Plagosen dy shqiptarë në Spanjë, bashkëkombasit u ngulën thikën pas sherrit për ‘klientët’ dhe u arratisën drejt Francës, i ‘tradhëtoi’ mjet

Dy shqiptar të moshave 27 dhe 29 vjeç janë arrestuar pasditen e sotme në Francë pas një sulmi të kryer me thikë ndaj dy bashkëkombasve të tyre.
Media spanjolle Eldiarios.es shkruan se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 20 janarit, në një zonë parkimi kamionash në Hoznayo të Spanjës. Sherri është zhvilluar mes katër personave, nga të cilët dy kanë ardhur me mjetin e tyre dhe kanë qëlluar menjëherë me thikë dy të tjerët që gjendeshin aty. Njëri nga të plagosurit mori gjashtë plagë me thikë në gjoks dhe shpinë, i cili u shtrua në Spitalin e Valdecilla, në Santander në gjendje kritike për jetën, kurse tjetri u plagos në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Garda Civile menjëherë filloi hetimet për mjetin e përdorur nga atentatorët, në të cilin kanë gjetur armët e përdorura në sulm, dy thika kuzhine me një teh rreth 20 centimetra në të cilat kishte gjurmë gjaku. Po ashtu dyshon se motivi i sulmit mund të ketë të bëjë me kontrollin që të paraburgosurit synonin të kryenin mbi emigrimin e shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe fitimin pasues që ata mund të merrnin nga një veprimtari e tillë.
Të arrestuarit tashmë i janë dorëzuar autoritetit gjyqësor në Francë, duke urdhëruar burgimin e tyre dhe pritet që, pas procedurave të përshtatshme, ata t’i dorëzohen autoriteteve gjyqësore Spanjolle.