Standard.al

Kardiologu zbulon prapaskenat: Pse ia ndaluam udhëtimet Enver Hoxhës pas 1978-ës! Të pathënat e vizitës së mjekut të ish-Presidentit francez

0

Profesor Ahmet Kamberi, mjeku i Enver Hoxhës, tregon në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë” edhe për përjetimet emocionale të Enver Hoxhës pas vizitave jashtë Tiranës. Sipas profesor Kamberit, vizitat në Jug, në Gjirokastër dhe Sarandë, në 1978 të kërkuara nga vetë Enver Hoxha ishin të fundit jashtë kryeqytetit, pasi përparimi i sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit nuk ia lejonin atij lëvizjet e gjata.

Gjatë vizitës në Gjirokastër, Enver Hoxha ka zhvilluar takime të shumta, duke u ngjitur dhe në Qafën e Pazarit, por dhe në fshatrat përreth, gjë që i shqetësonte shumë mjekët e ekipit, të cilët kishin shkuar të gjithë bashkë pranë Enver Hoxhës. Por, ajo që i shqetësonte më shumë mjekët, ishte përjetimi i momente prekëse dhe emocionuese, që lidheshin me fëmijërinë e tij apo me vitet kur kishte punuar si profesor i liceut të Korçës.

Në Korçë Enver Hoxha ishte në mesin e korrikut të 1978, ku përveç vapës edhe emocionet e rënduan në funksionimin e zemrës. Profesor Kamberi është thirrur natën në korrik 1978, kur Enveri ishte kthyer nga Korça në Pogradec, pasi kishte shfaqur aritmi për shkak të përjetimeve emocionale. “Më 17 gusht u thirra natën. I kishte dalë gjumi nga palpitacionet e zemrës.

Pa filluar ta vizitoja, më pyeti se si i kisha kaluar pushimet dhe nëse ishin kënaqur fëmijët. Meqenëse aritmia nuk po zotërohej me mjekimin që i kisha filluar, më 21 gusht e vizituam në mëngjes së bashku me Hoxhën dhe Yllin. Aritmia ishte e pranishme, por nuk e shqetësonte”, shkruan profesor Kamberi në librin e tij.

 

 

AHMET KAMBERI

Para se të sëmurej nga infarkti, Enveri bënte vizita të rregullta pune nëpër rrethe të ndryshme të vendit, herë të lajmëruara e herë të paparalajmëruara. Por pas infarktit, ai nuk ishte larguar nga Tirana përveçse kur shkonte me pushime, në Durrës, në Vlorë ose në Pogradec, ku shfrytëzonte rastin për të takuar edhe ndonjërin nga udhëheqësit vendorë.

Aty nga fillimi i marsit 1978, pacienti pyeti nëse e lejonte gjendja e tij shëndetësore për të bërë një vizitë pune në rrethet e Jugut. Ekipi mjekësor, duke vlerësuar se gjendja e tij shëndetësore ishte e qëndrueshme, dha pëlqimin e vet për këtë vizitë. Gati i tërë ekipi do ta shoqëronte në atë udhëtim, i cili do të ishte i pari katër vjet pas infarktit.

Më 14 mars ai u nis për këtë vizitë. Ndalesën e parë e bëri në Fier, ku pati një bisedë të gjatë me udhëheqësit vendorë të Lushnjës, Fierit e Vlorës.

Të nesërmen, më 15 mars, udhëtuam për në Gjirokastër, u ndaluam pak në Tepelenë dhe pasdite ishim në Gjirokastër. Anëtarët e ekipit u sistemuan në hotel, kurse për mua nuk kishte vend në vilën ku ai do të pushonte, prandaj më vendosën në një ndërtesë afër vilës, së bashku me grupin e oficerëve të shoqërimit të ngushtë të tij.

Pacienti ndihej mirë, pa shenja lodhjeje. Të nesërmen, më 16 mars, ai eci në këmbë nga vila ku qëndronte, u ngjit në Qafë të Pazarit dhe zbriti në sheshin “Çerçiz Topulli”, ku u ndal para monumentit të heroit dhe atë të dy heroinave partizane Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima. Pas kësaj, ai vizitoi Varrezat e Dëshmorëve në kodër. Më 17 mars u mbajt një miting i madh në Sheshin e Çerçizit, ku ai foli gjatë.

Më 18 mars pati një takim të gjatë me kuadrot e rrethit. Mbas këtij takimi ai vizitoi ndërmarrjen e veshjeve dhe kur u kthye për në vilë, rrugës u ndal dhe bisedoi me kalimtarë të rastit. Të nesërmen, më 19 mars, në mbrëmje, asistoi në një koncert festiv që u dha në Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Në atë koncert u dëgjua për herë të parë kënga prekëse e grupit polifonik të Gjirokastrës:

“Mir’se erdhe Enver djali”
“Atë dit’ që erdh haberi:
Dilni, se po vjen Enveri!
Çelen portat, ndritën lagjet,
feksen sheshet dhe sokaqet.
Mir’ se erdhe Enver djali
se neve na mori malli.”

Më 20 mars shkoi në Mashkullorë, u ul pranë Rrapit të famshëm të Mashkullorës dhe bëri një bisedë të gjatë me fshatarët që ishin mbledhur aty. Më 21 mars bëri një shëtitje më këmbë nëpër sokakët e lagjes Palorto, takoi dhe bisedoi me plot banorë, të cilët kur e shihnin, suleshin për ta takuar.

Më 22 mars, në qendrën e kooperativës së bashkuar në Grapsh ishte organizuar një miting me pjesëmarrjen e fshatrave të zonës së minoritetit grek. Nga tribuna e këtij mitingu ai mbajti një fjalim të gjatë me fjalë të përzemërta për popullsinë minoritare. Mbas mitingut ai pati një bisedë me kuadrot e asaj zone.

Më 23 mars do të ngjitej në kodrinën në mes të qytetit ku ndodhej Obelisku dhe një qendër muzeore për historinë e arsimit dhe të kulturës. Në një nga klasat e kësaj qendre muzeore, ai u ul në një bankë në radhën e parë dhe i kërkoi Sokrat Kutrës, njërit nga mësuesit e vjetër që ndodheshin aty, t’i bënte pyetje. Në ato çaste ai mu duk vërtet shumë i emocionuar, por vetëm kaq. Më pas, ai do të zbriste poshtë dhe do të shkonte për një vizitë në gjimnazin “Asim Zeneli”, ku bisedoi gjatë me mësues e nxënës.

Në të gjitha këto aktivitete ai ndiqej nga afër vetëm nga unë dhe ndihmësmjekët shoqërues, por unë nuk duhej të ekspozohesha. Prandaj qëndroja pas njerëzve entuziastë, në një pozicion që mund të kisha njëfarë pamje të mirë të lëvizjeve të tij.

Ditën kur do të ngjiteshim në kodër, Suloja dhe prof. Hoxha ishin në ankth se mos i ndodhte ndonjë gjë. Por unë, që isha pranë tij, nuk vura re asnjë lloj shqetësimi. Përkundrazi, ai gjatë gjithë kësaj kohe dukej shumë i kënaqur. Sjellja e tij, ashtu si në gjithë ato ditë me aktivitet të ngjeshur, ishte si e çdo njeriu tjetër që ishte i shëndetshëm. Në mbrëmje e vizitoi Hajroja dhe e gjeti fare mirë.

Më 24 mars u nisëm dhe mbërrimë në Sarandë. Unë u sistemova në vilën ku do të qëndronte Pacienti. Gjatë katër ditëve të qëndrimit në Sarandë, Pacienti bëri një vizitë në varrezat e dëshmorëve, eci në këmbë në shëtitoren buzë detit dhe u takua e foli me njerëz të ndryshëm, ndoqi një koncert në kinoklubin e qytetit dhe pati një takim me kuadrot e rrethit.

Më 26 mars foli gjatë në një miting të organizuar në Ksamil, ku ishin krijuar plantacionet e agrumeve dhe të ullinjve. Pas kësaj ai bëri një vizitë në Butrint, ku u shoqërua nga një arkeolog, i cili bënte shpjegimet e nevojshme.

Më 28 mars u nisëm për në Vlorë, ku do të pushonte deri më 14 prill. Gjatë rrugës ai u ndal në Lukovë, ku soditi plantacionet e bukura me agrume dhe ullishte të ndërtuara me punë vullnetare nga rinia e Shqipërisë. Dukej si në ekstazë gjatë asaj cope here që qëndroi aty

Pas vitit 1991, pikërisht në atë vend, është ngritur një objekt kulti ortodoks, por plantacionet e agrumeve janë masakruar.

Gjatë këtyre dy javëve, me një aktivitet fizik dhe emocional të ngjeshur, ai na provoi se droja jonë nëse mund të përballonte aktivitete të tilla ishte e pajustifikueshme.

Dalja e dytë e Enverit nga Tirana, pas vizitës së tij të vitit 1978 në rrethet e Jugut, si edhe asaj të Bushatit me rastin e përfundimit të rindërtimit të ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i 15 prillit të vitit 1979, përveç Durrësit, Vlorës dhe Pogradecit, ku ai shkonte për pushime, është ajo e Korçës, më 16 korrik 1980. Atë ditë bëri vizita në familje të shokëve tij të vjetër.

Të nesërmen, më 17 korrik vazhdoi me vizita të tjera, përfshirë edhe atë në shtëpinë ku kishte banuar, kur punonte në Korçë si profesor gjimnazi, si edhe në muzetë. Pasdite, ndonëse ishte një vapë e padurueshme, mori pjesë në një koncert fatosash. Më 18 korrik ai u kthye në Pogradec dhe zhvilloi një bisedë të gjatë me udhëheqësit rajonalë.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai ishte fare mirë dhe nuk pati asnjë shqetësim. Vizita në Korçë do të ishte edhe vizita e tij e fundit në rrethet jashtë Tiranës, ku ai informohej drejtpërsëdrejti për gjendjen dhe punët e tyre.

Në vitin 1981, pas ngjarjeve të Kosovës dhe gjatë viti 1982, ai ka dalë shpeshherë në zyrë edhe pasditeve, edhe pse gjendja e tij shëndetësore ka qenë problematike. Ajo do të merrte një kthesë për keq në vitin 1984 dhe do t’ia kufizonte aktivitetin.

PËRMALLIMI PËR TË KALUARËN

Kishim vënë re se pacientin e përmallonin kujtimet e së kaluarës, por edhe i jepnin kënaqësi. Më 16 deri në 18 korrik 1980 ai bëri një vizitë në Korçë. Bëri vizita në familje shokësh veteranë, në dhomën ku kishte banuar kur ishte profesor liceu para lufte. Kjo ishte ruajtur ashtu siç kishte qenë. Më 17 korrik pasdite ai asistoi në një koncert në shtëpinë e pushimit të punëtorëve. Ishte një vapë e tmerrshme. Kur shkova për ta vizituar në mbrëmje, i thashë:

-Jeni lodhur shumë sot, shoku Enver. Ishte dhe vapë shumë e madhe.

-Po, -më tha, – edhe jam lodhur, por më shumë jam kënaqur me njerëzit dhe vendet, për të cilat më kishte marrë malli.

Më 1 deri më 14 gusht unë isha shkëputur nga shërbimi për të pushuar me Shpresën dhe djemtë. Ishte e para herë pas katër vjetësh që pata rastin të merrja dy javë leje. Pushimet i kalova aty në Pogradec, së bashku me Sabitin e familjen e tij, në Shtëpinë e pushimit të ushtarakëve.

Shokët e Ekipit më festuan edhe 40-vjetorin e lindjes në Drilon, më 14 gusht (një ditë më pas), pasi kisha përcjellë Shpresën e djemtë. Ai ishte shumë i kujdesshëm me ne mjekët. Kur ishte në humor të mirë, bënte edhe shaka, sidomos me Hoxhën dhe Yllin, të cilin siç kam thënë më sipër, e quante gishto.

Më 17 gusht u thirra natën. I kishte dalë gjumi nga palpitacionet e zemrës. Pa filluar ta vizitoja, më pyeti se si i kisha kaluar pushimet dhe nëse ishin kënaqur fëmijët. Meqenëse aritmia nuk po zotërohej me mjekimin që i kisha filluar, më 21 gusht e vizituam në mëngjes së bashku me Hoxhën dhe Yllin.

Aritmia ishte e pranishme, por nuk e shqetësonte. Pasi mbaruam vizitën, kërkoi të uleshim dhe nxori një letër, e filloi të recitonte bejtet për Hoxhën dhe Yllin, të cilat nuk i kishte shkruar vetë, por me porosi të tij, i kishte shkruar i ati i Gjergj Cepës, të cilin e kishte pasur shok kur punonte në Korçë. Ishin për të qeshur. U bënë dhe shumë shaka të tjera. Në fund, i regjistruam përsëri një elektrokardiogramë të gjatë. Ekstrasistolat ishin zhdukur. Ia thamë këtë.

-E shikoni, -tha ai duke qeshur, – që unë jam doktor më i mirë se ju?

PROF. POL MILLIEZIN E ÇMONTE SI MIK TË SHQIPËRISË

Në shtator kishte ardhur në Tiranë prof. Miliezi, të cilin ai e priti për drekë dhe bisedoi me të. Ai e çmonte Milliezin si mik të Shqipërisë. Me rekomandimin e tij më 6 dhe 7 shtator ai vizitoi Korçën dhe Pogradecin. Më 6 dhe 7 shtator ai vizitoi Korçën dhe Pogradecin. E shoqëruam atë prof. Hoxha dhe unë. Në Korçë ai vizitoi varret e ushtarëve francezë të vrarë në Luftën I Botërore. Mbeti shumë i kënaqur nga kujdesi që ishte treguar për mirëmbajtjen e tyre.

Në bisedat me ne, të cilat në asnjë rast nuk kishin të bënin me problemet shëndetësore të Pacientit, ai shfaqi vlerësimet e tij të larta për të. Sidomos atij i kishte bërë përshtypje konsiderata që pacienti kishte për Dë Golin (De Gaull), të cilin ai vetë e adhuronte./Panorama

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.