Bankat, kërkesa për kredi vjen në rritje në tremujorin e tretë

0
172

Ervin Kaduku

 sportel-banke-vilma-320x208–  Banka e Shqipërisë publikon rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues për periudhën korrik-shtator 2014

–  Qytetarët vijojnë të kërkojnë kredi kryesisht për shtëpi dhe konsum

 Standardet e kredisë mbetën të pandryshuara për bizneset dhe u lehtësuan për individët në tremujorin e tretë të vitit, bazuar në informacionin e marrë nga vrojtimi i aktivitetit kreditues, njoftoi dje Banka e Shqipërisë. Pasi u lehtësuan pak në tremujorin e dytë, standardet e kredisë për biznese mbetën të pandryshuara, si për kredinë e dhënë për kapital qarkullues ashtu edhe për kredinë për qëllim të financimit të investimeve. Për kredinë dhënë individëve, bankat vijuan prirjen lehtësuese të standardeve për të katërtin tremujor rresht. Standardet u lehtësuan për të dy llojet e kredisë: për blerje banese dhe për kredinë konsumatore.

Lehtësimi i standardeve u ndikua nga faktorë që lidhen me gjendjen e likuiditetit të vetë bankave, nivelin e konkurrencës në sistemin bankar dhe politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë. Disa nga faktorët kryesorë që dhanë ndikim për shtrëngimin e standardeve janë gjendja financiare e individëve dhe bizneseve, kreditë me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.

Kushtet e vendosura nga bankat në momentin që miratojnë një kredi të re u përmirësuan, kryesisht në terma të uljes së marzhit mesatar për të dy llojet e klientëve, biznese dhe individë. Për bizneset, rritja e kërkesës për kolateral në tremujorin e tretë u përdor për të zbatuar një politikë më konservatore. Në përgjithësi, kushtet e vendosura nga bankat për individët u përmirësuan në tremujorin e tretë.

Por standardet e kredidhënies nuk pritet të lehtësohen në tremujorin e katërt, megjithëse bankat presin rritje të kërkesës, si nga bizneset ashtu edhe nga individët në tremujorin e katërt të vitit.

 

Kredia për bizneset

Balanca neto e standardeve shënoi një ndryshim të vogël pozitiv vetëm për kategorinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Niveli i kësaj balance regjistroi +5% (neto), në rënie me 14.9 pikë përqindje nga tremujori i dytë. Bankat presin t’i mbajnë të pandryshuara standardet e kredisë për biznese edhe në tremujorin e katërt.

Nga ana tjetër, ecuria e kredive me probleme, problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin e tij biznesi dhe situata makroekonomike në vend kanë vijuar edhe gjatë këtij tremujori të ndikojnë në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies për bizneset, megjithëse në një shkallë rënëse nga tremujori në tremujor.

Në ngadalësimin e kërkesës së bizneseve ndikoi rënia e kërkesës për kredi nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

 

Kredia për individë

Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues në tremujorin e tretë të vitit 2014 konfirmojnë lehtësimin e standardeve për kredinë dhënë individëve, në të dyja kategoritë e saj. Përqindja neto e bankave që shprehen për lehtësim të standardeve rezultoi +18.2%, nga rreth 16.9% që ishte në tremujorin e dytë. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u lehtësuan, si për kredinë konsumatore ashtu dhe për atë me qëllim financimin e blerjes së banesës. Balancat përkatëse shënuan vlerat 17.9% dhe 27.8%, nga 15.5% dhe 22.5% në tremujorin e mëparshëm. Ekspertët e bankave presin lehtësim të standardeve të kreditimit për individët përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2014, por në një masë më të vogël, si për standardet për blerje banese ashtu dhe për financim të konsumit.

Kërkesa e individëve për kredi vijoi të vlerësohet në rritje nga bankat, përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2014. Balanca neto e përgjigjeve që raportojnë rritje shënoi vlerën 10.5%. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, bankat raportojnë kërkesë në rritje për kredinë konsumatore. Nga ana tjetër, ndryshe nga tremujori i kaluar, kërkesa për kredi me qëllim financimin e banesës rezultoi në rënie. Balanca përkatëse rezultoi -10% nga +1.2% që ishte në tremujorin e mëparshëm.

Faktorët kryesorë që nxitën kërkesën e individëve për kredi vijojnë të jenë kushtet e kreditimit të aplikuara nga banka, nevoja e familjarëve për të financuar konsumin dhe banesën, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë.

 

 Hynë në fuqi rregullat e reja për shoqëritë tregtare

Kanë hyrë dje në fuqi (7 nëntor) ndryshimet në ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Sipas burimeve nga QKR, bizneset duhet të kenë kujdes lidhur me pikat e mëposhtme:

  1. Asnjë shoqëri tregtare nuk mund të prishet për shkak të mospërmbushjes përpara kësaj date të kërkesave të nenit 230, të ligjit Nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
  2. Shoqëritë tregtare të regjistruara në regjistrin tregtar përpara datës 20.05.2008, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ende nuk kanë adaptuar statutin e tyre me parashikimet e ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, janë të detyruara që jo më vonë se 3 muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji: a) të miratojnë ndryshimet e nevojshme në statutin e tyre për ta përputhur atë me kërkesat e ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar; b)   t‘i regjistrojnë këto ndryshime të statutit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, sipas ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të ndryshuar.

Mospërmbushja e detyrimeve, sipas pikës 2, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 30 000 lekë. Për këto subjekte, Qendra Kombëtare e Regjistrimit paralajmëron se do të ndërpresë shërbimin deri në kryerjen e veprimeve. Afati 3-mujor, i përmendur në pikën 2, është afat për zbatimin e detyrimeve të regjistrimit sipas pikës 2 dhe në asnjë rast, nuk mund të përdoret si justifikim për moszbatimin e plotë të dispozitave në fuqi të ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, paralajmëron QKR.

Përmirësimet e sjella në nenin 4 të ligjit parashikojnë për shoqëritë aksionere që çdo marrëveshje, që kërkon miratim pas nenit 13 të ligjit nr. 9901, t’u njoftohet aksionerëve sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 72 orë ose 3 ditë nga dhënia e miratimit të marrëveshjeve përkatëse nga këshilli i administrimit apo këshilli mbikëqyrës.

Element tjetër i rëndësishëm është që të njësohen të drejtat e minorancës dhe të kreditorëve të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, me ato të parashikuara për shoqëritë aksionere në lidhje me shfuqizimin e vendimeve të parregullta, kur mund t’i marrin administratorët.

Parashikohen shkaqet e prishjes së shoqërisë kur i mbaron kohëzgjatja për të cilën është themeluar, me përfundimin e procedurave të falimentit apo në rast të pamjaftueshmërisë së pasurive për të mbuluar shpenzimet e procedurës së falimentimit në rastet kur objekti bëhet i parealizueshëm për shkak të mosfunksionit të vazhduar të organeve të shoqërisë apo edhe për shkaqe të tjera, që e bëjnë absolutisht të pamundur vazhdimin e veprimtarisë tregtare, si edhe në rastet e pavlefshmërisë së themelimit të shoqërisë apo me vendimin e ortakëve etj. Ndryshimet parashikojnë ndarjen e kapitalit të një sh.p.k-je sipas numrit të ortakëve dhe të drejtat e votës të lidhura me kuotën e tyre. Parashikohet se administratori në çdo kohë mund të heqë dorë nga detyra e tij, duke njoftuar QKR-në, e cila nuk e regjistron dorëheqjen e administratorit pa pasur një vendim të asamblesë për zëvendësimin e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency