Arben Ahmetaj: Jemi kundër krijimit të lehtësive fiskale

0
151

Ervin Kaduku

 –  Ministri i Ekonomisë është shprehur në Beograd se qeveria e Tiranës është kundër lehtësive apo politikave të përjashtimit në aspektin e taksave

56480748254493e46e257d555298682_640x262Ndërkohë që opinioni publik në vend është përfshirë në një debat, kryesisht kundër rritjes së taksave, që parashikon ekzekutivi “Rama” për vitin e ardhshëm, në Konferencën Rajonale të Ballkanit Perëndimor për “Qeverisjen e mirë dhe konektivitetin në rajon”, organizuar nën kujdesin e Komisionit Evropian, që po mbahet në Beograd, ministri shqiptar i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, është shprehur dje se qeveria e Tiranës është kundër lehtësive apo politikave të përjashtimit në aspektin e taksave.

Ai e ka vënë theksin në harmonizimin e rajonit nga pikëpamja fiskale. “Rajoni ynë nuk është i harmonizuar nga pikëpamja fiskale, prandaj duhet definitivisht të koordinojmë elementët fiskalë, nuk po them t’i harmonizojmë ato. Për shembull, ne në Shqipëri nuk kemi praktikën e lehtësimit apo përjashtimit nga taksat sepse besojmë se zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë kërkon politika më afatgjata sesa ndërhyrjet e përkohshme me lehtësim fiskal. Por disa vende të tjera si Maqedonia apo Serbia, kanë. Subvencionet dhe përjashtimet nga taksat nuk janë të qëndrueshme, dhe në fund të ditës në ngrihemi apo rrëzohemi ekonomikisht të gjithë së bashku”, – theksoi Ahmetaj.

“Unë besoj gjithashtu se ne duhet ta lidhim këtë proces me procesin e Berlinit. Rajoni është fizikisht i fragmentuar dhe i shkëputur dhe qeveritë tona nuk kanë paratë e mjaftueshme për të ndërtuar projekte infrastrukturore, prandaj Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare duhet të ofrojnë një fond garancie për projekte konkrete. Nuk mund të flasim më për pjektë në përgjithësi, duhet të jemi të fokusuar tek projektet qe garantojnë impakt dhe benefite të prekshme në nivel rajonal. Unë kërkova që Ministrat e rajonit të propozojnë projektet konkrete që ata konsiderojnë me rëndësi për t’u avancuar. Deri më tani, 4 vende janë përgjigjur, presim edhe 2 të tjerët për të ecur përpara më një plan konkret veprimi”, – tha ai.

Të pranishëm në këtë konferencë janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë së Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati. Prezent në Konferencë është gjithashtu komisioneri evropian Stefan Fyle dhe të tjerë personalitete.

Konferenca e cila është vazhdim i nismës së Berlinit, që nisi më 28 gusht me iniciativën e Kancelares Merkel, u hap me fjalën përshëndetëse të komisionerit Fyle i cili u fokusua tek reformat strukturore dhe programet për rritjen e konkurrueshmërisë dhe Ministrit të Jashtëm të Serbisë i cili u shpreh i kënaqur për prezencën e të gjitha vendeve të rajonit në tryezën e diskutimeve diplomatike dhe ekonomike.

 

Ministria

Brenda kësaj jave pritet të përfundojnë të gjitha veprimet dhe negociatat me institucionet për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se tashmë procesi i hartimit të buxhetit 2015 është futur në fazën përfundimtare dhe brenda kësaj jave pritet të kalojë për miratim në Qeveri. Sipas këtyre burimeve, gjatë ditëve të fundit janë miratuar tavanet përfundimtare të kërkesave të institucioneve që koordinohen me projektet e paraqitura.

Por, risia që pritet të shoqërojë këtë dokument është se nuk do të shkojë “i vetëm” në Qeveri dhe Kuvend, por i shoqëruar nga buxheti afatmesëm 2015-2017 dhe paketa fiskale. Referuar miratimit të kuadrit makroekonomik e fiskal, për periudhën 2015-2017, rezulton se për vitin e ardhshëm të ardhurat janë parashikuar në vlerën e 390.8 miliardë lekë, shpenzimet në 463.1 miliardë lekë, ndërsa deficiti në vlerën 72.3 miliardë lekë.

Sipas ligjit organik të buxhetit, drafti përfundimtar parashikohet të jetë gati në javën e fundit të muajit tetor, nga ku do të dalin në dritë dhe hollësitë e ndarjes. Pas miratimit në Qeveri, projekt-buxheti do të kalojë për diskutime në komisionet parlamentare në Kuvend, ku priten debate mes forcave kryesore politike.

 

Opozita

Vendimi i pritshëm i qeverisë për të rritur taksën mbi karburantet, sipas opozitës, do të japë efekt zinxhir në ekonomi.

Ish-ministri i Ekonomisë, deputet i Partisë Demokratikë, Florjon Mima, tha se, me rritjen e kësaj takse, qytetarëve u merren më shumë se 90 milionë euro. Në paketën e re fiskale që merr fuqi ligjore nga 1 janari i vitit të ardhshëm pritet rritje e taksës së qarkullimit dhe tatimi mbi dividendin dhe të ardhura të tjera.

Aktualisht, taksa e qarkullimit është 17 lekë për çdo litër karburant dhe pritet që fillim të vitit pasardhës të bëhet 27 lekë, pa përfshirë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që e rrit këtë vlerë dhe me 5.4 lekë të tjera. Nëse kjo ndodh çmimi i karburantit në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë rreth 12 lekë për litër më i lartë.

Gjithashtu, pritet të rritet edhe taksimi mbi depozitat bankare, dividentët dhe qiratë.

Partia Demokratike i kërkon qeverisë me zë të lartë “mos e bëj këtë rritje të rrezikshme të çmimit të karburanteve, te analizojë me kujdes situatën në të cilën ndodhet vendi dhe përvojat e vendeve evropiane”, u shpreh Mima.

 

Paraja “braktis” bankat, shqiptarët tërheqin kursimet

Paraja jashtë bankave ka vazhduar rritjen e shpejtë edhe në gusht, për të katërtin muaj radhazi, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në të kundërt, depozitat me afat në lekë po tkurren ndjeshëm, duke shënuan rënien më të madhe mujore të këtij viti në gusht.

Në fund të muajit gusht, paraja jashtë bankave arriti në 205.8 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh, apo rreth 2% më shumë në raport me muajin e mëparshëm. Në krahasim me marsin 2014, kur filloi kjo tendencë rritëse, kanë dalë jashtë bankave rreth 12 miliardë lekë, apo rreth 87 milionë euro.

Tendencë tërësisht të kundërt kanë paraqitur depozitat me afat në lekë, të cilat kanë rënë ndjeshëm përgjatë këtij viti. Në gusht ato arritën në 376 miliardë lekë, me një tkurrje prej 6.8 miliardë lekë në raport me muajin e mëparshëm. Ndërsa në raport me marsin 2014 ato janë tkurrur me 14 miliardë lekë, apo rreth 100 milionë euro. Rritja e lehtë e depozitave e konstatuar në 2014-n rezulton të ketë ardhur tërësisht nga shtimi I kursimeve në valutë.

Ulja e ndjeshme e interesave të depozitave, nën 2% për ato me maturim 12-mujor, duket dhe arsyeja kryesore që I ka bërë njerëzit të painteresuar të mbajnë kursimet e tyre në banka.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku total i depozitave në fund të muajit gusht arriti në 962.3 miliardë lekë, me një rritje prej 0.5% në raport me një muaj më parë.

Gushti është një muaj, ku sezonalisht konstatohet një rritje e depozitave në sistemin bankar, si rrjedhojë e kthimit të emigrantëve në atdhe. Gjithsesi, shtesa e depozitave në banka në gusht 2014 ishte vetëm 4.5 miliardë lekë, shumë më pak se shtesa prej 13 miliardë lekë, që u konstatua të njëjtin muaj të 2013-s dhe 17 miliardë lekë në gusht 2012.

 

INSTAT: 2005-2008, u shtuan 5% ndërmarrjet që drejtohen nga femrat

Niveli i papunësisë tek femrat është më i lartë sesa tek meshkujt, sipas raportit të publikuar në “Konferencën Rajonale mbi Statistikat Gjinore në Shqipëri”, që po mbahet aktualisht në Tiranë, i organizuar nga INSTAT dhe UN Woman. Ky është raporti i dytë mbi barazinë gjinore në 14 vite.

Sipas raportit, norma e papunësisë tek femrat në fund të vitit 2013 ishte 49.9% tek femrat dhe 29.8% tek meshkujt. Femrat janë 20% më pak të zëna me punë, në raport me meshkujt dhe kjo shifër përbën sipas raportit, një hendek të madh gjinor. Ato mbizotërojnë në sektorin privat bujqësor, ku 54.4% e të punësuarve janë femra. Raportet përmbysën në sektorin privat jobujqësor, ku mbizotërojnë meshkujt me 66.6% të të punësuarve. Kryesojnë në ndërtim meshkujt, ndërsa femrat në industrinë përpunuese dhe shërbime.

Një dukuri pozitive e konstatuar nga INSTAT është rritja e numrit të femrave në pozicione drejtuese. Në vitin 2013, 28% e ndërmarrjeve drejtohen nga femrat nga 23% që ishte ky raport në vitin 2005. Qarqet me përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve me në krye femra janë Tirana me 32%, Korça me 31% dhe Vlora me 28%.

 

Varfëria

Sipas të dhënave të tjera, të referuara nga INSTAT, përqindja e familjeve të varfra me gra kryefamiljare është ulur në 9.8% në vitin 2012, nga 20.4% që ishte në vitin 2002. Në të kundërt, familjet e varfra me kryefamiljarë burra janë rritur nga 12.4% në 14.8% për të njëjtën periudhë. Për sa i përket pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, kryesojnë meshkujt me 76.4 %, në raport me femrat 60.8 %, ku ka pasur një rritje të lehtë që nga 2007.

