Bankat sërish me fitime, ja shifrat për “më të pasurat”

0
177

Ervin Kaduku

 

Bankat që rezultuan me humbje për 9-mujorin e këtij viti ishin “Tirana Bank”, “Credit Agricole” dhe “ProCredit Bank”, ndërsa “Alpha Bank” dhe “Banka e Kreditit të Shqipërisë” ende nuk kanë publikuar informacion

 

leket jashte

Pavarësisht nga viti i vështirë, pjesa më e madhe e bankave arritën rezultate financiare pozitive edhe në tremujorin e tretë. Sipas të dhënave ende të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, 11 banka deklaruan fitime, tre humbje, ndërsa dy prej tyre nuk kanë publikuar të dhëna.

Të dhënat e raportuara nga bankat kanë një ndryshim të thellë nga ato që raportoi disa ditë më parë Banka e Shqipërisë, që treguan se në nivel sistemi u regjistrua tremujori i parë më humbje pas 14 vjetësh. Por, diferenca vjen nga fakti se Banka e Shqipërisë jep të dhënat sipas standardeve raportuese të mbikëqyrjes, ndërsa bankat raportojnë sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, që në fakt janë edhe standardi ligjor i raportimit.

Bankat me fitimet më të larta për 9-mujorin ishin “Raiffeisen”, “Intesa Sanpaolo”, “Societe Generale” dhe “Credins”, duke vazhduar tendencën e konsoliduar pozitive të viteve të fundit. Vazhdojnë të kenë rezultate të mira edhe “Veneto Banka”, “Union Bank” dhe “Fibank”, që në dy vitet e fundit po gërshetojnë pozicionimin aktiv në kreditim me një performancë financiare pozitive. Bankat që rezultuan me humbje për 9-mujorin e këtij viti ishin “Tirana Bank”, “Credit Agricole” dhe “ProCredit Bank”, ndërsa “Alpha Bank” dhe “Banka e Kreditit të Shqipërisë” ende nuk kanë publikuar informacion.

 

Bie kreditimi i vogël

Institucionet mikrofinanciare në përgjithësi kanë qëndruar në stanjacion gjatë vitit 2012. Megjithatë, ky sektor paraqet një nivel shumë më të ulët të kredive me probleme, në raport me sistemin bankar. Nga ana tjetër, kriza po i vë ata në vështirësi në sigurimin e fondeve.

Në linjë me ngadalësimin e ritmeve të ekonomisë dhe ngecjen e sistemit bankar, ky i fundit sidomos në drejtim të kredisë, edhe mikrofinanca ka ulur xhirot e motorit gjatë periudhës 2011-2012.

Të dhënat e raportuara për nga institucionet kryesore mikrofinanciare në vend (Fondi Besa; Unioni SHKK; Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a;) flasin për ritme shumë të ulëta zgjerimi të portofolave të kredisë gjatë 2012-s, me përjashtim të Fondit Besa, i vetmi që ka shënuar rritje dyshifrore.

Në total, stoku i huasë së mikrofinancës në vend, duke përfshirë institucionet financiare jo bankë që ushtrojnë aktivitet huadhënës në vend dhe shoqëritë e kursim kreditit është rreth 15 miliardë lekë në fund të vitit 2012, duke qëndruar në pothuajse të njëjtat nivele si në 2011-n, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2011 dhe raportimeve të institucioneve kryesore për 2012-n. Përveç dy grupimeve të mësipërme, janë të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe dy institucione financiare jobankare për dhënien e mikrokredisë, Vision Fund dhe Capital Invest, por stoku i portofolit të tyre mbetet mjaft i vogël, sipas të dhënave zyrtare të institucionit qendror.

Pjesën më të madhe të portofolit të mikrofinancës e zotërojnë institucionet financiare jo bankë që ushtrojnë aktivitet huadhënës në vend, me rreth 68% të totalit, të ndjekura nga shoqëritë e kursim-kreditit, me 29% të totalit dhe institucionet financiare jobankare për dhënien e mikrokredisë zënë vetëm 3%, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2011.

“Në përgjithësi, ngërçi i kredive dhe rënia ekonomike po e detyrojnë mikrofinancën të ngadalësojnë rritjen e portofolit të tyre të mikrokredisë. Kjo vërehet si tek institucionet në Shqipëri ashtu dhe tek institucionet simotra në rajonin tonë”, pohon prof. asoc. dr. Bajram Muçaj. Sipas tij, rezultatet e vitit 2012 dhe parashikimi i vitit 2013 tregojnë se periudha e rritjes së shpejtë ka ndaluar. “Kjo periudhë 2-3-vjeçare do të jenë vite kyç për të provuar qëndrueshmërinë e mikrofinancës ndaj trazirave makroekonomike”.

E të njëjtit mendim është dhe Zana Konini, drejtore ekzekutive e Unionit SHKK. “Viti 2012 është karakterizuar nga një stanjacion apo ngadalësim i rritjes së aktivitetit të mikrofinancës në vend. Ajo që vihet re është se ritmet e rritjes së kredisë kanë qenë më të ulëta në krahasim me periudhat e mëparshme”, pohon ajo.

Kriza ka nxjerrë në pah dhe një tjetër problem për institucionet mikrofinanciare në vend. “Për sektorin e mikrofinancës, institucionet që nuk kanë mundësi të grumbullojnë depozita, problem kryesor mbetet kostoja e lartë e fondeve në të cilat kanë akses. Mbështetja e këtij sektori me fonde me kosto të pranueshme do të jetë një ndihmë e madhe për këtë sektor”, thotë Bajram Karsita, drejtori ekzekutiv i “Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF”.

Fondi Besa është institucioni më i madh financiar jo bankë në vend, i orientuar në mikrofinancë, duke zotëruar rreth 33% të portofolit të kredisë prej 15 miliardë lekësh të mikrofinancës. Aktori i dytë më i madh është Unioni SHKK, me 25% të portofolit të mikrofinancës në total (dhe 82% të portofolit total të unioneve të kursim kreditit), i ndjekur nga NOA dhe FAF, që zotërojnë përkatësisht nga 18% dhe 16% të portofolit të huasë.

Një zhvillim pozitiv në tregun e mikrofinancës është niveli i ulët i huave me probleme, në raport me sistemin bankar. Sipas raportimeve të institucioneve mikrofinanciare, portofoli në risk rezulton midis 5-8%, kur në sistemin bankar, niveli i huave me probleme ka arritur në rreth 23%.

 

 

 

Produktet e duhanit pritet të kushtojnë më shumë nga janari

 

Qeveria e “halleve të popullit” në fakt po merr mbrapsht nje nga një premtimet e bëra në fushatë elektorale dhe të zbardhura në programin e saj

 

 

Ministria e Financave është duke përgatitur një projektligj për rritjen e çmimit të akcizës për paketat e cigareve që prodhohen në vend apo importohen nga jashtë. Megjithatë, asnjë detaj nuk bëhet i ditur mbi vlerën e rritjes së çmimit të cigareve.

Për këtë arsye, përfaqësues të industrisë së duhanit kanë zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese ku kanë paraqitur propozimet e tyre.

Shoqata kërkon rritje me 10 lekë në vit të akcizës dhe hartimin e një strategjie për rritjen e çmimit, si edhe tarifa më të ulta doganore. Sektori i duhanit realizon një xhiro vjetore në vend prej rreth 300 milionë euro, ku 70% e kësaj vlere janë taksa që vilen nga qeveria. Ndërsa, përsa i përket vlerës së akcizës për çdo paketë cigare, ajo aktualisht është 70 lekë.

 

Tregu

Kriza ekonomike ka rrudhur tregun e cigareve, duke shënuar ndër nivelet më të ulëta të importeve në katër vitet e fundit.

Importuesit konfirmojnë se konsumatorët nuk e kanë ulur konsumin, por janë orientuar drejt markave më të lira, kryesisht duhanit “me dredhje”

Kriza ekonomike dhe ulja e konsumit po ndikon negativisht edhe në tregun e cigareve. Të dhënat e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmojnë rënien e importit të cigareve gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Sipas doganave, janë importuar rreth 2060 tonë cigare në periudhën janar-gusht të këtij viti, me një rënie prej afro 8.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është një ndër nivelet më të ulëta të importeve të cigares regjistruar në katër vitet e fundit, larg kuotave të katër viteve më parë, kur në Shqipëri rezulton të jenë importuar rreth 2650 tonë cigare.

