Standard.al

Edi Ramën sikur ta ketë pikturuar djalli

0

nga Violeta Murati

Ka habitur të gjithë poetja Mimoza Ahmeti, që ushtron edhe pikturën, duke publikuar një portret tronditës të Edi Ramës. Një ballinë cerebrale e Ramës pikturuar nga Ahmeti, ku vështirë të dallohen kufinjtë gjinore, ku erosi dhe ankthi, një lloj gjakimi epik dhe nuditeti racional krijojnë atë, të cilin piktorja e ka lënë si titull: “I fundmi i ciklit të kreshnikëve”.

Ose Rama në trans. Në këtë hapësirë ku është hedhur Ahmeti dhe, “luan” me një vizion të pakapshëm, qartësisht dashuror, të pangjashëm ajo klith, me zë të lashtë, heroike, me sublimitet, lartësim e njëkohësisht frikë të paarritshme për ta zotëruar.

Ahmeti na jep indiciet e para, e të vetme, duke treguar në postimin e saj se piktura i përket vitit 1997, në vaj, me përmasa 2 metër katror, dhe nuk dihet se me ç’qëllim, apo me ç’dëshirë ja ka kaluar kopjen origjinale publicistit, Fatos Lubonja, të konservuar tashmë në koleksionin e tij në Firence, ku ndan jetën prej vitesh.

“Edi Rama, 1997, oil. Titulli “I fundmi i ciklit te kreshnikeve” vaj. Permasat rreth 2 m katror.

Kopja origjinale në Firence në koleksionin e pikturave të mia që ka Fatos Lubonja.”- shkruan Ahmeti.

Pse piktura ka konceptin nga “cikli i kreshnikëve”?! Ne, po bëjmë një persiatje, në disa kontekste. Referuar eposit siç njihet në traditën popullore shqiptare, duket se Ahmeti ka dashur t’i japë “mashkullit të saj” frymën heroike,  pas çlirimit të ankthshëm. Jo shumë kohë më pas Rama u bë ministër kulture, dhe ndoshta më ’97 mund të jetë artikuluar mes tyre mbi ambicjet e ardhme, për t’u kthyer në Shqipëri, me qëllime politike, për një karrierë politike duke nisur së pari, si ministër kulture. Të gjithë e dimë se si Fatos Nano e katapultoi Edi Ramen, nga jeta e zakonte ne Paris, në krye të kulturës ne Shqiperi. Duke u ndalur në këtë rast politik, kujtojmë po ashtu se në vitin 1998 ka një hendek midis “zanës” dhe “kreshnikut”. Edi Rama nuk pritet mirë në Shqipëri si ministër kulture duke krijuar një precedent historik, ku për herë të parë komuniteti artistik ngrihet në protestë, hyn në grevë urie duke kundërshtuar ligjet dhe vendimet e Ramës, që sot i shohim të realizuar: shembjen e Teatrit, dhe shkërmoqjen e komunitetit artistik. Përdorimi i kultit të artistit tregoi se politika e kalb në rrënjë. Po, Ahmeti nuk mund ta ndjente këtë më ’97, kur ajo kërkon një lloj “hakmarrje” pas kalimit të flirtit dashuror. Në spjegimin e më vonshëm, arsyetojmë edhe pse më ’98 kemi ndarjen e madhe mes “atyre të dyve”, poetja bëhet një zë i fortë kundërshtues. Një vit më pas kandidon për deputete, në listat e PD-së, por humbet. Rama ngjitet, bëhet më i papërballueshëm një lloj “mujo”, por tani pa ëndërrimet e Ahmetit, snobizmin e saj. Ja ku jemi në kulmin e Ramës në një arenë më jashtë kufinjve, ku Ahmeti zbulon një histori të pazakontë, me shumë shenja, me ngarkesë historike, me ngarkesë nostalgjie, dhe po aq të pamundur për ta shkatërruar apo për t’i dhënë piedestal. Rama sot është pothuaj i rrënuar  politikisht!

Por ky brum historik që kërkon Ahmeti të përcjellë, me titullin e përcaktuar, ka të ngjarë që të parakrijojë një frymë “shpëtimi” apo “heroizmi” të Ramës, ngjizur në këtë portret si strukturë e mikrostrukturë të tij.

Vetëm se këtu “heroizmin” nuk e shohim si diçka të jashtme, kur ende pra nuk ishin kristalizuar, a bërë me dije projektet e së ardhmes, së paku publikisht. Për Ahmetin kjo duhet të jetë si një mjet për të tërhequr simpatinë e tij. Pra, një lloj heroizmi siç e ka tradita popullore e kreshnikëve krejt spontan, geniun, të brendshëm, që buron nga domosdoshmëria e rezistencës dhe e përballimit të rreziqeve dhe vështirësive.

Nga ky historiocizëm epika e portretit del si mënyrë mendimi, në përpjekje për të vënë në qendër gjithë vlerat që në këtë rast nuk do thonim trimërinë, por Ahmetin shohim që ndjek vetmohimin, një trajtesë e heroizmit si një kult, model.

Ajo kërkon t’i japë një lloj jetëgjatësi përmes integriteit me një llogjikë artistike, dhe sens kohor të caktuar. Ashtu si vargjet e poemave që përbëjnë eposin, ku zbërthehen ide nga më të larmishme, më fantastiket, më tërheqëset më madhoret edhe Ahmeti me këtë pikturë duket se do të krijojë të njëjtën ngjashmëri, gati marramendëse; ajo mund të jetë një “zanë” që i afrohet “kreshnikut” që e ka të dukshëm shqetësimin mbi portretin tronditës së Ramës, pothuajse si një kushtrim rrënqethës, pamje e egër, endje si në ankth e dy trupave në një, ose si gruaja që kërkon burrin e plagosur me anën e njollave të gjakut; – herë na vjen si një vajtim, mallkim me përmasa të përbindshme – shkurt një natyrë e ethshme, që vazhdon mbi këtë marrëdhënie me vite e vite, që përbën dhe materien e atij titulli të caktuar…si konstitucion etno-psikologjik. Edi Rama në këtë portret të pazakontë është sikur ta ketë pikturuar djalli.

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.