë dhe për mbledhjen e ulët të taksave.
“BE vëren deficit buxhetor në rritje dhe një shtim të mëtejshëm të borxhit publik relativisht të lartë që vijon të tregojë anësim afatshkurtër. BE nënvizon se vazhdimësia e deficitit të lartë të llogarisë korente mbetet një burim dobësie dhe se me gjithë përmirësimin e lehtë të tregut të punës, papunësia vazhdon të jetë e lartë”, – vijon dokumenti.
“BE vëren se në disa raste ka pasur mungesë progresi për të zgjidhur problemet themelore sistematike që dëmtojnë efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e asistencës së BE-së. Këto probleme përfshijnë burime njerëzore të pamjaftueshme për të menaxhuar aktivitetet, mungesë koordinimi mes palëve të ndryshme, në veçanti mes nivelit shtetëror dhe qeverisë lokale, parregullsitë për sa i takon planifikimit dhe angazhimit të një vendi, si për shpenzimet operacionale dhe të mirëmbajtjes, si dhe paqartësia mbi të drejtën e pronës. BE thekson se këto probleme janë përcaktuar qartë dhe janë diskutuar, ndaj i bën thirrje Shqipërisë të veprojë urgjentisht për trajtimin e tyre”, – thotë dokumenti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency