Standard.al

Basha: Qeveria s’ia vuri veshin planit të PD që në shtator! Krizë shëndetësore dhe ekonomike…

0

Katastrofa shëndetësore që po përjeton i gjithë vendi dhe kriza ekonomike e gjithanshme mund të ishin parandaluar nëse qeveria do t’ia vinte veshin planit që Partia Demokratike i prezantoi që në shtator të vitit 2020 për të mbështetur qytetarët dhe bizneset për një periudhë disamujore. “E gjitha kjo, – tha sot Lulzim Basha, –  sepse qeveria dështoi t’ia vinte veshin planit që ne i vumë në tavolinë që në shtator për t’i dalë përpara kësaj të keqeje. “

Kryetari i PD-së Lulzim Basha po zhvillon një bashkëbisedim me aksionerët e një biznesi të madh në zonën e autostradës Tiranë – Durrës, ku ka shpjeguar pjesë nga Programi i PD “Shqipëria fiton”, programi qeverisës pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit.

“Ju falënderoj për mikpritjen, – tha Basha. – javën e kaluar kemi bërë një takim me Unionin e Prodhuesve Shqiptarë dhe ditën e djeshme kemi shpalosur një pjesë të planit tonë që ka të bëjë me klimën e biznesit, ku pjesë shumë e rëndësishme është lufta kundër korrupsionit.

Plani ynë ekonomik që është shpalosur prej më shumë se katër javësh ka qenë transparencë dhe proces i një dialogu të përhershëm me të gjitha palët e interesuara, duke nisur me familjet shqiptare që janë në qendër të këtij programi, me biznesin e vogël dhe të vetëm që është shtylla kryesore e këtij programi, me biznesin e madh në veçanti prodhuesit që janë motori i këtij zhvillimi e po kështu me fermerët, studentët e pedagogët.

Sot ndodhemi në një moment krize të thellë ekonomike. Pa diskutim që pandemia ka dhënë efektet e saj, por kjo krizë ka nisur para pandemisë dhe është rezultat i mungesës totale të çdo mbështetjeje apo politikë mbështetëse nga kjo qeveri ndaj biznesit nga njera anë dhe nga ana tjetër i një sërë politikash shtrënguese dhe të gabuara nga ana tjetër që kanë sjellë rënie të prodhimit, rënie të punësimit.

Për të mos folur pastaj si është administruar apo keqmenaxhuar pandemia. Në kuptimin shëndetësor është një katastrofë totale. Në këtë moment që flasim, Tirana, e gjithë Shqipëria është kthyer në një spital të madh ku njerëzit po mundohen të kurohen nëpër shtëpi, se spitalet janë plot, ku kujdesi shëndetësor po paguhet nga xhepat e njerëzve.

Sot kishte dalë një studim i hollësishëm se sa po rëndohent xhepat e shqiptarëve për shkak të kostos së pandemisë dhe e gjithë kjo sepse qeveria dështoi t’ia vinte veshin planit që ne i vumë në tavolinë që në shtator për t’i dalë para kësaj të keqeje.”

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.