Banda e babagjyshave / Mbeten në burg katër “babagjyshat” e vjedhjes së argjendarive

0
184

babagjyshet-grabitja-1

Alma Çuka

Agustin Sula rrëfen krimet në grup. Ilir Kupa, sot para Gjykatës. Një tjetër person i arrestuar paraditen e së shtunës i shtohet bandës së babagjyshave

Numri i personave të dyshuar si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal, ngritur me të vetmin qëllim për të sulmuar dhe grabitur argjendari të ndryshme brenda dhe jashtë kufijve të vendit, duket se është rritur. Prokuroria e Krimeve të Rënda lajmëroi mesditën e djeshme se paralelisht me seancën e caktimit të masave të sigurimit personal për të arrestuarit e katër ditëve më parë, Policia e Shtetit ndaloi paraditen e djeshme shtetasin Edmond Selala, dyshuar për përfshirje në grupin e strukturuar kriminal, drejtuar nga brenda ambienteve të burgut prej Ilir Kupës. Gjykata për Krime të Rënda vendosi dje të linte në burg katër të dyshuar se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në vjedhje me armë, të njohur publikisht si “grupi i babagjyshave”. Ndërkohë, Gjykata pritet të shqyrtojë sot masat e sigurisë, të kërkuara nga Prokuroria për Krime të rënda për disa persona të tjerë, të cilët dyshohen si pjesëtarë të këtij grupi kriminal. Gjatë ditës së djeshme Gjykata la në burg shtetasit Agustin Sula, Julian (Enea) Qerrushi, Hajdar Sefa dhe Edmond Selala, ndaluar paraditen e djeshme, datë 20 dhjetor. Organi i Prokurorisë duket se nuk ka dashur të bashkojë në të njëjtin moment kreun e grupit kriminal, me të pandehurit e tjerë, të cilët, sipas të dhënave të para, kanë pranuar se kanë qenë pjesë e grabitjeve me armë të disa argjendarive në vend. Ilir Kupa do të paraqitet sot para Krimeve të rënda. Ai mbahet në paraburgim që prej datës 24 janar të këtij viti, pas arrestimit si I dyshuar si një prej babagjyshave që morën pjesë në grabitjen e një argjendarie në “TEG”, në 25 dhjetor 2013.

 

Akuzat

Prokuroria për Krime të Rënda akuzon të pandehurit për veprat penale të “Vjedhjes me armë”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 140, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Policia e Shtetit i ka referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda gjithë dokumentacionin kundër të pandehurve. Në bazë të këtyre dokumenteve rezulton se në qytetin e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit, gjatë periudhës janar-dhjetor 2013 dhe në vazhdim kanë ndodhur një sërë veprash penale të rënda në fushën e krimeve kundër pasurisë. Janë vjedhur me armë disa argjendari në këto qytete nga ku janë përvetësuar shuma të mëdha monetare dhe sasi të mëdha të sendeve të çmuara kryesisht flori. Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit gjatë hetimeve kanë konstatuar se në të gjitha vjedhjet e argjendarive, ka element të përbashkët vjedhjes.

 

Skema e grabitjeve

Prokuroria ka arritur që të bind disa prej të pandehurve me qëllim zbërthimin e skemës së grabitjeve. Kështu behet e ditur se akuza arriti të grumbullojë të dhëna rreth krimeve si pasojë bashkëpunimit me të pandehurin Agustin Sula. Ky i fundit i ka rrëfyer hetuesve se në krye të grupit ka qenë prej një viti, që nga momenti i arratisjes nga burgu i Trikallasë në Greqi, shtetasi Ilir Kupa. Ky i fundit i jepte direktivat nga burgu, ndërsa të ardhurat më pas shpërndaheshin në grup. Mjetet e përdorura për grabitje në të gjitha rastet ishin të vjedhura. Këto mjete sipas të dhënëve nga vet të pandehurit vidheshin në zonën e Milotit gjatë momentit që drejtuesit kishin ndaluar për të pushuar dhe çelësat ndodheshin në mjet.

Më pas mjetin e fshihnin duke i ndërruar targat në disa raste dhe në disa të tjera kanë përdorur po targat origjinale. Të pandehurit sipas akuzës kopjonin targat e një mjeti tjetër të ngjashëm me atë të vjedhur. Ndërkohë pas grabitjes, mjetet digjeshin dhe më pas ata largoheshin me mjete të tjera.

