Romelu Lukaku çon Interin në çerekfinale të Kupës së Italisë.

“Bomberi” belg realizoi golin e fitores përballë Fiorentinës në “Artemio Franchi”, ku u deshën 120 minuta lojë për të përcaktuar skuadrën fituese.

Një krosim i saktë i Barellas në minutën e 119-të gjeti kokën e Lukakut, që mposhti portierin Terracciano.

Skuadra e Antonio Contes shpërdoroi shumë gjatë kohës së rregullt, edhe pse kaloi në epërsi në fundin e pjesës së parë me një penallti të shndërruar në gol nga Vidal.

Fiorentina barazoi në të 57-ën me Kouame, duke rihapur gjithçka, ndërsa zikaltrit e rritën presionin, por pa mundur të shkonin deri te goli, edhe pse rastet i paten të pastra sidomos me Sanchez, Hakimin dhe Eriksenin.

Gjithsesi, një minutë para përfundimit të pjesës së dytë shtesë dhe kur të gjithë ishin të bindur se fituesi do të përcaktohej nga penalltitë, u shfaq Lukaku, që pasi i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes, bëri atë që di të bëjë më mirë, duke e dërguar topin në rrjetë, për t’i dhënë kualifikimin Interit.

Në çerekfinale të Kupës së Italisë Interi do të përballet me Milanin, që eleminoi mbrëmjen e djeshme Torinon pas gjuajtjeve të penalltive.