Akuza dhe replika/ Parlamenti “ndizet” nga debatet. Blushi: Mësuesit po përdoren si kope për zgjedhje

0
132

Gëzim Saliu

berisha nikollaProjektligji për arsimin parauniversitar/ Blushi: Mësuesit, si kope për zgjedhje, arsimi profesional po dështon. Nikolla: Je jashtë realitetit

Deputeti i PS: MA ia la shkollat asaj të Mirëqenies. Kjo është njësoj sikur Ministria e Mbrojtjes t’i japë Ushtrinë asaj të Kulturës. Mësuesit të emërohen nga pushteti lokal, arsimi i mesëm duhet i detyrueshëm

Projektligji për arsimin parauniversitar ka sjellë debate dhe kritika brenda vetë mazhorancës së majtë. Ka qenë deputeti socialist Ben Blushi, i cili tashme e ka kthyer në itinerar të përjavshëm diskutimin kritik ndaj qeverisë në Parlament për çështje të ndryshme problematike në vend, i cili theksoi se me këtë projektligj qeveria nuk po sjell ndryshimin e kërkuar. Duke theksuar se e ka humbur besimin prej kohësh për transformime rrënjësore, Blushi tha se qeveria kishte dy vjet kohë që të jepte shenja se ka një revolucion në arsim, gjë që, sipas tij, nuk po ndodh. “Prisja më shumë nga ky projektligj, megjithëse unë besimin e kam humbur prej kohësh dhe jua them pse: nuk besoja kurrë se Ministria e Arsimit vetë mund të tradhtonte shkollat dhe kjo ndodhi para një viti. Ministria e Arsimit ia la një ministrie tjetër ato. E dini si është kjo, sikur Ministria e Mbrojtjes t’i japë Ushtrinë Ministrisë së Kulturës”.

 

Diskutimi

Me tone kritike ndaj Ministrisë së Arsimit, Blushi theksoi se nuk mund të bëhet shkollë kur nga 40 mijë mësues në të gjithë vendin, rreth 20 mijë prej tyre janë pjesë e zgjedhjeve, si komisionerë. “Ky ligj kam përshtypjen u krijon një pasiguri të re mësueseve. I thotë se nëse një prind është i pakënaqur për mësuesin, ai ka të drejtë të iniciojë procedurën e shkarkimit për të. Unë besoj se e kemi detyrimin që mësuesit ti japim garanci. Do hiqja me ligj që ti nxjerrim mësuesit nga zgjedhjet. Ti përdorim mësuesit si kope elektorale dhe mbledhim votat me detyrim dhe këtu shkolla ka mbaruar. 40 mijë mësues janë minimumi 20 mijë komisionarë, tuajat apo këta, nëse i fusni këta në zgjedhje, shkolla ka vdekur. Mësuesi nuk mund të jetë i politizuar”, – tha ai. Nga ana tjetër, ligjvënësi socialist theksoi se Alerteksti nuk ka qenë funksional, ndërsa përmendi nevojën se duhet të ngrihet një bord drejtues, i përbërë nga akademikë dhe shkrues. “Tekstet alternative ishin të pakufizuara, 10-12 dhe shkolla kishte të drejtën për të përzgjedhur, sot kufizohet në tre. Nuk jam i bindur se alterteksti ka funksionuar. Nëse janë tre pse mos të jenë katër apo më shumë. E kush e zgjedh që janë tre? Frika ime më e madhe është; kush miraton tekstet”, – deklaroi ai. Ndërkohë Blushi nuk i kurseu kritikat as ndaj arsimit profesional ku tha se ai po dështon. “Një 15-vjeçar është shumë shpejt për tu bërë hidraulik, është shumë shpejt të marrësh zanatin në atë moshë. Shkolla është e vetmja rrugë për të luftuar pesimizmin e shoqërisë sonë. Shoqëria lexon më pak, punon më pak vret më shumë vjedh më shumë, vetëm shkolla mund ta kurojë”. Ndërkaq në diskutimin e tij Blushi hodhi idenë që mësuesit të emërohen nga pushteti lokal. “Mësuesit i emëron pushteti lokal, pse të merret qeveria. Duhet ta decentralizojmë emërimin e mësuesve tek bashkia. Duhet t’i emërojë pushteti lokal, shkollat duhet të jenë më të mira”. Sipas ligjvënësit të PS-së edhe arsimi i mesëm duhet të jetë i detyrueshëm. “Kemi akoma luksin të mos e bëjmë arsimin tonë të detyrueshëm. Kemi shkollën më të keq se kushdo në rajon, t’i lëmë më shumë në shkollë, nga 10 fëmijë që futen në klasë të parë 6 dalin nga gjimnazi”. Pas fjalës së deputetit socialist nuk ka munguar përgjigja e ministres së Arsimit Lindita Nikolla e cila në reagimin e saj tha se kushdo që mendon se pasioni për shkollën kthehet në ligj është jashtë realitetit. “Absolutisht, shkolla dhe vetëm shkolla lufton fenomenet negative, arsimi dhe vetëm arsimi është politika më e mirë për zhvillimin e vendit. Kush mendon se pasioni në shkollë kthehet në ligj jeton jashtë realitetit”, – deklaroi Nikolla.

 

Debati në Kuvend/ Berisha, Nikollës: Mbaje gojën kur flet me mua, se nuk jam Edi Rama

Projektligji i ri për arsimin parauniversitar ka sjellë debate të forta dje në Kuvend. Krahas kritikës së deputetit Ben Blushi një tjetër pikë “e nxehtë” e këtij ligji ishte edhe debati mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Një fjalë nën zë e ministres në kohën që ish-kreu i qeverisë shqiptare po fliste ka bërë që Berisha të ngrejë tonet e zërit, ndërsa i tha Nikollës të ketë kujdes, pasi ai nuk është Edi Rama. “1.2 milionë euro për rindërtimin e Ministrisë së Arsimit… Mbaje gojën (i drejtohet Nikollës) nuk jam Edi Rama unë. Të thuash ti këtu se do shpenzoj 1.2 milionë euro dhe nuk është gjë për ministrinë, s’ke faj ti. Sepse ti bashkë me Edi Ramën tënd po vendos me shpejtësi të rrufeshme. Dhe çoja atij atë fjalë që the. Të bësh tender ti 5 mln euro tek stadiumi “Dinamo” për mikun e Ramës. Sepse i bën rrush e kumbulla, bëhen stadium dhe komplekse. Herë tjetër matu mirë, pasi ata të tjerët janë më të shkolluar se ty”. Më tej, Berisha iu kundërpërgjigj Nikollës edhe për akuzat e saj ndaj ish-ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj, ku tha: “Kur ka ardhur në 2005 ministër ky zotëria (Tafaj) ka pasur 600 kompjuter, ka vendosur internet në çdo shkollë dhe ka rritur rrogat e mësuesve. Janë angazhuar në sistemin PIZA. Injoranca nuk është argument zonjë, kur kanë ardhur ata, arritur në 86 për qind ndjekja e shkollës. Tafaj është një nga njerëzit më kompetentë për arsimin dhe bëri reformat”. Nga ana tjetër, ish-lideri i Partisë Demokratike akuzoi Ministrinë e Arsimit se ka hequr nga puna njerëz të aftë e profesionistë, duke i zëvendësuar ata sipas tij me nallban e trafikantë.

 

Boçi, Ballës: Je qenef deputet. Ligjvënësi i PS-së: Byroja të marrë masa për palo deputetin

Deputeti demokrat Luciano Boçi dhe ai socialist Taulant Balla u përfshinë në debate që kaluan në fyerje, gjatë seancës së djeshme parlamentare. Në kohën që po diskutohej për projektligjin për investimet strategjike, debati degradoi tek investimet në zonën e Librazhdit, ku deputeti socialist akuzoi opozitën se nuk kanë bërë asgjë nga ato që kanë premtuar. “PD ia hoqi emrin nga lista kryebashkiakut vetëm se bashkëpunoi me qeverinë për të sjellë projekte për qytetin”- tha Balla. Në kundërpërgjigjen e tij deputeti i PD Boçi duke i cilësuar deklaratat e Ballës si shpifje e cilësoi ligjvënësin e majtë si “qenef deputet”. “Askush nuk duhet të hyjë në gojën tënde. Kot nuk thonë, në lluc me derrin mos u ndesh, se fiton derri. Ka thënë i pari juaj një shprehje qenef politika, por ta dish, ti je qenef deputeti i Kuvendit”, – deklaroi Boçi. Edhe pse Shpëtim Idrizi, i cili dje për herë të parë drejtoi seancën si nënkryetar, u kërkoi deputetëve të ruajnë etikën, Balla tha se do t’i drejtohet Byrosë së Kuvendit. “Bazuar në rregulloren për përdorimin e fjalëve të pista do i drejtohem Byrosë së Kuvendit për të marrë masa për palo deputetin që foli”, – deklaroi ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here