Standard.al

INTERVISTA/ Klevi Pojana: LSI beson tek të rinjtë, nesër në qeverisje sigurojmë punësim e arsim cilësor

0

Sekretari i Përgjithshëm i LSI për Tiranën, Klevi Pojana flet në një intervistë për “standard” flet mbi prioritet e partisë lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. Pojana flet për arsimin cilësor dhe punësimin e të rinjve, ndërsa thekson se: “Të rinjtë vuajnë mungesën e mundësive themelore që iu duhen për të pasur sigurinë se e ardhmja e tyre në vendin e tyre do jetë ashtu sic ata vetë e dëshirojnë.”.

 

Duke parë që LSI-ja është parti e të rinjve, çfarë programesh keni ju si parti në mënyrë që këta të fundit ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre?

Për LSI të rinjtë kanë qenë dhe do të jenë gjithëmon prioritet. Gjëja kryesore për të cilën kanë nevojë të rinjtë sot është rikthimi i shpresës se të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë në vendin e tyre.  Të rinjtë kanë nevojë për arsim cilësor, punësim dinjitoz dhe përfaqësim real që iu siguron mirëqenie dhe një të ardhme të sigurt.  Faktorë këto që LSI i sheh si primare dhe të domosdoshme për të ndërtuar politkat e duhura për ti ardhur në ndihmë të rinjve por dhe çdo qytetari shqiptar.

LSI që prej themelimit të saj iu ka dhënë mundësinë të rinjve që të jenë pjesë e politikbërjes dhe vendimmarrjes dhe do vazhdoj ta bëjë pasi është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jenë të përfshirë në jetën politike të vendit dhe të jenë vetë ata që vendosin gurët në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për veten, familjen e tyre dhe shoqërinë shqiptare. Të rinjtë kanë nevojë për mbështetje në ndërtimin  e të ardhmes së tyre, biznesit të tyre,  realizimit të ëndrrave profesionale dhe jo vetëm ndaj  LSI ka si objektiva kryesor krijimin sa më shumë hapësirave për ta.

 

Në takimet qe keni zhvilluar me të rinjtë, me çfarë problematikash jeni hasur? Çfarë kërkojnë ata?

Problemi kryesor që ka çdo i ri sot është mungesa e shpresës dhe mungesa e mbështetjes nga shteti. Kjo çon dhe në rritjen e një dëshire të madhe te të rinjve për të lënë vendin. Një i ri i cili çdo ditë e më shumë e ka të vështirë të gjejë një punë nuk ka si të ketë shpresë për një të ardhme në këtë vend. Sot për shkak dhe të pandemisë të rinjve po iu hiqet mundësia e arsimimit fillimisht dhe më pas e një arsimimi cilësor për të cilin vitet e fundit në Shqipëri nuk është ndërmarrë asnjë politikë.  Të rinjtë vuajnë mungesën e mundësive themelore që iu duhen për të pasur sigurinë se e ardhmja e tyre në vendin e tyre do jetë ashtu sic ata vetë e dëshirojnë.

 

Lidhur me arsimin, çfarë parashikon programi i LSI-së?

LSI do të prezantojë programin e saj ditën e hënë për çdo fushë të jetës në vend ky kryesor është padyshim dhe arsimi. Një arsimim cilësor për të cilin LSI nuk ka rreshtur asnjëherë së reaguari me propozime konkrete. Një arsim cilësor që i siguron brezave tani dhe atyre që do të vijnë akses në tregun e punës dhe punësim i cili siguron jo mbijetesë siç është sot por mirëqenie dhe mundësi. LSI e ka thënë gjithmonë që arsimi nuk është shpenzim por investim. Të rinjtë duhet të kenë mundësi të studiojnë dhe të punojnë duke pasur mbështetjen e pakushtëzuar nga shteti në mënyrë që e nesërmja të sjellë për ta ato që gjithmonë kanë ëndërruar për veten për ti realizuar në atdheun e tyre.

 

Në këtë kohë të pandemisë, vetëm 60% e studentëve ndjekin mësimin online. Nga ana tjetër, 2 milionë euro në muaj u kushton familjeve interneti me cilësi. Pjesa më e madhe e studentëve e ndjekin mësimin online nga celulari që nuk është metodë eficente. Si e komentoni kete pjese?

Një nga problematikat kryesore për të rinjtë shqiptarë është pikërisht mësimi online. Një qeveri e cila nuk i siguron as kushtet minimale për të ndjekur mësimin normalisht në kushte jonormale është një qeveri që nuk meriton të qëndrojë asnjë minutë më shumë në krye të vendit. Mësimi online përvec se nuk jep rezultatet e duhura po i vështirëson akoma dhe më shumë gjendjen ekonomike çdo studenti dhe familjeje shqiptare. Ndërkohë që autoritet arsimore dhe qeveria nuk morën asnjë masë kur ishte mundësia për ta evituar këtë situatë. Situata e arsimit në këto momente është në ditët më të vështira dhe me pasoja shumë të rrezikshme për shoqërinë në të ardhmen.

 

Si e shihni situatën në terren nga takimet me qytetaret, sa besim ka për një rrotacion në 25 prill?

Qytetarët e kanë humbur besimin se kjo qeveri mund të bëjë më diçka për ta. Sot qytetarët shqiptarë gjenden në një situatë tejet të vështirë ekonomike dhe shëndetësore. Nga dy krizat e fundit më të mëdha në vend siç janë tërmeti dhe pandemia dhe së fundmi dhe përmbytjet tashmë qytetarët shqiptarë janë bindur se kjo qeveri me këtë kryeministër nuk është e aftë të mendojë për zgjidhjen e problemit pasi nuk bën gjë tjetër veçse mbush xhepat e vetë dhe të ologarkëve përreth duke përfituar nga çdo fatkeqësi që rëndon mbi shqiptarët. 25 prilli do të jetë fundi i kësaj periudhe të zymtë  dhe fillimi i një epoke të re e cila do të rikthejë shpresën për çdo qytetar.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.