Standard.al

Kur zgjohesh nga telefonata, se në mesnatë ka vdekur një mik….

0

Nga Kreshnik Spahiu

Atë natë unë kisha dhënë dorheqjen nga politika dhe kisha deklaruar se po largohem nga Shqipëria. Ishte ora 03:00 mëngjesit. Zilja e celularit më zgjoi dhe pash që ishte miku im Kasem Hysenbelli.

“Alo: Kreshnik çështë ajo deklaratë që ke bërë tek Arian Çani? Ti nuk duhet largohesh as nga Shqipëria dhe as nga politika.”

Ishte shumë i shqetësuar dhe të nesërmen ishte personi i parë që piva kafen e mëngjesit. Kasemi kishte jetuar vetë në emigracion. Ishte ushtarak i njohur por pas ndryshimit sistemit kushte ngelur pa punë dhe si mijra intelektualë kishte shkuar të punonte në Greqi.

Pas shumë vitesh Kasemi ishte kthyer dhe së bashku me vëllain e tij Irfanin ngritën një grup të fuqishëm mediatik. Kohët e fundit ngriti me shumë pasion, median më të hapur opozitare në Shqipëri Fax-News.

Ishte njeriu më karizmatik dhe më popullist që njihja në mediat shqiptare. Kasemi nuk kishte as biznese dhe as prona.  Kasemi nuk kishte as shofer dhe as bodyguard. Kasemi nuk vishte as Armani dhe as Gucci. Kasemi ishte një bashkshort dhe baba i mrekullueshēm. Nëse kishe mik Kasemin, njëkohësisht kishe mik edhe familjen e tij.

Kasemi kish dy fëmijë model dhe të mrekullueshēm. Ajo çfarë e ndryshonte Kasemin nga qindra miq të tjerë ishte se ai ishte mik kur ti kaloje ditë të vështira dhe ishte shumë i gatshëm për të ndihmuar çdo kënd. Pas cdo dalje nē media, gjithmonë merrja kritika prej tij.

Çdo dy ditë më shkruante: “Kthehu Kreshnik se është momenti politik për ta rindezur Shqipërinë”

Ishte njeriu i fundit që insistoi mos largohesha nga Shqipëria. Ishte njeriu i fundit që takova në Shqipëri herën e fundit kur udhëtova për pushime në “Hotel Prestigj”. Ndenjëm me orë të gjata natën e fundit deri sa mua po më afrohej ora e fluturimit për kthim në Berlin.

Ishim buzē detit dhe nuk e imagjinoja çfarë dallgësh na prisnin. Kujtuam dhe debatuam që Shqipëria nuk kish ndryshuar aspak dhe asgjë nuk kisha humbur edhe sikur të kisha jetuar atje.

Ishte shumë optimist dhe shumē dinamik. Notuam disa herë mes dallgve për të shuar vapën e Durrësit. Nuk e mendoja që ishte hera e fundit që do shihja buzëqeshjen e tij dhe dëgjoja batutat plot humor që i kishte në stilin e jetës.

Mbrëmë në të njëjtën orë 03:00 të më mëngjesit më zgjoi sërish telefoni i Kasemit por s’ishte ai. Kasemi nuk ishte zgjuar më, por ishte larguar për gjithmonë, për të na lënë pas vlerat e një miqësie të paharrueshme.

Sot në pamundësi për ta përcjell në banesën e fundit, po iki i përlotur të pi një kafe në Barin e preferuar kur ne shkonim së bashku ditët që ai vizitoi Gjermaninë! Lamtumirë Kasem Hysenbelli, por kurrë nuk do e besoja që mëngjesi sot s’do ishte agim por perëndim.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.