Barra e taksave dhe reformat antisociale larguan shqiptarët

0
137

Ervin Kaduku

largohen shqiptarët  nga taksat eksodiRikthimi fuqishëm i fenomenit të harruar masiv të eksodit përtej kufijve, madje pikërisht kur vendet pritëse po përjetojnë për vete krizë, nuk mund të mos ngrejë problemin e përgjegjësive për një situatë të tillë.

Vështirë se qeveria “Rama”, me programin e saj të reformave antisociale, të përjashtohet nga “podiumi” i fajtorit kryesor.

 

Ngarkesa fiskale

Në dy vitet e fundit barra e taksave mbi shqiptarët është rënduar me 400 milionë dollarë. Pjesa dërrmuese e saj ka ardhur si rritje e drejtpërdrejtë e taksave të konsumit. Përtej argumenteve politike, kjo është një politikë që qartazi ka goditur më fort shtresat më të varfra të popullsisë. Kjo për një arsye të thjeshtë. Të varfrit e shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave vetëm për nevojat e konsumit të përditshëm, ndryshe nga të pasurit. Tek familjet me të ardhura të larta, pjesa dërrmuese e buxhetit shkon si kursim apo investime, dy alternativa të cilat qeveria nuk i takson dot. Për këtë arsye konsolidimi i egër fiskal i qeverisë ka rënë mbi supet e më të dobëtëve.

Por taksat nuk janë politika e vetme shtrënguese që ka goditur buxhetet e pjesës më të madhe të familjeve. Heqja e bllokut të mbrojtur në tarifimin e energjisë elektrike dhe njehsimi i çmimit në 9.5 lekë, është një masë që ka prekur mbi 500 mijë familje, të cilat tani paguajnë më shumë për këtë shërbim.

Paralelisht tarifat për një sërë shërbimesh të tjera publike janë rritur fort, në rend dyshifror. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht të varfrit shkojnë katër herë më pak në universitet se sa të pasurit. Rritja abuzive e tarifave dhe politikat klienteliste, që favorizojnë klientët privatë, si ligji i ri i arsimit, do ta thellojnë edhe më tepër hendekun e pabarazisë në arsim sot, dhe atë të mundësive nesër.

E ndërthurur me rënien e të ardhurave dhe transfertave sociale të buxhetit, paketa konsoliduese e qeverisë është duke ekspozuar me mijëra familje përballë varfërisë ekstreme. Ky është një miks shkatërrues politikash, i cili ka krijuar shtratin dëshpërues për ikjen në masë të atyre, që në këtë vend nuk shohin më shpresë.

 

Statistikat në vite

Sipas Bankës Botërore, nga viti 2009 deri në 2012-ën, 40 për qind e familjeve shqiptare, ato më të ardhurat më të ulëta, kanë ulur konsumin mesatarisht me 1.2 për qind në vit. Këto janë familje që nuk kanë konsum luksi, por mbijetese, çka do të thotë se kanë shkurtuar edhe shpenzimet më jetike. Gjasat janë që ky trend të ketë vazhduar edhe pas 2012-ës. Jo vetëm nga ngadalësimi i mëtejshëm i rritjes ekonomike, por edhe nga politikat shtrënguese në të gjithë spektrin e ekonomisë.

Me mbi 65 për qind të popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, Shqipëria është vendi i dytë më i varfër në Evropë, pas Kosovës. Nivel kaq i ulët i të ardhurave i bën në masë familjet shqiptare tërësisht të pambrojtura edhe ndaj goditjeve më të vogla të ekonomisë. Në periudha të gjata depresioni ekonomik, si ky tani, pasojat mbi buxhetet familjare janë dramatike dhe kjo konfirmohet nga shifrat.

 

BB: Varfëria, rreziku kryesor

Në kulmin e krizës së emigrantëve afrikanë që i drejtohen Evropës nëpërmjet Mesdheut, Banka Botërore thekson se lufta ndaj varfërisë ekstreme duhet fituar brenda vitit 2030. Për të arritur këtë objektiv brenda 15 viteve të ardhshme, përbërësi thelbësor i suksesit, sipas Bankës Botërore, mbetet rritja ekonomike. Ky element ka qenë shkaktari kryesor i kolapsit për vendet në zhvillim, sidomos atyre afrikane. Rritja ekonomike në këto vende ka rënë nga një mesatare prej 6% një dekadë më parë, në 4.5% gjatë vitit të fundit. Ky është edhe vitit i katërt me radhë në rënie. Sipas parashikimit ekonomik global të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike e Afrikës Subsahariane do të zbresë në 4.5% gjatë vitit aktual, nga 5% që ishte një vit më parë. Gjithsesi, sipas Bankës Botërore gjatë dy dekadave të fundit janë bërë dukshëm progrese në luftën kundër varfërisë ekstreme, por edhe sukseset në këtë drejtim nuk mbeten homogjene, pasi një pjesë e madhe e vendeve të varfra kanë bërë prapa­kthehu. Lufta kundër varfërisë ekstreme do të fokusohet në tre drejtime: rritjen ekonomike, investimet drejt individëve, sidomos për shëndetësinë, si dhe mbrojtjen nga katastrofat natyrore dhe pandemitë. Për sa i përket kësaj të fundit, Banka Botërore, ka vënë deri më tani në dispozicion rreth 1.6 miliardë dollarë për vendet e goditura nga Ebola. Financimi i objektivit për të eliminuar përfundimisht varfërinë ekstreme nga faqja e tokës, mbetet një ndër temat më të diskutuara sot. Sipas disa përllogaritjeve, do të duheshin qindra trilionë dollarë për të fituar këtë betejë. Për të kryer një mision të tillë, nuk do të mjaftonte as dyfishimi i dimensioneve të Bankës Botërore.

 

Rritet çmimi i naftës në treg

Çmimi i naftës u rrit këtë fundjavë edhe me tre lekë për litër. Çmimi me pakicë e një litri naftë u shit dje me 177 lekë nga 174 lekë që ishte ditën e shtunë. Rritja në këto nivele këtë herë ngelet e pambështetur në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, pasi taksa e shtuar 10 lekë u reflektua më herët gjatë muajit shkurt, ndërkohë që çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare mbetet në nivelin e 63 dollarëve për fuçi.

Çmimi i naftës që nga muaji janar është rritur me 18 lekë për litër, ose 11.3 për qind.

Tani kur politika e dhe opinioni publik kanë spostuar vëmendjen tek dekriminalizimi dhe tek zgjedhjet lokale, tregu i karburanteve po aplikon strategjinë e rritjes së çmimeve edhe kur arsyet mungojnë. Pak kohë më parë, pas një hetimi të thelluar mbi tregun e karburanteve, Autoriteti i Konkurrencës doli me konkluzionin se tregu nuk operon në kushtet e monopolit.

Nga ana tjetër nevojat e tregut vendas po plotësohen në rreth 30 për qind me naftës vendase, që po përpunohet nga ARMO dhe importet e naftës kanë rënë më shumë se 20 për qind në dy muajt e parë.

 

Loja me taksat e Bankers-it

Kohët e fundit, kompania shtetërore e naftës Albpetrol ka ushtruar një kontroll të hollësishëm të shpenzimeve financiare të kryera nga kompania Bankers Petroleum gjatë vitit 2013. Shumë prej shpenzimeve të deklaruara nga kompania nuk justifikohen, apo me keq akoma, për një pjesë të konsiderueshme të këtyre shpenzimeve, Bankers Petroleum nuk ka pranuar të vërë dokumentet provuese në dispozicion grupit të auditit të Albpetrol. Albpetrol i ka dërguar pretendimet për mosnjohjen e shpenzimeve në fund të muajit dhjetor 2014. Ndërkohë Bankers Petroleum ka kërkuar 4 muaj kohë që të sjellë observacionet e veta. Deri më sot Bankers nuk ka dërguar ende shpjegimet e tij. Në fund të muajit Prill Albpetrol do të nisë raportin final. Por Albpetrol ka pohuar thashme se nga një kontroll i ushtruar nga Albpetrol sh.a në fund të vitit 2013 janë gjetur më shumë se 200 milionë dollarë shpenzime të panjohura.

Mosnjohja e shpenzimeve sjell automatikisht ri-llogaritjen e shpenzimeve dhe si pasojë, nëse raporti final i auditit nuk ndryshon nga raporti paraprak, shoqëria në fjalë do të rezultojë me fitim gjatë vitit 2014, pohojnë burimet e Albpetrol.

Por gjithsesi autoritetet shtetërore vijojnë të tolerojnë kompaninë kanadeze, që deklaron gjithnjë mbishpenzime, që të shpëtojë nga taksat.

Kjo ndikon direkt mbi çmimet e larta të karburanteve me pakicë në vend.

 

Carrefour goditet nga Përmbarimi, Balfin pretendon se e ka blerë

Asetet e kompanisë më të madhe të supermarketeve e hipermarketeve në vend CMB Albania-Carrefour janë vënë në sekuestro conservative në 17 prill nga Shoqëria Përmbarimore L.D.C për llogari të dy sipërmarrjeve të tjera, Euronuovo dhe Luku. Lëvizjet bëhen të ditura në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ndaj kompanisë Luku, Carrefour ka një detyrim prej rreth 5.5 milionë lekësh dhe ndaj Euronuovo 3.52 milionë lekë.

Aktivet e kompanisë do të qëndrojnë të sekuestruara deri në një urdhëresë të dytë nga ana e përmbaruesit. Kjo është hera e parë që aktivet e kompanisë vihen nën sekuestro konservative, që nga viti 2011, kur kompania është regjistruar në tregun shqiptar.

Në fakt, prej muajsh furnitorët e Carrefour ishin vënë në radhë për të mbledhur paratë e produkteve që kanë furnizuar, duke krijuar një zinxhir borxhesh dhe mungesë likuiditeti.

Sipas bilancit të rrjetit më të madh në vend për nga xhiroja, Carrefour (CBM Balkans) për vitin 2013 detyrimet afatshkurtra për vitin 2012 ishin mbi 867 milionë lekë për t’u rritur në vitin 2013 në 892 milionë lekë ose rreth 8 milionë dollarë. Madje detyrimet nga furnitorëve janë më të larta se gjithë detyrimet ndaj bankave për kreditë e mara afatshkurtra dhe afatgjata. Kështu detyrimet afatshkurtra si kredi të marra janë rreth 168 milionë lekë ndërkohë që kreditë afatgjata rreth 304 milionë lekë duke çuar në një total borxh ndaj bankave në rreth 472 milionë lekë. Ndërkohë vetëm detyrimet afatshkurtra (ndaj furnitorëve) për vitin 2013 janë raportuar 892 milionë pra rreth 2 herë më shumë se kredia. Kompania ka një kapital negativ për shkak të humbjeve të akumuluara në vite, ndërsa ka një raport të totalit të detyrimeve ndaj totalit të pasivit prej gati 120%, çka tregon se zinxhiri i supermarketeve është i zhytur në borxhe. Mjetet e veta të kompanisë (totali i aktiveve) janë më të ulëta se detyrimet ndaj furnitorëve, çka rrit probabilitetin e paaftësisë paguese të kompanisë.

Kompanitë e cigareve, produkteve të bulmetit, higjienës personale, ushqimeve etj., kanë akumuluar borxhe të pambledhura edhe gjatë vitit 2014, çka po i detyron ata t’u drejtohen përmbaruesve për të marrë paratë e tyre.

Burime nga furnitorët bëjnë të ditur se së fundmi, ata po telefonohen nga menaxherët e kompanisë Balfin (që dikur ka qenë pronare e Carrefour) dhe po u propozohet një marrëveshje, sipas të cilës do t’u kthehet 50% e detyrimit. Megjithatë Balfin ka shitur në janar 2015 edhe pjesën e mbetur prej 5% të aksioneve, duke bërë që aksionet e Carrefour të zotërohen 100% nga CM Balkans BV. Kjo e fundit në fillim të 2014 kishte blerë dhe aksionet e rrjetit tjetër të supermarketeve, Euromax.

Burime nga Balfin konfirmuan ndërkohë se grupi ka blerë sërish së fundmi Carrefour, ndonëse ky transaksion nuk është reflektuar ende në QKR.

 

Viti 2014, harxhuam mesatarisht 5400 lekë për celular

Çdo përdorues i telefonisë celulare shpenzoi gjatë vitit 2014 mesatarisht 5400 lekë për komunikimin me celular. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), shpenzimet e shqiptarëve për celularin u ulën për të katërtin vit radhazi. Vlera e shpenzimit mesatar vjetor për të komunikuar me celular për vitin e kaluar ishte 7% më e ulët krahasuar me vitin 2013, ndërsa në raport me vitin 2010 rënia është rreth 35%. Ky është një nga treguesit më domethënës të faktit se mesatarisht tarifat celulare janë ulur ndjeshëm dhe sot komunikimi kushton më lirë. Konkurrenca mes operatorëve ka rezultuar mjaft efektive për të ulur tarifat mesatare, ndonëse, të paktën për abonentët me parapagesë, komunikimi i lirë është i mundur vetëm përmes paketave ofertë dhe sidomos për thirrjet brenda rrjetit. Megjithatë, gjatë vitit 2015, edhe këto barriera të komunikimit me celular pritet të ulen ndjeshëm. AKEP i ka ndaluar operatorët të aplikojnë diferencime në tarifat brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit, ndërsa paketat ofertë që zgjasin më shumë se tre muaj duhet të konvertohen në tarifa standarde. Ulja graduale e tarifave vit pas viti ka sjellë rënie të volumit të tregut të telefonisë celulare, që vitin e kaluar kishte vlerën e rreth 32 miliardë lekëve, në rënie me 13% krahasuar me vitin 2013.

 

Pensionet private, fondi arrin në 630 milionë lekë

Tregu i pensioneve private është zgjeruar edhe gjatë vitit 2014, duke arritur një total aktivesh prej 629 milionë lekësh. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, përmasat e tregut janë rritur me 45% krahasuar me vitin 2013. Në vlerë absolute, megjithatë tregu vazhdon të ketë përmasa mjaft modeste në raport me pjesën tjetër të sistemit financiar në vend. Aktivet e fondeve private të pensioneve konsistojnë kryesisht në investime në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Vlera totale e investimeve të këtyre fondeve arriti në 581 milionë lekë, në rritje 38% me bazë vjetore. Në total, skemat private të pensioneve përfshijnë rreth 8,500 anëtarë, numër ky rreth 7.7% më i lartë krahasuar me vitin 2013. Në treg vazhdojnë të veprojnë tre fonde të pensioneve private, që menaxhohen nga institucione financiare, përkatësisht “Raiffeisen”, “Sigal” dhe “Sicred”. Gjatë vitit të kaluar, është vërejtur një rritje e pjesës së tregut të “Sigal” dhe “Sicred”, ndërsa në rënie është pjesa e “Raiffeisen Pensions”. Me gjithë përpjekjet e institucioneve të specializuara financiare, ky treg ngelet ende në përmasa modeste dhe ekspertët mendojnë se rritja do të jetë e ngadaltë në kohë, duke ecur paralelisht me forcimin e kulturës financiare dhe rritjen e besimit në këto institucione.

 

Greqia kërcënon vendet e eurozonës

Ministri i financave të Greqisë Yanis Varoufakis deklaroi gjatë një interviste të transmetuar dje se nëse Greqia do të largohet nga zona e euros, do të kishte një efekt të pashmangshëm ngjitës. ‘Kushdo që luan me idenë e reduktimit të disa pjesëve të zonës së euro duke shpresuar se pjesa tjetër do të mbijetojë po luan me zjarrin, ‘tha ai për La Sexta, një kanal televiziv spanjoll, në një intervistë të regjistruar 10 ditë më parë. “Disa pohojnë se pjesa tjetër e Evropës ka qenë rrethuar në një cikël vicioz nga Greqia dhe se BQE ka mjete në dispozicion për të ‘amputuar’ Greqinë, nëse do të jetë nevoja, të kurojë plagën dhe të lejojë pjesën tjetër të eurozonës të vazhdojë përpara’. ‘Unë dyshoj shumë se është pikërisht ky rasti. Jo vetëm për Greqinë por për çdo pjesë të bashkimit, ‘tha ai. “Pasi te perceptohet prej njerëzve ideja se bashkimi monetar nuk është i përhershëm fillojnë spekulimet… se kush e ka radhën i dyti? Kjo pyetje është ‘mediumi’ për çdo bashkimi monetar. Herët a vonë ajo do të nxisë rritjen e normave të interesit, tensionet politike, ‘rrjedhjet’ e kapitalit. ‘ Komentet e tij u regjistruan përpara atyre të bëra nga Mario Draghi, president i Bankës Qendrore Evropiane, i cili këtë fundjavë tha se zona e euros është pajisur më mirë se në të kaluarën për t’u përballur me një krizë të re greke por paralajmëroi për ‘lundrim në ujëra të panjohur’ nëse situata përkeqësohet. Qeveria majtiste e Greqisë po përpiqet të negociojë një marrëveshje me kreditorët e saj nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për të zhbllokuar ndihmat e mëtejshme nën paketën e saj të shpëtimin prej 240 miliard eurosh. Zëvendës ministrat e financave të eurozonës i dhanë Athinës të enjten e kaluar një afat prej gjashtë ditësh pune për të paraqitur një plan të rishikuar të reformës ekonomike. Ministrat e financave të zonës euro do të takohen më 24 prill për të vendosur nëse do të zhbllokojnë fondet emergjente për të siguruar mbijetesën e Greqisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency