“Sheshi i Beratit po prishet për t’u bërë vendparkime”- Çela: Referendumi popullor do ta ndëshkojë me votë Rilindjen në 25 prill
Drejtuesi Politik i LSI në qarkun e Beratit, Ardit Çela nepermjet nje postimi ne Facebook ka denoncuar përmes publikimit të disa fotove prishjen e sheshit qendror në pedonalen e qytetit, që u inaugurua disa kohë më parë, për të bërë vendparkime.
Çela thotë se me këto miliarda të çuara dëm mund të restaurohen dhe të rikualifikoheshin lagjet e zonave muzeale, mund të lidhen fshatrat me akset automobilistike, duke kërkuar banorët e fshatrave dhe prodhimet bujqësore të dilnin në treg, apo edhe të ndërtoheshin qendra rinore e sportive.
Postimi i plotë:
E mbani mend inaugurimin përpara pak kohësh të sheshit qëndror në pedonalen e Beratit.
Miliarda lekë të harxhuara.
Rilindja vendos t’i hedhë në koshin e plehërave dhe me miliarda lekë të tjera vendos të prish pedonalen dhe të bëjë vendparkime.
Nuk po diskutojmë mbi projektet e reja, as mbi prapaskenat me vendimmarrjen dhe me projektin, sepse për to do flasim në të ardhmen. Por flasim për prioritetet e Rilindjes.
Me miliardat e shpërdoruara mund të restauroheshin dhe të rikualifikoheshin lagjet e zonës muzeale, Gorica, Kalaja dhe Mangalemi, duke i kthyer dinjitetin, duke mbështetur turizmin dhe duke ndihmuar familjet dhe biznesin beratas.
Me miliardat e shpërdoruara mund të lidheshin fshatrat me akset automobilistike, duke ndihmuar banorët e fshatrave dhe prodhimet bujqësore të dilnin në treg. Mund të bëhej rruga e Karkanjozit, e Drobonikut, Bilçës.
Me miliardat e shpërdoruara mund të ndërtoheshin ujësjellësat në fshatrat e Velabishtit, Otllakut, Sinjës e Rroshnikut.
Me miliardat e shpërdoruara mund të rregulloheshin lagjet e Beratit, ku zona informale e “30-Vjetorit” sot që flasim i ngjan Venecias.
Me miliardat e shpërdoruara mund të ndërtoheshin qendra rinore e sportive.
Por jo, Rilindja nuk e ka mendjen tek qytetari dhe tek familjet e thjeshta beratase.
Rilindja në Berat prej kohësh është e kapur nga interesa të tjera.
Më 25 Prill, referendumi popullor dhe lapsi i hollë beratas do ta ndëshkojë me votë Rilindjen dhe shpërdoruesit e saj.