Standard.al

Darka e Dubait, vaksinat e Ramës dhe fenomeni “Tirja”

0

Nga Gëzim Saliu*

Ndërsa në Shqipëri, toka bujqësore e banesa pranë tyre po përballeshin me pushtetin e shiut të rrëmbyeshëm, në një prej restoranteve me luksoze të Dubait, një përfaqësi e kabinetit qeveritar po darkonte me tryezën mbushur plot me mish e verë. “Nusreti” është kthyer në një brand , trend luksi, ku vetëm shijimi i një bifteku special kap shifra marramendëse nëse do i krahasonim me nivelin e pagave në Shqipëri. Pronari i restorantit me emrin Nusret Gökçe, është një qytetar turk i bërë i njohur në mbarë botën për gjestin e hedhjes së kripës mbi mish, gjetje perfekte marketingu e cila mori hov special pas publikimeve vite më parë në rrjetin social. Ky truk e ktheu Nusretin në fenomen mbarëkombëtar, duke i kthyer restorantet e tij në Stamboll, Dubai, Miami etj në vende që vizitohen nga njerëzit më të njohur të rruzullit që nga politikanët e deri të sportistët.

Pikërisht në këtë restorant, gjendeshin të shtunën e 9 Janarit ministri Arben Ahmetaj, ministrja Belinda Balluku, nënkryetari i bashkisë Tiranë Arbian Mazniku, këshilltari i kryeministrit për mediat Endri Fuga së bashku me bashkëshorten si edhe biznesmeni miliarder Samir Mane. E ndërsa e gjithë “darka e gabuar” u zbulua pa dashur nga një story në instagram e hedhur nga vetë restoranti, në Shqipëri nisi një zemërim i hidhur por i legjitimuar në raport me kohën kur kjo darkë ndodhi. Më së shumti reagimet u shfrynë në rrjetet sociale, ndërsa të pakta ishin mediat që transmetuan lajmin e kësaj darke. Kush prej faktit se mbështetjen e ka prej qeverisë e kush prej interesave të lidhura me persona të përfshirë në darkë, “Dubai” si çwshtje ishte një tregues real edhe për vetë mediat shqiptar.

E megjithatë, një ditë më pas nuk munguan reagimet edhe nga politika, ku përfaqësues të opozitës akuzuan qeverinë se në Dubai ndan një pazar të pastër me palën arabe, e cila prtiet të marrë nën kontroll portin e Durrësit. Nga ana e saj qeveria dhe pjesëmarrësit në darkë u mbrojtën me argumentat se darka luksoze nuk ishte paguar prej tyre dhe se i gjithë udhëtimi në Dubai ishte bërë për të joshur investitorët arabë për të investuar në Shqipëri. Më shumë se një justifikim, argumenti i përfaqësuesve të qeverisë dhe vetë kryeministrit shtoi dyshimet se në darkën e Dubait ishte firmosur pazari për dhurimin e ‘copave’ të Shqipërisë në duart e investitorëve të huaj, ndërsa përfitues nga pala jonë do ishin vetëm disa oligrakë pranë pushtetit dhe drejtpërdrejtë qeveritarët. Përtej këtij dyshimi serioz, vetë darka la një shije të hidhur dhe vërtetoi për të disatën herë se për këtë ekzekutiv rëndësi parësore kanë marrëveshjet dhe bashkëpunimet me grupet, palët apo individët me të cilët kanë përfitime të drejtpërdrejta. Interesi qytetar edhe këtë herë mbeti dytësor.

Fill pas darkës së gabuar në Dubai, si me magji në Shqipëri mbërritën dozat e para të vaksinave anti-Covid. Pa asnjë lajmërim, krejt papritmas, Rama përmes një postimi në rrjete sociale bëri të ditur se të hënën do niste vaksinimi kundër koronavirusit. Në fakt kryeministri bëri atë që di të bëjë më mirë; show dhe propagandë pa fund për të zbehur dritat e prozhektorëve mbi skandalin e Dubait. Rama nuk zbuloi as vendin që i dha 900 dozat e vaksinave dhe as mënyrën se si ato mbërritën në vend. Kryeministrit i duhej me urgjencë një lajm i madh, që të mundësonte mbulimin e darkës së gabuar. Dhe për t’ja arritur qëllimit, Rama ka treguar se mund të përdorë çdo lloj mjeti, qoftë edhe kontrabandë.  Vetë numri i kufizuar i vaksinave tregon shumë, i ngjan një lypjeje në moment të fundit ndaj një vendi të BE-së për të shpëtuar nga halli që e kishte zënë me biftekun 1000 euro të Dubait.  Por si për dreq, as vaksina nuk ja arriti qëllimit, megjithëse me aq pak doza sa kishte në dispozicion Rama e zgjati mjeshtërisht për 3 ditë me radhë shown në stadiumin kombëtar.

Një skandal i zbuluar nga emisioni investigative “Stop” nxorri në shesh të palarat e një sistemi që në këto vite ka dështuar keqazi në raport me premtimet e Rilindjes për shëndetësi falas dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Dëshmitë e vajzës së një pacienteje që humbi jetën nga Covid-19 në spitalin Shefqet Ndroqi për pagesa nën dorë për sanitaren, infermieren dhe doktoreshën vërtetuan shumë zëra të përhapur në biseda miqësore dhe rrjete sociale, që deri më tani kishin mbetur në hijet e spekulimit. Vajza e së ndjerës,  e cila ishte mashtuar nga sanitarja me emirn Tire e cila ishte hequr si infermiere, zbulon një rrjet të tërë pagesash, nga  50 mijë lekë për infermierin, 20 mijë lekë sanitares dhe  100 mijë lekë mjekes. E gjithë fatura shkoi deri 8 milionë lekë të vjetra e ndërsa në spital ajo blinte vetë për mamanë e saj ushqimet , ujin, pampersat, insulinat dhe vetë termometrin. Po spitali i rilindur çfarë ofron? Ku shkuan fjalët e kryeministrit se në spitalet tona në luftën ndaj Covid-19 nuk ka asgjë më pak se sa ofrohet në Francë e Gjermani ? A mungon termometri dhe uji në spitalet franceze z.kryeministër? A vuajnë spitalet gjermane për insulinë dhe ushime për pacientin?

Qartazi sanitarja e hequr si infermiere është vetëm një hallkë e këtij sistemi, i cili kurrsesi nuk i fut në një thes të gjithë por asesi nuk përjashton atë që është thënë me kohë nga ekspertë të fushës: pamundësinë dhe paaftësinë e qeverisë për t’u përballur siç duhet me pandeminë. Dhe e gjitha kjo vështirësi vjen në saj të asaj që është korrur prej vitesh. Kush i ka harrur, i kujtojmë PPP-të e panumërta dhënë palëve me eksperience fare miminale në këtë fushë, duke nisur nga dializa e deri te Chek-up. Për të ardhur më pas me dështimet për shëndetësinë falas dhe pamundësinë për të ndërtuar një sistem shëndetësor me standarde evropiane. Askush nuk vë në dyshim betejën e mjekëve dhe infermierëve në këtë luftë të gjatë me pandeminë, por gjithkush ka të drejtën të pohojë me zë të lartë, aq më shumë pas dëshmisë së djeshme, se: QEVERIA DËSHTOI!

 

*Kryeredaktor i gazetës së përditshme “standard”

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.