 

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

 

Sipas operatorëve, shkaku kryesor që ka çuar në rënien e importeve, më shumë se rënia e konsumit, është importi i shtuar i duhanit të papërpunuar, që hyn në Shqipëri duke anashkaluar doganën.

Në dy-tre vitet e fundit, “duhani me dredhje” ka rritur ndjeshëm peshën e tij në konsum, për shkak të çmimit të lirë. Operatorët e mëdhenj të tregut të cigareve thonë se tashmë ky duhan zë deri në 20% të tregut total cigareve në vend.

Në kushtet e krizës ekonomike, gjithnjë e më shumë konsumatorë po “dynden” drejt produkteve me çmime të lira dhe duket se duhani i papërpunuar që prodhohet në zonat veriore të vendit, u ka ardhur në “ndihmë” klientëve me të ardhura të ulëta. Ky duhan shitet kryesisht në rrugë nga tregtarë ambulantë dhe konsumohet kryesisht nga moshat e mëdha, që janë duhanpirës të rregullt.

Në fakt, edhe të dhënat zyrtare të INSTAT, konfirmojnë rritjen e prodhimit të duhanit vitet e fundit. Megjithëse sasia e prodhuar është ende larg niveleve të para viteve ‘90, ku në vend ekzistonte një industri e zhvilluar e prodhimit të cigareve, ajo është rritur në katër vitet e fundit. Në total, gjatë vitit 2012 janë prodhuar në vend 2,000 tonë duhan.

 

 

Burimi:INSTAT

 

Për importuesit, ky duhan që po bëhet gjithnjë e më konkurrues në kushtet e krizës, është shqetësues.

“Nëse rritja e akcizave që pritet të ndodhë në të ardhmen nuk është proporcionale, ekziston një risk i konsiderueshëm që konsumatorët të kalojnë nga produktet me akcizë tek duhani i paligjshëm”, thotë Sorin Juganaru, CEO i kompanisë JTI, e cila ka ekskluzivitetin e një sërë markash cigare në vend.

 

Më shumë formate

Në kushtet e rritjes së konkurrencës, importuesit po tregohen shumë më tepër agresivë në marketing. Ata janë fokusuar në shpërndarje ndërkohë që kanë lançuar edhe formate e produkte të reja.

Formati prej 10 cigaresh, që u lançua fillimisht në treg nga kompania JTI, është tashmë një produkt që ofrohet nga thuajse të gjitha kompanitë. Sipas importuesve, në kushtet e rritjes së çmimit të cigareve, ky lloj formati ndihmon konsumatorin që të mos shpenzojë në shuma të mëdha njëherësh.

Nga ana tjetër, në treg janë lançuar edhe produkte të reja, që janë më pak të dëmshme për shëndetin dhe që synojnë konsumatorin e ndjeshëm ndaj cilësisë së cigares.

 

 

Revokohet leja e minierës së aksidentit

 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri urdhëroi revokimin e lejes minerare Nr.1338, datë 24.07.2009, dhënë subjektit “YZO” shpk, në Gurrë, komuna Qukës, rrethi i Librazhdit. Pas ngjarjes së datës 7 nëntor 2013, kur në galeritë e minierës ku kryente aktivitetin ky subjekt, humbën jetën dy persona, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave nisi inspektim për të zbuluar shkaqet e aksidentit.

Nga këqyrja e dokumentacionit të disponueshëm në subjekt dhe inspektimeve në terren, RISHM-i konstatoi se gjendja teknike e galerisë nuk ishte e mirë dhe se mungonte krejtësisht armatura në të gjithë gjatësinë e saj. Specialistët konstatuan se shkaku i ndodhjes së aksidentit me pasojë vdekjen e inxhinierit Drini Bogdani dhe minatorit Haxhi Danga ka qenë shkëputja nga tavani i punimit në ballin e saj, të një masivi shkëmbor i cili i ka goditur në kokë dhe në trup duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tyre.

Duke konstatuar se aksidenti ka ardhur si rezultat i mos zbatimit të Rregullave të Sigurimit Teknik, RISHM-i vendosi pezullimin e punës në të gjithë objektin minerar të lejes dhe i propozoi Ministrit revokimin e lejes minerare.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency