Standard.al

Dashuria e Mid’hat Frashërit/ Të panjohura letrat me intelektualen rumune, 24 vjet dokumentim

0

Historiani Uran Butka vë në dispozicion 60 rrëfime të panjohura letrare, të zbuluara në arkivat shqiptare dhe evropiane të mendimtarit, e politikanit, Mid’hat Frashërit. Është Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo” që boton po ashtu edhe disa letra dashurie të Frashërit dhe të dashurave të tij, që përbëjnë një kulm të letërsisë epistolare erotike. “Dashuria e Mid’hat Frashërit është shpuzë e amshuar, e mbuluar me hirin e jetës. Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupëlgacat, që vagëlloj nën një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale. Ai e ka provuar me pasion më tepër se njëherë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme të patjetërsueshme njerëzore, atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr, si shend e vuajtje, si poezi e si dramë, si forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën.”- shënon Butka. Qysh në tregimin e tij të parë “Përpara shegës me lule”, shkruar më 1898, kuri shte 18 vjeç, shihet prirja e tij për një letërsi ekzistencialiste, duke u shfaqur si një pararendës i letërsisë moderne evropiane, mandej me prozat poetike si një nga themeluesit e prozës së shkurtër artistike, si një poet i dashurisë dhe i paqes. Dhe më në fund,si një filozof i dashurisë.  “Dashuria , shkruan Frashëri, është kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhka në mes të gjymtyrë vetë njeriut, familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka enthuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër. Enthuziazmi dhe shpesa, bijat e dashurisë së sinqertë dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilë mëngjesi, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën , por hapen nën rrezet e para të diellit”. Kështu e ndien dhe e jep Mid’hati dashurinë e tij.

“Edhe në letrat e të dashurave të tij, shpaloset dashuria e tyre e jashtëzakonshme për të, por edhe per vlerat e tij. Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Midhatit zgjasin e dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe Princeshës Hanska, por edhe me një pathos të papërshkruar. Po ashtu letrat e për Ninon, Emën, Elsën, Lolottën, të dashurat e tij të përjetshme, letra të pabotuara më pare”, na vë në dijeni Butka.

 

Stamboll, 1898-1899

PËRPARA SHEGËS ME LULE

Nga Këzëll-Topraku në Eren-Qoj shkonja shpesh dhe kurdoherë kthehesha më këmbë. Ajo orë ecjeje, që në dekor i njihja çdo çip, çdo pikë, ishte për mua një zbavitje me një pëlqim të madh.

Vetëm sot jam i pikëlluar, pakëz si më tepër se herët e tjera. Tek Murati  kisha qenë prapë dëshmitar i mihjes, i thirrjeve të ashpra me fjalë të vrazhdëta. Asija 1 , kushërira ime më e madhe, buçiti në një shtrëngatë qortimi e sharjesh kundër Muratit, duke e gjetur këtë, tek e shikoja, si një detar brenda në limer të qetë, po edhe jo pa një frikë, të përzier me atë dëshpërim që na jep pamja e një sëmundjeje fizike.

Pa arritur në Fenerjoll, në të djathtë, shega me lulet e kuqe, që zbukuronte shtëpinë, qoshkun e drunjtë dhe të gjitha foletë e njerëzve, shega, them, më çeli sytë si një mikeshë e njohur dhe nuk munda t’i shkonja përpara pa e përshëndetur. A duhet edhe të them që ishte vjeshtë, koha afër të ngrysurit? Qarkrrethina mbarë, që më shtoi pikëllimin, duke mejtuar skenën që kisha kapërcyer qëparthi, nga një shkallë te tjetra shtigjeve të mejtimit, u gjenda përpara zemrës sime, ballë për ballë me veten time.  Ndjenja e mëshirës për Asijen, që e shihja kurdoherë në përleshje fjalësh, herë me të shoqin, herë me t’ëmën, e kësaj Asije, që me gjithë të metat e saj më ishte aq e dashur, më bëri të më vijë keq për të, të kuptoj se mungesa e butësisë së zemrës, e lidhkave të afeksionit, është padyshim fatkeqësia më e rëndë për njeriun. Edhe befas një re e zezë më shkoi në qiellin tim: a nuk gjendem edhe unë në një zbrazëti, pa mbështetje dhe dhembshuri, pa qëllim, pa një ngrohtësi, ku të zbutet akulli i jetës.

Ky mendim më solli një hidhërim, se më gjente vetëm, të dobët dhe pa fuqi, përpara këtij labirinti, atij kaosi që i themi Uni. Edhe Uni me trembte, më dukej një gjë e thellë dhe e zezë, si nëndhesat e shtëpive të mëdha, kur isha i vogël.

Kisha kapërcyer stacionin e Fenerjollit, shtëpitë e fundit të kësaj mëhalle, dhe kisha marrë shtegun drejt skajit të Gjoztepes. Isha në atë lëndinë të madhe si një bjeshkë, që zbret me ngadalë dhe butë drejt Marmarasë në një horizont të gjerë dhe të shkëlqyeshëm. Kur, përnjëherë, një qetësi, një ngushëllim zbret në të thellët e Unit. Fytyra e Mimikës, e kësaj motre të njomë më ishte shfaqur, për të më thënë që kisha në zemër një dashuri të vërtetë për këto krijesa, jo sot, por qëkurse fati m’i kishte dhënë për shoqe në jetë. Edhe kjo fytyrë me ato ide ndriçuan korridoret e labirintit si një rreze në atë kaos. Tani shihnja, kisha fuqi dhe gëzim.

Shkruar herën e parë më 1898-1899 në Eren-Qoj (Shënim i autorit)

***

Vjeshtë, 1905

ASAJ

I

Si kombet me vetija e me mendime të thjeshtë, q’i falen një fytyre gdhendur në gur a në dru; si kombet më të qytetëruara, që rrinë me orë dhe luten përpara një fytyre bërë me ngjyrë vaji a dy copëra drurë të bashkuar; si ata kombe që marrin me muaj udhë që të venë e t’i falen gurit të zi; si ata të moçmit, q’i falen diellit, zjarrit, shikonin me adhurim të thellë yjtë dhe bëheshin therorë për perëndit’e për perëndeshat, a si ata që dhe sot shtrihen e shtypen nën qere të Budës; ashtu dhe unë, o e bukura ime, dua t’u falem dy yjeve që janë më të bukur se të gjith yjt’e qiellit, dy yjve që janë syt’e shkruar të tu dhe të bëhem hi, o e dashuria ime, nën këmbët tënde vogëloshe!

II

Prill, 1906

N’është vërtet se zemra jote s’rreh kurrë për mua – ashtu si ke dashur të më duash, – në është vërtet se fytyra ime nuk zë asnjë vend në ëndërrimet e tua, pse, o e bukura ime, kur më sheh, ngadalëson çapnë, pse më lëshon vështrimn’ e atij syri tënd të shkruar?

Nuk e di ti si më buçet dhe më zjen gjaknë ay vështrimi yt kaq i qetë dhe i ftohtë? Nuk e di ti si më çpon zemrën ay vështrimi ngjyrë qielli?

Vështrimi yt është si një shtizë në dorë të një djali që lot me një zog; vuajtjet e shpesit i heq dhe zemëra ime. Të lutem pusho, pushoje këtë lodër të gjakme!

Po ç’them unë! shtjermë, shtjermë syt’ e tu, se vështrimi yt, o e bukura ime, m’i thjeshtë se frymë e Jehovajt, i jep gjëllim shpirtit tim.

III

Shënëndre, 1906

Pse ikën ashtu nga unë? nuk e di ti që dashuria është me krahë dhe m’e shpejtë se vrapi yt?

Dashuria ime të është qepur si hija. Kudo që të vesh, të ka për të rënë pas; kudo që të jesh, do të të dalë përpara, dhe kur të na ndajë një mërgim i madh, hija ime prapë të ka për të ardhur pranë.

Malet, fushat, as njerëzit s’na kanë për të ndarë, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd, se trupi im të ka për të kërkuar gjithnjë. Edhe vdekja kur të më marrë nga kjo botë, edhe ahere hija ime – e dashura e tmerruar – ka për t’ardhur të të gjejë në të mugëtit e në t’errët.

Edhe kur për ty – ah, dua që të jetë shumë e largme – do vij’ ora që të shuhen ata sy q’i dua kaq, dhe të bëhet hi ay trup i bukur, edhe ahere, o zemërkeqe, mos pandeh se do të shpëtosh nga ndjekja ime; shpirti im të ka për t’ardhur gjer në varr, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd dhe trupi im ka për të të kërkuar gjithnjë; ahere, brenda në varr t’errët e të ftohtë, eshtrat do të të dridhen, se në dashuri do të jem gjithnjë besnik!

IV

1908

Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është e përjetshme dashuria ime.

Ahere syt’ e tu, ata sy të zez q’i dua kaq, marrin një shkëlqim, një vështrim të ri, edhe buza jote ka një të qeshur të hidhur.

Pse, o e dashura ime, pse lë të hyjnë të tillë mendime të hidhur n’atë kokë të bukur?

Nuk’ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ është e vdirshme? Nuk e di ti që çdo gjë mbi këtë dhé ka një fund? Prapsi, prapsi, këto mendime. Mos i përsërit këto pyetje.

Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të thellë; sot të dua sa për një jetë të tërë. Mos prish gaz’ e sotmë, duke menduar të nesërmen e errët.

Mos më pyet më sa ësht’ e thellë dhe sa ësht’ e përjetshme dashuria ime!

V

Gusht 1909

Më pyete pse të dua dhe unë qesha.

Qesha, ama tani po mendohem dhe them: Pse të dua?

Të dua për atë të qeshur të bukur, kur të shkëlqen syr’ i kthjelltë nën ballë të qëruar; të dua për ato leshra ku është pështjellë gjithë thellësi e natës, dhe për atë vështrim ku këndohet gjithë gaz’ i ditës, për atë vështrim q’është si një yll i lumturisë; të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zemrën time gjithë zërat e fshehtë të shpirtit; të dua se pranë teje, e ndiej veten time të madh dhe të fortë, se në dashurinë tënde shoh zbardhëllimin e jetës.

Po të dua se, tekdo, me gëzim të fatbardhësisë, a në t’errët të helmit, se në qeshje të mëngjesit, në tym të të mugëtit, se në ngjyrë të lules a në përkëdhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh; të dua se edhe kur zbres në thellësi të shpirtit dhe në fund të zemrës, edhe atje thellë të gjej.

** *

Eren-Qoj, 5 mars 1912

EJA MOTËR

Eja motër, të dalim në kopësht, se erdhën kohët e mira! Nuk e sheh që marsi na pru ditët e bukura? A po sheh se qysh qielli duket m’i ëmbël, deti m’i vakur dhe malet atje larg, a i sheh se qysh kanë një ngjyrë më të dashur dhe duken më t’afërt?

Eja motër, se qershitë janë plot lule! I mban mend këto lule, kur i tërë kopshti mvishej me të bardhë? Shkuan dhjetë vjet q’ahere! E mban mend, kur hipnje në drurët dhe qeshnje me mua, kur s’të gjenja dot? Se ishe dhe ti e bardhë si dëbora veshur dhe nuk shquanje nga lulet.

Eja motër, të shohim qershitë! Vërtet këta më s’janë ata drurë; ata u thanë dhe humbën. Po lulet janë gjithnjë ato lule!

** *

5/19 vjesht’ e parë

AH, PO BIE SHI PRAPË !

Eja, mike, se po bie shi!

Më duket sikur po qan qielli, sikur po derdh lotë të hollë. Edhe zemra ime sot po qan. Jam vetëm; lotët e qiellit rrjedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtë brenda në zemër.

E mban mend, mike, kur ishim bashkë sa shum’ e donim shiun? E mban mend gazin që ndjenim afër dritares, kur binin pikat e mëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.

Ahere, kur bota mbytej me lotë, ne ishim të gëzuar; ahere, kur bota mbulohej me ujë të ftohtë, ne kishim të nxehtë në zemër.

Po tani, nga kjo gjysm’ odë shikoj pikat, që po kullojnë dhe po mërdhi.

** *

4/ 17 vjesht’ e tretë

AFRËDITA E MILO-s

Fidia më s’pat prehje. Gjumi më s’ia çlodhi sytë. Ngrënies më nuk i gjeti shije. Një ethe çdo ditë i digjte dejtë.

Përpara shkëmbit të mermerit si shkumb’ e bardhë, Fidia po punon dhe po mejtohet. Muskujt e tij po i xhonglohen nën çekanin e rëndë, një djersë ethesh po i kullon nga ballët, një zjarr po i ndriton sytë.

Edhe më s’pat prehje. Çdo ditë nga shkëmbi po dilte një formë e re. Punoi, punoi, akoma, me zjarrin e shenjtë. Kërkonte bukurinë, gjithnjë të ëndërruar, kurrë të parë.

Kur u mbarua vepra, Fidia e shikoi me syt’ e nxehtë, me ata sy që s’ishin lodhur kurrë. E shikoi akoma, edhe një herë dhe i mbylli sytë, se guri i ftohtë iu duk i gjallë, me një shpirt, me një frymë, që s’i kish pandehur.

I lumtur Fidia, m’i lumtur se Hyji!

Se mendja jote polli bukurinë e pavdekur, gruan, gjithnjë të dëshiruar, kurrë të gjetur.

** *

25 prill 1915

DON ZHUANI

Don Zhuani po e mbaronte jetën. Kishte dashur akoma të ndjente gazet e miqësisë, dehjet e dashurisë, të kishte ende një kujtim prej jetës së tij edhe gjer në varr.

E tërë një jetë e gjatë e përmbledhur në një fjalë: dashuri. Kishte dashuruar dhe ishte dashuruar. Sa gra kishin psherëtitur për të, sa gjire çupash kishin rrahur!

Pa iu shuar ata sy, desh të hidhte një vështrim mbi gjithë fytyrat e dashura: bionde, brune, sy të zinj si nata e thellë, sy të kaltër si qielli me diell;u përpoq të ndjente përkëdheljen e frymës së tyre, drithërimën e trupit të tyre. “Në dehjen time kam pandehur se të gjitha gratë do të jenë të mijat. Kam dëshiruar, që gjithë gratë të mblidhen në një, ose që që dashuria ime të shfaqet nën një numër të pafund”.

Dëgjoni miq, kam qenë i lumtur dhe po vdes i lumtur. Nuk kam keqardhje për jetën e shkuar, se s’më mbeti e zbrazur.

Edhe disa minuta do të shihte spektret e fytyrave të adhuruara.

Pastaj një natë e thellë, një re e zezë,një kurrgjë…

Ahere Don Zhuani u ngrit mbi shtrat si një statujë mermeri përnjëherë e ngjallur, që zgjohet mbi themelin e tij. Të zbehtit e mortjes i ishte përzier me pikëllimet e iluzioneve gjysmë të shuara.

***

N’ODË TË ASAF MUHAMERIT

Edhe një herë një dëshpërim më zë shpirtin, një pikëllim më pushton me pluhurin e zi të tij.

Them: pse kjo rrojtja ime, për ç’qëllim ky mundim i jetës? Kjo lodhje e udhës pse po zvarritet?

Ah, kur një hije e zezë e ndalon njeriun të shohë një bukuri në udhë; kur sytë kërkojnë një ideal, një gjë të bukur, të mirë dhe të madhe; kur çdo gjë, në turbullim të dëshpërimit i duket e kotë dhe e zbehtë, ahere jeta është një barrë, që shtyp shpirtin dhe fik mendjen.

Edhe kërkoj një shpëtim nga këto veriga të rënda.

***

Në Skelë, Guirgevo, 3 gusht 1915

BARIU

Bariu i ri, i hijshëm, si një lis i ri në mal të egër, me gjethe të njoma të blerta në të çelur e të aromta,po kullot bagëtinë. Është i lumtur se punët i kanë vajtur mbarë; shqerrat s’i janë sëmurur dhe delet e tij e japin qumështin me shtambë.

Mbështetur në një bredh të ri, në shullë të butë, po shikon kopenë e tij i shtrirë; është i lumtur djaloshi, se rudet dhe kaleshet janë të mbara. Edhe po i bie fyellit.

Bari, bjeri fyellit! Nuk e sheh si është moti i përtëritjeve, nuk sheh që veriu po fryn i butë dhe i ëmbël, një frymë miqësore, plot dashuri dhe miqësi?

Bjeri, bari, fyellit! Bari i thatë u ngjall, luleve po u qajnë sytë, fluturat po ndjejnë, zogjtë kërkojnë të vegjëlit e tyre, këngët janë plot mallëngjim; veriu i ëmbël po i përkëdhel:

Është dashuria që ngjall të vdekurin, që u jep krahë qenieve, që u jep këngë zogjve.

Bari i ri dhe i lumtur, edhe ti ke dashuri në zemër. Është kohë përtëritjeje dhe gjallimi. Bjeri fyellit, jepi më fort shpirt asaj kallameje, që po e bën të rënkojë e të qajë.

Ah, bari, kur të vijë dimri me thëllimet e tij,kur të fryjë murlani i egër, shpirti dhe dashuria në çdo gjë të ngrijë, ahere dhe fyelli do të jetë i shurdhët ; ahere edhe drutë, fluturat, zogjtë, edhe lulet do të jenë pa shpirt e të vdekura!

***

6 nëntor 1915

DASHURIA JE TI VETË, O GRUA!

Ngreu, mik! Nuk e sheh q’është koha e gjerimeve dhe e shpresës? Shiko jetën, shikoje në sy, mos u tremb. E sheh sa e butë dhe e mirë q’është? Të dukej e egër dhe e shëmtuar, ahere kur kishe frikë. Shikoje jetën dhe duaje.

Oh, kjo frymë që më jep shpirt, kjo dritë që më ngjall! Dëgjo mik, nuk shoh më gjë të shëmtuar, çdo vend po më duket e qeshur.

Eja, shpresë, bëmë shok. I mbështetur tek ty, dua të eci mbi det, mbi këtë dhe’, që nuk më dëbojnë më.

Një mik, duke vdekur, më la këtë kartë:

“Po vdes, edhe pak mend do të gëzoj dritën; po e shoh që t’errëtit e natës po më qaset. Më duket se rronja për dashurinë. S’doja gjë tjetër në jetë, po të dashuroj dhe të më dashurojnë, t’adhuroj dhe të m’adhurojnë. Zemra në kraharorin tim s’ishte për mua, po për dashurinë time. Zemra, fryma, shpirti, sytë, doja të gjitha të ishin për gruan e dashur”.

Dashuria është lumturia për mua. Pse lindja, pse rrojtja, pse vuajtja, nuk vlejnë, kur nuk kanë dashurinë? Mike, kjo është dashuria; është fryma e saj, që ka rënë mbi çdo gjë.

Edhe dashuria je ti vetë, o grua! Ai pylli i malit janë leshrat e tua; në qiell dhe në liqen shoh syt’ e tu; aromat e verës janë fryma jote dhe bukurinë ky mëngjes i adhurueshëm e merr nga buzëqeshja jote.

***

EJA, MIKE!

Eja, se janë ditë të bukura! O frymë e ëmbël e një mëngjesi vere! O lumturi!

Shiko, mike, sa i kthjellët e i dashur është qielli!E sheh këtë luadh kaq të qeshur? Atë liqen të qetë e të kulluar dhe këtë pyll të thellë, t’errët e të dendur?

Më vjen sikur po rroj për herën e parë. Ishin edhe dje, qenë dhe vjet këto bukuri?

Lermë të shkoj, të iki nga sytë dhe nga krahët e tu, se më duket janë hije, s’janë të vërtetë.

Po ç’them unë. Nëmi, nëmi ato buzë! Çeli ata krahë dhe shikomë brenda në sy! Dehmë! Dua që sot, nëse ka shpirt zemra, të të dua, të të dua kaq fort, sa kur të vijë dita dhe të bëhet hije kjo dashuri, ahere të adhuroj kujtimin tënd.

*

Calimanesti, 6 korrik 1916

VJERSHËTORIT

Në të vënçin mënjanë kurorën e florinjtë të një mbreti dhe m’anë tjetër një rreth hyjnor, mbaj këtë të fundit, o vjershëtor, dhe mos e këmbe me të parën.

Këndo me atë frymë që të është dhënë prej qielli, shih me ata sy që vështrojnë të fshehtat dhe rrëfejnë ato që të ndjen zemra jote.

I lumtur ai vjershëtor, që me fjalët dhe vështrimin e tij na çel një rrugë të re e të shkëlqyer; i lumtur ai që kupton gjithë vuajtjet e gëzimet e zemrës sonë!

*

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.