Standard.al

Strategjia enveriste që ndjek me përpikmëri Edi Rama

0

EDITORIAL/ Gëzim SALIU

Kush ka jetuar nën regjimin e tmershëm të Enver Hoxhës njeh mjaft mirë një nga strategjitë më të përdorura nga diktatori sa herë në vend kishte probleme të theksuara apo kur krijoheshin konflikte me aleatët lindorë të Shqipërisë. Gjithnjë diktatori funksiononte me sistemin e “armikut të brendshëm” dhe “armikut të jashtëm”. “Armiku” propogandohej në popull si penguesi kryesor i zhvillimit, si njeriu që solli problemin, si individi që shkaktoi situatën e rëndë. Kjo strategji tipike e regjimeve diktatoriale bënte të mundur që populli të mbushej me frymën e propagandës së “armikut”, gjë e cila çlironte partinë në pushtet nga çdo përgjegjësi për situatën në të cilën ndodhej vendi.

Ishim vendi më i varfër në të gjithë Evropën e më gjerë, por për këtë arsye deri kur diktatori ndërroi jetë, partia e punës nuk mbajti asnjëherë përgjegjësi. Ishte gjithmonë faji i armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të cilët paraqiteshin në popull si njerëzit që nuk i donin të mirën vendit. Padyshim në atë kohë një armë më vete ishte dhuna, kampet e përqëndrimit, sigurimsat etj që në tërësi krijuan shtetin totalita,r nga i cili vendi mbeti i ‘pushtuar’ prej 45 vitesh.

E megjithatë strategjia më efikase e këtij shteti totalitar ishte ajo e ‘armikut’ që gjendej në të gjitha rastet që pushteti ishte në vështirësi. E njëjta strategji, edhe pse 30 vite më pas, ndiqet me përpikmëri nga kryeministri Rama. Për të mos marrë qindra shembuj të dështimeve të këtyre 8 viteve pushtet, mjafton përmendja në këtë shkrim e situatës me pandeminë.

Një dështim absolut në të gjitha kahët, por në asnjë moment qeveria dhe Komiteti i Ekspertëve nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për situatën. Dështuan me strategjinë që në vitin e kaluar dhe shumë më tepër këtë dimër, kur vendi po kalon valën e dytë të pandemisë. Shifrat ekstreme të të prekurve dhe të vdekjeve në raport me numrin e banorëve janë alarmante. Por kryeminstri edhe në këtë rast ka gjetur ‘armikun e brendshëm’. Ai është Presidenti i vendit, i cili që nga marsi i 2020-ës e deri më sot nuk  është ndalur asnjëherë në këshillimet për situatën e pandemisë, duke ngritur edhe zërin në rastet kur qeveria ka dështuar haptazi.

Në rastin e dështimit me pandeminë, kryeministri padyshim nuk mund të fajësojë koncensionarët që janë ngopur me para shtetërore. Nuk mund të fajësojë as ministren që e ka emëruar vetë e aq më tepër Komitetin e Ekspertëve, që merr direktivat për çdo vendimmarrje nga vetë qeveria. Prandaj Rama ka vënë në zbatim strategjinë enveriste të ‘armikut të brendshëm’, duke targetuar Presidentin vetëm pse ky i fundit po kërkon llogari për siuatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit.

Në target kanë qenë edhe opozita dhe përfaqësuesit e saj, të cilët sipas Ramës po shkelnin rregullat e pandemisë dhe po përhapnin me dashje virusin. Një deklaratë sa qesharake aq edhe për të ardhur keq për nivelin e kryeministrit të vendit. Vetëm të marrësh në analizë takimet që zhvillojnë përfaqësuesit e PS-së në vetëm muajin e fundit, do të vëresh se në 90 % të tyre nuk po zbatohet asnjë rregull i pandemisë, takime pa maskë dhe me pjesëmarrjen e më shumë se 10 perosnave në ambient të brendshëm. Por për partinë nuk ka zbatim ligji, vetëm për opozitën kërkohet kjo gjë.

E ndërsa u mor me opozitën, tani hallin e ka me Presidentin, i cili si në çdo rast të detyrës së tij në këto 4 vite , po mbron interesin e qytetarëve duke vënë në zbatim të gjitha parashikimet që Kushtetuta i ngarkon kreut të shtetit. Është pikërisht Presidenti ai që duhej të kërkojë llogari kur qeveria nuk mbron interesin e qytetarëve, kur ajo i lë ato të vdesin në dyert e spitaleve apo kur i trajton sic ndodhi në rastin e skandalit me spitalin Shefqet Ndroqi. Por deklaratat e Presidentit i prishin punë kryeministrit, aq më tepër para fushatës elektorale.

Demaskimi i masakrës shëndetësore që po ndodh në vend, përbën një plagë të rëndë të Rilindjes, e cila sa herë pickohet , detyron Ramën të shpikë ‘armikun e radhës të brendshëm’.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.