 

Dëshmia e të pandehurve

Të pandehurit kanë dhënë detaje lidhur me mekanizmin e përdorur gjatë vjedhjes i dhe rolet kryesore. Çdo pjesëtar i grupit kishte rol të caktuar, i cili i jepej nga kreu i grupit Ilir Kupa. Pjesëtarët e grupit kriminal të babagjyshave kishin arritur të gjenin edhe skemën se si të realizonin grabitjen në momentin kur mbërrinin tek argjendaria. Njëri prej autorëve qëndronte tek dera si roje nëse do të vinte policia. Ky person sipas të dhënave të vetë të pandehurve duhet të ishte i gjatë dhe gjithmonë me automatik në dorë. Ndërsa maskat, dorezat dhe veshjet kanë mbishkrimin “policia”. Autorët ndajnë edhe rolet gjatë realizimit të vjedhjes. Dikush duhet të vjedhë mjetin që do të përdoret për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, dikush do të gjejë armët dhe veshjet apo do të kryejë vjedhjen. Të gjithë personat që do të realizonin vjedhjen duhet të kishin karakteristika të përbashkëta, ndërkohë që objektet të cilat ishin në shënjestër të grupit, ishin argjendari.

 

Grabitja në Maqedoni

 

Sipas informacionit të nxjerrë nga letërporosia e autoriteteve gjyqësore të Republikës së Maqedonisë bëhet me dije se atje po kryhen hetime lidhur me veprat penale të grabitjes së dy argjendarive, ndodhur në datën 30.4.2014 në Strugë dhe në datën 29.7.2014 në Dibër, në të cilat dyshohen se kanë marrë pjesë shtetasit shqiptarë M. E., Agustin Sula dhe të pandehurit e tjerë. Sipas kësaj prokurorie këta shtetas veprojnë si një grup kriminal i organizuar për kryerjen e veprave penale të grabitje në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.

Pra personat që dyshohet se kanë kryer veprat penale në Shqipëri dyshohet se kanë marrë pjesë dhe në kryerjen e vjedhjeve në territorin e Maqedonisë.

 

Arrestimi i Sulës

Nga hetimi ka rezultuar se më datën 16.12.2014 rreth orës 16:00 në vendin e quajtur Liqeni i thatë tek një lokal bar, nga njësia operacionale është konstatuar një automjet i cili drejtohej nga shtetasi nën hetim Agustin Sula, person ky në kërkim për veprën penale të vjedhjes me armë dhe i dënuar me 23 vjet burgim. Ky person ishte në drejtimin e makinës dhe në shoqërimin e tre personave të tjerë. Sa kanë hyrë në ambientet e lokalit, ka ndërhyrë forcat e njësisë operacionale duke bërë arrestimin e tij në flagrancë dhe shoqërimin në polici të shtetasve që shoqëroheshin me të. Ne momentin e arrestimit gjatë kontrollit personal shtetasi Agustin Sula mbante me vete në brez armën pistoletë “TT”. Menjëherë u ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Agustin Sula, banesë kjo e marrë nga ana e tij me qira. Në të u gjetën një pistoletë “Zastava” kal 6.35 mm, një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis sativa. Nga hetimi i mëtejshëm rezultoi se shtetasi Agustin Sula është në kërkim për një grabitje të bërë në qytetin e Durrësit dhe së është dënuar me 23 vjet, burg . Pasi është shpallur në kërkim është larguar jashtë shtetit në Greqi duke kaluar në rrugë ilegale, në këtë shtet ka qëndruar një farë kohe dhe ka bashkëjetuar me një shtetase greke. Gjatë kohës që ndodhej në Greqi është njohur me shtetasin në hetim Ilir Kupa. Kur është kthyer në Shqipëri ka bërë ndërrimin e emrit dhe duke lëvizur me identitet të rremë. Në vitin 2013 janë takuar më shtetasin Ilir Kupa dhe shtetasin Enea Qerushin dhe Hajdar Sefën dhe disa të tjerë. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhje argjendarish me armë. Nga hetimet ka rezultuar se ku grup i strukturuar kriminal, krahas vjedhjeve në Shqipëri ka kryer dhe dy vjedhje me armë në Maqedoni, konkretisht në Strugë në muajin prill 2014 dhe në Dibër të Madhe në korrik 2014, ku gjatë vjedhjes kanë shkëmbyer zjarr dhe është vrarë njëri nga bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj vjedhje shtetasi M. E. Në vjedhjen e realizuar në Strugë kanë marrë pjesë shtetasit nën hetim M. E., Agustin Sula dhe shtetas të tjerë.  Është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit Agustin Sula si dhe ndalimi i shtetasve Hajdar Sefa dhe Julian (Enea) Qerrushi të cilëve u janë sekuestruar katër celularë, automjeti me të cilin lëvizte dhe një sasi lekësh që kishte me vete dhe disa bizhu personale floriri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency