Standard.al

Nga fermerët e mësuesit te mjekët e studentët, Haxhinasto zbulon prioritetet e programit të LSI: Plani për ndaljen e shpopullimit dhe papunësisë masive

0

Ish-ministri dhe ish-deputeti i LSI-së Edmond Haxhinast flet në një intervistë për gazetën “STANDARD” mbi programin elektoral të partisë ku bën pjesë, duke bërë publike prioritete kryesore të tij. Si një ndër anëtarët kryesorë të hartimit të programit, Haxhinasto bën me dije se LSI e ka përqëndruar programin e saj te ulja e barrës fiskale, Zonat e Lira Ekonomike si edhe mbështetja e prodhimit vendas. Por mbi të gjitha thekson Haxhinasto, në krye qëndron arsimi cilësor i cili është zgjidhaj e shumë prej poblemeve që po kalon sot vendi, ndër to edhe shpopullimi. Si ish-ministër i Jashtëm, Haxhinasto komenton edhe zgjerimin e Greqisë me 12 milje në detin Jon, ndërsa thekson se qeveria shqiptare në këtë  çështje tregoi mungesë transparence dhe arrogancë.

 

 

Greqia votoi në Parlament shtrirjen me 12 milje në detin Jon, ndërsa kyeministri grek tha se ky vendim do ti sjellë vendi të tij dyfishim të ujërave territorialë. Cili është qëndrimi juaj mbi këtë vendim të palës greke dhe si e shihni sjelljen e qeverisë shqiptare ndaj kësaj çështjeje?

 

Është e nevojshme t’i ndajme çështjet nga njëra tjetra: e para, e drejta e Greqisë për të shtrirë ujërat territorial në 12 milje, dhe e dyta, nëse kjo ka efekt në përcaktimin e kufirit detare mes dy vendeve. Për të paren, mendoj se çdo vend, bazuar në legjislacionin ndërkombëtar, ka të drejtë të përcaktojë shtrirjen e ujërave territoriale. Ndërsa përsa i përket efekteve në përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve, mendoj se legjislacioni ndërkombëtar është i qartë edhe për këtë: nuk mund të aplikosh një distancë të tillë kur nuk e lejon gjeografia. Ndërsa qeveria shqiptare, në vend të vepronte me transparencë për këtë çështje, preferoi arrogancën, ambiguitetin, disa herë edhe trajtimin me ngjyrat e një “thrilleri”, duke e ngarkuar në mënyrë artificiale ndjeshmërinë publike, gjë që lëkundet midis paaftësisë për të sqaruar opinionin dhe strategjisë për të përfituar politikisht. Për këtë çështje, për ndjekjen e saj te mëtejshme ne Gjykaten e Hagës, por edhe per çështje te tjera të rëndësise kombëtare, jam shprehur se duhet transparencë, perqasje bi-partizane, dhe angazhim i gjithë institucioneve të shtetit, duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën.

 

 

Dy ndër krizat më të mëdha që ka kaluar vendi ynë përgjatë këtyre viteve janë padyshim tërmeti i 26 nëntorit  2019 dhe pandemia e koronavirusit në 2020-ën. Si e gjykoni strategjinë e menaxhimit të këtyre krizave nga qeveria?

 

Këto dy kriza kanë të veçantat e tyre por edhe të përbashkëtat: shteti ynë nuk e kishte përgatitjen dhe kapacitetet as për të reaguar ndaj pasojave të tërmetit të përmasave të 26 nëntorit, as për pandeminë. Nuk po them që mund të ndalohej tërmeti apo pandemia. Por që paisja dhe trajnimi i forcave të emergjencës civile, ekipeve dhe mjeteve të shpëtimit, dhe shumë aspekte të tjerë organizative e manaxheriale pas tërmetit, ishin në nivele të turpshme krahasuar edhe me ato të vendeve fqinje dhe partnerëve që erdhën për të na ndihmuar. Ndërsa pandemia nxorri në pah defekte të rënda të sistemit tonë shëndetësor, si mungesën e hallkës themelore të Mjekut të Familjes, të mungesës së kapaciteteve diagnostikuese publike, apo edhe kapaciteteve të spitalore. Ndërkohë, që në mënyrë disproporcionale, mjekët dhe gjithë personeli mjekësor tregoi kapacitete shërbimi shumë më të larta se pritet prej tyre duke patur parasysh infrastrukturën në dispozicion. Ndërsa përsa i përket menaxhimit të tyre nga qeveria, u dalluan të njëjtat simptoma: mungesë transparencë për perfitime abuzive dhe për të fshehur paaftësinë dhe mungesën e përgatitjes. Procesi i rindërtimit është shumë i ngadaltë dhe aspak transparent. Ndërkohë që pandemia në asnjë rast nuk pati shenja se po vihej në kontroll. Edhe mungesa e transparencës për vaksinat, nuk ndryshon asgjë nga stili që ka zgjedhur kjo mazhorancë: të kujdesemi për fasadën, të mbulojmë me çdo kusht atë çka fshihet pas saj.

 

 

 

Një raport i “Eurostat”, e rënditi Shqipërinë në vendin e gjashtë në botë për emigracionin masiv pasi janë dhënë deri në fund të vitit 2019 rreth 868 mijë leje qëndrimi. Ndërkohë vendi ynë renditet i pari në botë për lejet e qëndrimit, në raport me popullsinë e saj. Si e komentoni fenomenin e emigracioni dhe cilat sipas jush kanë qenë shkaqet kryesore të tij?

 

Fenomeni i shpopullimit tashmë është një emergjencë kombëtare. Shkaqet janë të shumta, duke filluar që nga ato politiko-sociale si zhgënjimi, mungesa e besimit se gjërat mund të përmirësohen, keq-qeverisja, tek ato me natyre ekonomike si papunësia apo gjendja ekonomike në përgjithesi. Pasojat e këtij emigracioni masiv janë shumë të rënda për shtetin, vitalitetin demografik të vendit, për ekonominë dhe tregun e punës, per familjen dhe shoqërinë në tërësi.

Fakt është që po largohen profesionistë të përgatitur në shkollat tona: mjeke, infermiere, inxhiniere, etj për përgatitjen e cilëve shoqëria jone ka investuar, dhe tani nuk mund të marrë shërbimet e tyre. Për të ndalur një fenomen të tillë në përmasa të jashtëzakonshme, duhen përdorur masa të jashtëzakonshme. Dhe si me çdo çështje që duhet zgjidhur, në fillim duhet ta pranosh që ajo ekziston, gjë që mazhoranca aktuale vazhdon të mos e bëjë, duke u fshehur pas faktit, apo sic thotë populli, duke u fshehur pas gishtit. Mendoj se problemi duhet trajtuar njëkohësisht në të gjithë aspektet e tij, si psiko-social, politik dhe ekonomik. Mungesa e besimit tek politika mund të trajtohet vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe punësimi duhet të jetë realisht thelbi i gjithë politikave ekonomike, jo retorika e fasadës së bukur që ofron qeveria. Po kështu, nxitja e lindshmërisë tek çiftet e reja, duhet të bëhet me programe më të efektshme, përpara se të jetë shumë vonë.

 

 

Ndërkaq një problem më vete për financat e vendit duken edhe arbitrazhet e humbura në gjykatën ndërkombëtare nga Shqipëria. Pas cështjes Becheti, ku pasuritë e Shqipërisë kanë nisur të sekuestrohen në shtetet fqinjë, Shqipëria ka humbur gjyqin edhe me komaninë greke për rrugën Tiranë-Elbasan. Cili është komenti juaj mbi këtë çështje?

 

Mendoj se për këto çështje por edhe për shumë të tjera duhet hetim i plotë, i paanshëm dhe profesional nga institucionet e reja të drejtësisë, ku të dalë përgjegjësia personale e gjithësecilit.

 

 

Ekonomia e vendit duket në vështirësi të mëdha, mjaft biznese të vogla e të mesme kanë shpallur falimentimin, ndërsa borxhi publik ka arritur shifra rekord. Pse erdhëm deri këtu sipas jush dhe cilat mendoni se mund të jenë rrugët afatshkrutra dhe afatmesme të daljes nga kjo krizë që ka prekur thellësisht vendin? A janë reflektuar këto në programin zgjedhor te LSI?

 

Situata e sotme është produkt i papërgjeshmërisë dhe keq-qeverisjes, i mungesës së vizionit abuzimit dhe pa-aftësisë. Politikat e gabuara si ekonomike, ashtu edhe fiskale, shkatërrimi i klimës së biznesit dhe korrupsioni dhe arroganca qeverisëse, abuzimi dhe keqpërdorimi i PPP-ve, klientelizmi dhe dështimi në politikat e punësimit, të rritjes së produktivitetit e konkurrueshmërisë, të rritjes së eksporteve të produkteve me vlerë të lartë, të shtrirjes se IT dhe inovacionit, janë disa nga shkaqet.  Rrugët për të ndryshuar këë situatë janë të vështira por jo të pamundura. Së pari, do të ulim barrën fiskale, që të zgjerohet baza tatimpaguese dhe të formalizohet ekonomia, të permiresohet cilësisht klima e biznesit dhe të kthehet besimi për të investuar në Shqipëri. Do të krijojmë Zonat e Lira Ekonomike që të jemi konkurrues tërheqjen e investimeve. Do të mbështesim drejtpërdrejtë prodhimi vendas, veçanërisht atë bujqësor e blegtoral, që të përmiresohet bilanci i tregtisë dhe rriten eksportet por edhe konsumi Made in Albania. Do të shfrytezohen me mirë resurset natyrore, dhe të administrohen në të mirë të publikut. Politikat ekonomike e fiskale do të vendosen në funksion të hapjes së vendeve te reja e të mirepaguara të punes. Do të mbështetet realisht kërkimi shkencor, inovacioni dhe Teknologjia e Informacionit. Por asgjë prej këtyre rrugëve nuk është e realizueshme, nëse nuk arsimohen, kualifikohen e motivohen njerëzit, veçanërisht brezi i ri. Prandaj, arsimimi e kualifikimi i tyre, është në themel të gjithë këtyre punëve që duhen bërë.

Pra, rrugët dhe zgjidhjet e kësaj problematike të jashtëzakonshme, janë themeli i programit të LSI me politikat dhe masat prioritare që së shpejti do të bëhet publike. Shpopullimi, papunësia, kosto e lartë e jetesës, do të trajtohen me masa të drejtpërdrejta dhe si objektiva parësore e të gjithë politikave dhe masave që do të ndërmerren do të jetë punësimi i mirëpaguar, që qytetarëve t’u kthehet besimi dhe motivimi për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

 

 

Përgjatë këtyre ditëve në media të ndryshme janë publikuar sondazhe paraprake mbi fatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Në bazë të sondazheve të brendshme dhe vetë takimeve në terren, si e shihni përputhjen e këtyre sondazheve me pritshmëritë e LSI-së në 25 prill?

 

Sondazhet shpesh bëhen instrumente të qëllimeve politike të partive politike. LSI ka patur një rritje të vazhdueshme të mbështetjes nga qytetarët, edhe kur sondazhet nuk kanë qenë “realiste” me të. E rëndësishme është që përfaqësuesit e LSI ndjejnë kudo një rritje të mbështetjes nga njerëzit e thjeshtë, fermerët e blegtorët, nga mësuesit, mjekët e inxhinjerët, profesionistë të rinj e studentë, që e shikojnë si një forcë politike që është konkrete, e drejtpërdrejtë dhe që e mban fjalën për atë që premton. Unë kam besim të plotë që kjo mbështetje do të reflektohet në një rezultat në rritje në 25 prill.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.