Standard.al

Klajda Gjosha: Shteti sot funksionon vetëm për një grusht njerëzish, papërgjegjshmëria e qeverisë zvarriti integrimin

0

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha flet në një intervistë për gazetën “standard” mbi zhvillimet politike si edhe disa aspekte të jetës social-ekonomike. Gjosha komenton pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit, ku pohon me bindje se LSI do të dalë forcë fituese në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Sa i takon plagës së emigrimit të të rinjve nga vendi, ish-deputetja e LSI-së theksoi sezZgjidhja ka disa etapa por e para dhe më e rëndësishmja është 25 Prilli ku të gjithë duhet të bëjnë detyrën qytetare për të votuar. Lidhur me procesin e integrimit, Gjosha tha se ka qenë papërgjeshmëria e qeverisë e cila ka zvarritur procesin e integrimit, duke na lënë pas vendeve të tjera aspirante në rrugëtimin drejt BE-së.

 

 

Pas 4 muajve, në vend do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Si e shihni situatën paraprake nga pikëpamja e organizimit dhe frymës opozitare?

 

Ky është një moment i rëndësishëm për vendin, ku i gjithë depresioni social që po kalon shoqëria jonë nga keq qeverisja, tashmë po kthehet në shpresë dhe mundësi për të zgjedhur, dhe për të bërë një revolucion të madh në vend! Terreni dhe takimet me njerëzit janë sondazhi më i mirë në këto momente, dhe qytetarët janë duke pritur me padurim largimin e qeverisë përmes votës së tyre. LSI është si gjithmonë e mirë organizuar  dhe e mirë përfaqësuar në çdo qelizë të saj. Kjo është dhe pika jonë e fortë, të qëndrojmë pranë qytetarëve, t’i dëgjojmë ata dhe të mbajmë premtimet.

 

Personalisht jeni angazhuar nga partia ku bëni pjesë në fushatën e Tiranës, kryesisht në njësinë numër 5 që njihet si bastion i PS. Cilat janë pritshmëritë nga takimet e përditshme në terren, a do mund opozita e bashkuar ta fitojë betejën e kryeqytetit?

 

Unë jam e deleguar në dy njësi të rëndësishme, sic janë njësia 5 dhe 7, dhe frymëzohem çdo ditë në terren nga bashkimi i të rinjve dhe nga qindra gra dhe vajza që më janë bashkuar në këtë sfidë të përbashkët! Nuk i shoh më aspak si bastione të së majtës sepse në takimet me ta ndjehet shumë fakti që ata janë të papërfaqësuar në partinë e tyre, ndjehen të fyer dhe të zhgënjyer pas gjithë këtyre viteve në pushtet dhe ku sot jeta e tyre është shumë herë më e varfër dhe më e pasigurtë se më parë! Kam bindjen se nëpërmjet alternativës tonë, LSI do të jetë fituese në kryeqytet dhe kudo në gjithë Shqipërinë!

 

 

Një ndër plagët më të rënda me të cilat po haset vendi ynë është emigrimi masiv, sidomos i të rinjve. Si e gjykoni këtë problematikë sociale dhe cila është zgjidhja që ofron LSI për parandalimin e kësaj plage të kthyer në fenomen në mandatet e qeverisë së PS-së?

 

Kjo është vërtetë plaga më e madhe dhe për të kuptuar më mirë këtë fenomen, unë para pak ditësh lançova një sondazh në instagramin tim. Kam marrë me qindra përgjigje dhe arsyet kryesore janë pamundësia për të gjetur një punë në bazë të meritës, pagat e ulëta, pasiguria për jetën, humbja e shpresës dhe shumë fakte të tjera. Zgjidhja ka disa etapa por e para dhe më e rëndësishmja është 25 Prilli ku të gjithë ne duhet të bëjmë detyrën qytetare për të votuar. E dyta, opozita ka një program shumë konkret ku në qëndër ka ekonominë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe strategjinë për rikthimin e trurit në vend nëpërmjet projekteve të posacme. E treta, ne kemi nevojë për një frymë të re në qeverisje, të rinj që më mentalitetin e tyre të ri, ngjallin shpresë! Ne kemi nevojë për lidera normal që ta njohin realitetin e hidhur shqiptar dhe me ekspertizë  dhe përulësi t’i përgjigjen problemeve sociale në vend!

 

 

Sërish Shqipëria dështoi sa i përket aspiratës evropiane, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE duket larg. Si e vlerësoni këtë proces?

 

Nuk kam pritur ndonjë vendim ndryshe për sa kohë qeveria nuk kishte pranuar ekzistencën e asnjë prej kushteve të vendosura më parë nga Këshilli. Papërgjegjshmëria qeverisëse është ajo që zvarriti procesin këto katër vite. Konferenca e parë ndërqeveritare do të dojë ende kohë sepse edhe sot kemi kushte të paplotësuara. Procesi i zgjerimit është i bazuar mbi meritë dhe si i tillë do duhet t’i qëndrohet në mënyrë strikte zbatimit të kritereve të Kopenhagenit dhe kushteve shtesë që vetë qeveria ka prodhuar për shkak të indiferencës dhe prodhimit të një sistemi që funksionon vetëm për një grusht njerëzish dhe jo për qytetarët!

 

 

Së fundmi Shqipëria është gjendur nën pushtetin e ujit, ndërsa qeveria ka qenë e vonuar në masat e saj. Ndërkaq një video ka qarkulluar në media, ku një pjesë e ministrave të qeverisë darkonin në nje prej restoranteve më luksoze të Dubait, ndërsa vendi ndodhet në kushte të vështira. Komenti juaj mbi këtë?

 

Situata me përmbytjet është shkatërrimtare. Qeveria duhet të mblidhet në mënyrë urgjente për të rishikuar dhe rialokuar buxhetin dhe të ndalojë së dhëni fonde të pafundme koncesioneve dhe PPP-ve, që kanë shtuar frikshëm borxhin publik! Shumë qytetarë sot kanë nevojë për evakuim bashkë me gjënë e gjallë, që për ta janë burim i vetëm i të ardhurave!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.