Për sa i përket matjes së nivelit të jetesës, diferencat gjinore në konsumimin e alkoolit çdo ditë, tregojnë se meshkujt janë ata që në 8.3 % pinë alkool, kurse femrat 0.7 %. Ndërkaq, meshkujt janë përdorues më të shumtë të teknologjisë. Në vitin 2012, rezulton se 29% e meshkujve përdorin kompjuterin krahasuar me 22% të femrave dhe për përdorimin e internetit, 26% meshkuj me përkatësisht 19% femra.

Në numrin më të madh për punë të papaguar kryesojnë femrat me 91% dhe vihet re se femrat shpenzojnë më tepër kohë në shtëpi se sa meshkujt (58% me 36%). Për sa i përket ditës së punës së paguar, meshkujt kryesojnë me një raport 7:39 përkundrejt 6:11 orë, pra mesatarisht 1 orë e gjysmë më të gjata. Burrat gjithashtu punojnë më tepër orë në javë, 40 orë ose më shumë, krahasuar me femrat 36 orë.

 

Sigurimet përballuan një vit të vështirë gjatë 2013-ës

Tregu i sigurimeve e ka mbyllur vitin 2013 me humbje në vlerën e 581 milionë lekëve ose rreth 4.2 milionë eurove. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ecurinë me negative, edhe në treguesit financiarë, e ka shfaqur segmenti i sigurimeve të jo-jetës, me një humbje prej 794 milionë lekësh, ndërsa rezultati agregat është përmirësuar nga performanca më e mirë e kompanive të sigurimit të jetës, që e kanë mbyllur vitin me një fitim prej 213 milionë lekësh. Shifrat tregojnë se viti 2013 ka qënë mjaft negativ për kompanitë e sigurimit të jo-jetës, që përveç rënies së të ardhurave nga primet, kanë pësuar edhe përmbysje negative të rezultatit financiar.

Rezultati teknik, që mat të ardhurat dhe shpenzimet nga aktiviteti sigurues, pa marrë parasysh zërat e tjerë, ishte akoma më negativ, në vlerën e 1.38 miliardë lekëve ose pothuajse 10 milionë eurove. Edhe këto përjashtim bënë kompanitë e sigurimit të jetës, që regjistruan rezultat teknik pozitiv në vlerën e 232 milionë lekëve. Tregu i sigurimeve, referuar kryesisht aktivitetit të jo-jetës që përbën edhe pjesën dërrmuese, vuajti vitin e kaluar rënie të të ardhurave nga primet me afro 5%, shkaktuar sidomos nga konkurrenca e ashpër, me tarifa tejet të ulëta për sigurimet e detyrueshme motorike.

Por, rezultati financiar me humbje nuk i detyrohet sigurisht më shumë dëmeve të paguara, duke qenë se edhe ky tregues ka rënë me 4% krahasuar me një vit më parë. Sidoqoftë, kompanitë janë detyruar të rrisin provigjionet teknike, që konsistojnë kryesisht në fonde rezervë për mbulimin e dëmeve, me gjithsej 16% krahasuar me vitin e kaluar. Kompanitë e sigurimeve kanë vazhduar të rrisin shpenzimet e tjera, përfshi ato të marrjes në sigurim dhe shpenzimet e tjera administrative, përkatësisht me 7.6% dhe 4.3%. Me gjithë vitin negative duke ju referuar statistikave të AMF, treguesit e kapitalizimit dhe të aftësisë paguese të kompanive janë në nivele të mira dhe brenda kërkesave rregullatore.

 

Standard & Poor’s: Kriza në Evropë është larg përfundimit

Agjencia e Vlerësimit të Kreditit Standard & Poor’s paralajmëroi se kriza në Eurozonë nuk ka përfunduar ende dhe “ka hyrë në një fazë të rritjes së ndrydhur”. Këtë rritje anemike, agjencia Standard & Poor’s e cilëson si një fazë të re në krizën ekonomike të rajonit. Paralajmërimi vjen në një kohë kur të dhënat treguan për një thellim të rënies së sektorit privat në Francë gjatë tetorit. Indeksi që mat sektorit privat në Francë ra në 48 pikë nga 48.4 që ishte në Shtator. Gjatë muajve të fundit, Franca është cilësuar si “ekonomia e sëmurë” e Eurozonës.

Prodhimi i Brendshëm Bruto nuk ka arritur të zgjerohet gjatë tremujorit të dytë, pasi staniacionit në tremujorin e parë. Banka e Francës parashikon një rritje prej 0.2% në këtë tremujor, por sipas analistëve edhe ky objektiv do të jetë i vështirë. “Ne besojmë se problemet në Eurozonë janë ende të pazgjidhura”, deklaroi Standard & Poor’s në një komunikatë.

Më herët gjatë këtij muaji, agjencia S&P rishikoi në “negativ” parashikimin e borxhit afatgjatë të Francës dhe uli në ‘AA+’ vlerësimin për Finlandën. Tashmë, vetëm Gjermania dhe Luksemburgu kanë nivelin maksimal të vlerësimit “3A”. Ndërsa në vitin 2006, tetë vende të Eurozonës e kanë pasur këtë vlerësim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency