Basha, Mogherinit: Dyshja Rama-Meta, rrezik për stabilitetin politik e shoqëror

0
165

Gëzim Saliu

“Situata kritike kërkon vëzhgim dhe analizë të thellë nga ana e BE-së, vlerësimet e përcipta nuk i shërbejnë objektivit të integrimit”

 

MOGERINI-BASHAKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua dje me ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, në kuadër të një turi vizitash që kryediplomatja e vendit fqinj po zhvillon në rajon, nisur nga marrja e Presidencës së Bashkimit Evropian nga Italia. Në këtë takim, kreu i opozitës shqiptare deklaroi se mazhoranca qeverisëse jo vetëm që nuk ka treguar dëshirë për konstruktivitet dhe dialog, por ka eliminuar çdo hapësirë ligjore për opozitën, duke dhunuar fizikisht anëtarët e saj. “Pjesë e këtij realiteti është edhe refuzimi i përsëritur i mazhorancës për ngritjen e komisioneve parlamentare hetimore, një e drejtë kushtetuese e opozitës e konfirmuar edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dyshja Rama-Meta jo vetëm nuk ka ndërmarrë asnjë reformë, por po thellon konfliktin politik në vend, duke rrezikuar stabilitetin politik dhe shoqëror dhe duke minuar ecjen e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, – deklaroi Basha, duke theksuar se kjo situatë kërkon vëzhgim të kujdesshëm dhe analizë të thellë nga ana e Bashkimit Evropian, pasi vlerësimet e përcipta të kësaj situate të mbarsur me rreziqe për stabilitetin, nuk i shërbejnë sipas kryedemokratit, objektivave të përbashkëta të integrimit evropian të Shqipërisë.

 

Takimi

Në nisje të takimit me Mogherinin, kreu i PD-së shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që ka treguar Italia mike në këto 23 vite për Shqipërinë në çdo fushë e në çdo drejtim. “Partia Demokratike e konsideron marrjen e statusit si një mundësi të madhe për Shqipërinë dhe është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë drejtim. Por situata politike në vend ka degjeneruar në parametrat e një krize të gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta të standardeve demokratike dhe sundimit të ligjit”, – theksoi ai. Në këtë kuadër, Basha u ndal në ato që i cilësoi si raste konkrete të kapjes së institucioneve dhe ndërprerjes së paligjshme të mandateve ligjore e kushtetuese si për kreun e ILDKP-së, AMA-s, INSTAT-it dhe së fundmi dhe Shkollën e Magjistraturës. “Duke injoruar mesazhin e qartë dhe apelin e Bashkimit Evropian se për reformën në drejtësi duhet gjithëpërfshirje, konsultim dhe transparencë, qeveria tentoi të kalonte në parlament ligjet që kanë për qëllim kapjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe sistemit gjyqësor në tërësi, dhe votoi ligjin me të cilin pezullon për një vit dhe kap Shkollën e Magjistraturës”, – tha lideri i opozitës. Në këtë kontekst, Basha theksoi se sfiduesja më e madhe e ligjit në vend është vetë qeveria e cila nuk respekton dhe nuk zbaton sipas tij vendimin e gjykatave, “duke nisur nga ato të Gjykatës Kushtetuese, si në rastin e Ligjit për Nëpunësin Civil, për kompetencat e INUK për komisionet hetimore parlamentare, dhe qindra vendime të tjera të gjykatave të vendit”. Ndërkaq pasi e informoi kryediplomaten italiane për shkarkimin nga puna dhe vendimet e gjykatave të mbi 8 mijë nëpunësve, kreu i PD-së tha se administrata është inkriminuar dhe në parlament janë futur persona të dënuar për vepra të rënda penale. Basha u ndal në veçanti tek rasti i kreut të Këshillit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj, i arrestuar në Itali dhe i raportuar nga gazetat më të mëdha atje si i përfshirë në rrëmbimin e një fëmije për gjobëvënie, si dhe tek rasti i deputetit Ndoka, për të cilin PD pohon se ka prova për përfshirjen e tij në rrëmbim personi dhe shfrytëzim prostitucioni. “Instalimi prej Kryeministrit në Parlament i instrumentit të dhunës përmes përdorimit të këtyre personave për të kërcënuar dhe goditur opozitën, ka krijuar një situatë tensioni politik dhe kjo e ka detyruar Partinë Demokratike të ndërpresë marrëdhëniet me Kuvendin, për të shmangur skenarët e gjakderdhjes”, – nënvizoi kreu i demokratëve Lulzim Basha.

 

 

Inteligjenca amerikane

NSA ka përgjuar Berishën dhe liderët e Ballkanit në 2009-ën

Agjencia e Sigurisë Kombëtare amerikane (NSA) ka përgjuar ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Biblioteka dixhitale “Kriptom”, e cila merret me zbulimin e dokumenteve konfidenciale, bën të ditur se NSA në vitin 2009 kishte përgjuar edhe liderët shtetërorë të Ballkanit, duke përfshirë këtu Kryeministrin shqiptar, asokohe Sali Berisha, Kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-presidentin serb Boris Tadiç, Kryeministrin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës Nexhat Brankoviç dhe Presidentin e atëhershëm kroat Stipe Mesiç. Sipas revistës gjermane “Der Spiegel”, NSA kishte zhvilluar një sistem kompjuterik për përpunimin e sinjaleve të inteligjencës koduar me aftësinë për të procesuar miliona raporte dhe duke i zgjedhur informacionet në lidhje me individët e synuar nga të dhënat telefonike, faksi dhe të dhënat në kompjuterë. Rreth një vit më parë, ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare amerikane, Edward Snoëden, publikoi mijëra dokumente sekrete, sipas të cilave SHBA ka kryer ndër vite përgjime, mes të cilave edhe të qeveritarëve e liderëve botërorë, institucioneve më të larta politike e financiare duke shkaktuar një ftohje mes Amerikës dhe vendeve të tjera. Pjesë e përgjimit ishin 122 udhëheqës të botës, mes të cilëve Kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidentin sirian Bashar al-Assad dhe ish-kryeministren ukrainase Julia Timoshenko.

 

 

16 ditë heshtje

PD, Papa: Rama, 16 herë fajtor për inkriminimin e Parlamentit

Partia Demokratike e cilëson të papranueshme heshtjen e Kryeministrit Rama lidhur me dhunën e ushtruar ndaj deputetit Strazimiri në Parlament dhe dosjen e deputetit Arben Ndoka. Deputeti Gjergji Papa tha dje nga selia blu se “kjo heshtje 16-ditore e bën Edi Ramën 16 herë më shumë përgjegjës dhe fajtor në sytë e shqiptarëve, për inkriminimin e parlamentit dhe përpjekjen për ti mbyllur gojën opozitës”. “Prej 16 ditësh, Edi Rama i fshihet përgjegjësisë që duhet të mbajë për organizimin dhe porositjen e dhunës në Parlament ndaj përfaqësuesve të opozitës. Heshtja e Ramës edhe pas publikimit të dosjes së plotë me prova të pakontestueshme të inkriminimit që ai i ka bërë Parlamentit, e bën atë edhe më përgjegjës në sytë e mbarë opinionit publik. Edi Rama kërkoi një emër dhe fakte. Tani të gjithë qytetarët e vendit u njohën me emrin dhe me faktet dhe mbarë opinioni publik flet për këtë rast. Vetëm Edi Rama, ai që kërkoi emrin dhe faktet, hesht për deputetin Arben Ndoka dhe dënimin e tij në Itali me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese dhe heqje të lirisë së tjetrit”, – deklaroi Papa. Më tej, ai shtoi se heshtja e Kryeministrit është e kuptueshme kur, sipas tij, me dashje të plotë, dëboi nga lista dy kandidate gra për t’i hapur rrugën futjes në Parlament të Ndokës. “Por kjo heshtje 16-ditore e bën Edi Ramën 16 herë më shumë përgjegjës dhe fajtor në sytë e shqiptarëve, për inkriminimin e Parlamentit dhe përpjekjen për t’i mbyllur gojën opozitës”, – deklaroi deputeti demokrat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency