Covid-19/ Basha: Shifrat janë alarmante, 1 në 2 të testuar del i infektuar! Qeveria vendos vetë për gjithçka, nuk dëgjon mjekët

0
102

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli në emisionin “Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa, në News24, për situatën e rënduar të krijuar nga pandemia e koronavirusit.

I pyetur nga gazetarja se çfarë duhet bërë për të parandaluar përhapjen e infeksionit, kreu i PD u shpreh se “Opozita e ka thënë, unë e kam thënë, Partia Demokratike e ka thënë fjalën e saj prej 27 shtatorit. Në vend që të përsëris planin me 5 pika dhe hapat të cilat do të kishin parandaluar këtë kolaps, më lejoni të flas me fjalët e atyre që kam takuar këto javë, fjalët e mjekëve, të punonjësve të tjerë të shëndetësisë, mjekëve të familjes, profesorëve të COVID 1, 2 dhe 3. Me fjalët e pacientëve që kanë mbijetuar COVID-it dhe familjarëve të tyre të cilët e thonë fare qartë se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk është bërë. Të parët që duhet të ishin dëgjuar ishin mjekët”.

Pjesë nga intervista:

Nisida Tufa: Çfarë duhet bërë tani zoti Basha kur jemi në këtë kushte që infektimet në 24 orë njohin vetëm rritje shifrash, është shtuar numri i personave që humbin jetën. Është hapur COVID 4 por kërkojnë shumë njerëz hospitalizim apo jo, dhe në momenti që ezaurohet e gjitha kjo, çfarë duhet bërë më mirë nga qeveria, sipas opozitës?
Lulzim Basha: Opozita e ka thënë, unë e kam thënë, Partia Demokratike e ka thënë fjalën e saj prej 27 shtatorit. Në vend që të përsëris planin me 5 pika dhe hapat të cilat do të kishin parandaluar këtë kolaps, më lejoni të flas me fjalët e atyre që kam takuar këto javë, fjalët e mjekëve, të punonjësve të tjerë të shëndetësisë, mjekëve të familjes, profesorëve të COVID 1, 2 dhe 3. Me fjalët e pacientëve që kanë mbijetuar COVID-it dhe familjarëve të tyre të cilët e thonë fare qartë se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk është bërë. Të parët që duhet të ishin dëgjuar ishin mjekët. Vërejtjet e tyre dhe sugjerimet e tyre, bazuar në si është situata dhe cila është përvoja e vendeve të rajonit, nuk po themi të vendeve të Bashkimit Europian, kanë qenë dhe baza e planit me 5 pika që ne i vumë në dispozicion kësaj qeverie që prej datës 29 shtator. Dhe sot që flasim, asnjë nga këto hapa nuk është ndërmarrë. Të fillojmë me testimet, ne sot realisht vetëm mund të hamendësojmë se cilat janë përmasat e vërteta të infeksionit, se sa shqiptarë me të vërtetë infektohen çdo ditë. Sepse e dimë që raportimi i të infektuarve është në varësi të numrit të testimeve. Ndonëse pozitiviteti i këtyre testimeve ka arritur deri në 40% që do të thotë 4 në 10 të testuar kanë rezultuar pozitiv. Tani nuk ka nevojë të jesh ekspert i epidemiologjisë apo i shëndetësisë, se çdo qytetar e kupton që kur 4 në 10 dalin të infektuar që ti nuk po bën mjaftueshëm testime. Duke mos testuar, ti nuk arrin dot të gjurmosh të infektuarit. Dhe kur nuk i gjurmon dot, nuk i izolon dot. Dhe kur nuk i izolon dot, ti nuk ndërpret dot zinxhirin e infektimeve, sepse çfarë ndodh? Çdo i infektuar i cili nuk është zbuluar apo konfirmuar si i tillë dhe vazhdon kontaktet me familjen, me miqtë, me kolegët në punë, faktikisht po shpërndan virusin. Në këtë moment që flasim po shpërndan virusin.

Nisida Tufa: A do të ndihmojnë testet e shpejta zoti Basha, këtë që ka vana në dispozicion qeveria?
Lulzim Basha: Shumë pak është. Shumë pak është. Shumë vonë. Me shifrat e infeksionit që kemi aktualisht, ne duhet të administronim minimalisht sipas ekspertëve, 10 mijë testime në ditë. Bëhet fjalë, të shohim se sa do vijnë, bëhet fjalë për 100 mijë testime. Dhe në qoftë se ato administrohen sipas nevojave që ka tani Shqipëria, do të thotë 10 ditë testime. Pra, është shumë pak dhe shumë vonë. Dhe po të shikojmë disa prej problemeve kryesore që thonë të infektuarit, apo pacientët që e kanë kaluar apo familjarët e atyre që janë ndarë nga jeta, është që nga momenti kur kanë pasur nevojën për testim, deri kur iu është bërë testimi, deri kur e kanë marrë përgjigjen, faktikisht ka kaluar i gjithë cikli i virozës. Dhe në rastin më të mirë me vështirësi të shumta shëndetësore dhe duke shkatërruar financat e familjes janë shëruar. Dhe në rastin më të keq, janë ndarë nga jeta pa marrë akoma përgjigjen e testimit, por kjo e nxjerr jashtë loje testimin, se testimi ka pikërisht këtë detyrë, të përcaktojë sa më shpejtë diagnozën për t’i ardhur në ndihmë personit që mendohet se është infektuar.

Nisida Tufa: Dhe që në fakt nuk ndodh brenda 72 orëve.

Lulzim Basha: Aspak! Së dyti, nga kjo pastaj varet edhe ajo që thamë që personi mos të infektoje të tjerët. Ndërkohë që kam dëgjuar këtu, pak metra më tej në një takim me pacientët që në momentin që dikush sëmurej dhe shfaqte qartësisht simptomat e COVID-it, temperaturë, kollë, dhimbje trupore, lodhje, jo vetëm që nuk u bëhej testi, apo i bëhej një javë me vonesë, po nuk i bëhej as bashkëshortit apo bashkëshortes apo anëtarëve të tjerë të familjes, të cilët demonstronin simptoma të ngjashme. Pra, dështimi i parë është dështimi me testimet. Dhe hapi i parë që ne kemi sugjeruar prej marsit dhe përsëri dhe përsëri në shtator ka qenë që qeveria të merrte përgjegjësitë e saj dhe të paktën të siguronte mjaftueshëm këto testimi dhe kapacitete testuese. Se ka dhe një problem tjetër. Nuk është thjeshtë sigurimi i tamponëve, i kiteve, është edhe kapaciteti i Shqipërisë, i shëndetit publik për të bërë të mundur që këto testime të kryhen. Se ti mund të kesh 100 mijë testime, që siç thash prapë në pikëpamjen e atyre që e njohin këtë fushë, shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë vendit, mjekëve, ekspertëve, janë të pamjaftueshme në këtë situatë. Janë të pamjaftueshme. Por edhe sikur t’i kemi këto, ajo që kemi parë deri më sot është që sektori publik i shëndetësisë nuk ka arritur kurrë të kryej më shumë se 1300-1500 testime në ditë. Imagjinoni tani, dje kanë dal mbi 800 të infektuar. Që do të thotë, kanë dal të infektuar më shumë sesa 1 në 2 të testuar nga sistemi publik. Kur futet sistemi privat ju e dini fare mirë që testimi i bërë nga sistemi privat nuk konsiderohet automatikisht i vlefshëm nga ISHP-ja. Vijmë tek problemi i tretë, nëse mund të dalim edhe kjo meqë jemi tek testimet dhe pastaj të vazhdojmë me një tjetër të mprehtë që ka të bëjë me trajtimin e pandemisë që janë kapacitetet spitalore. Po ta mbyllim me testimet. Pas insistimit tonë prej më shumë se tre muajsh, më në fund u kalua një vendim qeverie për rimbursimin e atyre që trajtohen në shtëpi.

Edhe një herë më vjen keq që e them, është shumë vonë dhe shumë pak, dhe procedura që është bërë e bënë praktikisht të pamundur marrjen e rimbursimit. Pse? Së pari ti duhet të dalësh dhe të demonstrosh që je pozitiv, pra duhet të kesh një çertifikatë të ISHP-së që ke bërë tamponin dhe tamponi të ka nxjerr pozitiv. Vetëm pas kësaj çertifikate që merret pas referimit nga mjeku i shtëpisë, nga mjeku i familjes, atëherë mund të kualifikohesh për të marrë rimbursimin në farmaci. Po shikoni shifrat e rimbursimit, maksimalja nuk kalon 110 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që të gjithë e dimë, e kemi dëgjuar, edhe ju e keni transmetuar atë takimin me pacientët ku flisnim për kostot që shkonin nga 500 mijë lekë të vjetra deri në mijëra euro. Në mijëra euro. Shikoni çfarë ndodh. Televizioni juaj apo një tjetër televizion transmetoi një kronikë nga Fieri ku saldatorët janë bërë furnizuesit kryesor të oksigjenit nëpër shtëpi. Pra, ne jemi në një stad kaq të avancuar të sëmundjes dhe të shpërndarjes së infeksionit dhe për pasojë dhe të shpenzimeve të mëdha të familjeve shqiptare, tashmë të drobitura nga kriza ekonomike saqë 100 mijë lekë për person është një tallje. Efekti i parë dhe më i rëndësishmi pa diskutim është shëndeti dhe jeta. Po mos të harrojmë që kjo krizë po shkatërron ekonomitë e familjeve shqiptare, po zbraz xhepat, po i fut në borxhe. Dhe kjo kërkon veprim të menjëhershëm dhe të vërtet, jo për të larë gojën. Këto janë sa i përket hapit të parë që ka të bëjë me testimet, pastaj është edhe çështja e kujdesit spitalor e tjerat që ndoshta mund t’i ndjekim hap pas japi.

Nesida Tufa: Po te pjesa e menaxhimit dhe e vendimeve që merren për pandeminë. Zyrtarë të lartë të qeverisë, por edhe vetë kryeministri thonë që gjithçka i përket vendimeve që marrin Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë. Nga ana tjetër Komiteti i Ekspertëve thotë që ne sugjerojmë. Kush vendos për pandeminë zoti Basha?
Lulzim Basha: Shiko nuk ka asnjë, nuk ka asnjë dyshim që vendimet për të dhënë apo për të mos dhënë fonde për të blerë apo për të mos blerë kite testimi, për të hapur spitalet rajonale me pavione Covid, të cilët do të ndihmojnë që të sëmurët mos të përplasen të gjithë në Tiran, këto janë vendime politike. Janë vendime politike. Sikundër shqiptarët e dinë tashmë që sa herë përballen me një dështim të qeveris apo kryeministrit gishti drejtohet gjithmonë diku tjetër. Pra është një alibi dhe më shumë se sa një alibi të drejtosh gishtin tek ekspertët apo tek mjekët. Mjekët po bëjnë maksimumin e mundshëm, po bëjnë më shumë se sa mjekët ë tjerë të rajonit në këto kushte, se kushtet i kanë shumë më të vështira. Dhe t’i ngarkosh ata me përgjegjësi apo të vendosësh ata përballë opinionit publik apo sic është përpjekur qeveria për të larë duart me manipulimet me shifrat. Përpiqesh të krijosh një ndasi dhe një debat artificial midis mjekëve dhe opozitës kur e vërteta ulëret vetë. Kjo është thjesht dhe vetëm përpjekje për të larë duart nga përgjegjësia. Përgjegjësia me dështimin me menaxhimin e pandemisë është e qeverisë. Është e kryeministrit. Ju e mbani mend kur infektimet ishin 30, 40 herë më të ulëta sec janë sot. I njëjti kryetar qeverie dilte 10 orë në ditë, 1 muaj e gjysmë me radhë në televizor, në facebook, në Instagram, në twitter, deri në telefonat e shqiptarëve. Çfarë ndodhi? Çfarë ndodhi tani që është 40 herë më i lartë, 50 herë më e lartë shkalla e infektimit tani që sistemi që është në kolaps kryeministri është zhdukur dhe fshihet pas komitetit të ekspertëve apo pas ministrit apo pas kujtdo tjetër. Kjo në vetvete tregon që i pari që është i vetëdijshëm që ka dështuar në menaxhimin e pandemisë është kryeministri. Por përtej kësaj pyetje ajo që njerëzit duan të dinë është çfarë do të bëjmë për të dalë nga kjo situatë dhe prandaj të gjitha takimet që kam organizuar si opozitë dhe ndihma që keni dhënë si media për të bërë transparente dhe energjia dhe fokusi i ekspertëve tanë nuk ka qenë thjesht dhe vetëm për të treguar ato fakte që qeveria mundohet ti mbulojë por për të dhënë edhe rrugëdaljen nga kriza dhe është e trishtë, është dramatike, që dhe në këtë situatë kur i gjithë fokusi do të jetë tek pandemia që ka dalë jashtë kontrollit. Prapë se prapë kryeministri dhe qeveria kërkojnë ta zhvendosin debatin tek çështja politike apo të krijojmë debate artificiale vetëm e vetëm për ti ikur përgjegjësisë.

Nisida Tufa: Zoti Basha sa do shtohen kapacitetet spitalore, edhe hapja e COVID 4, mjekët dhe infermierët janë po ata, numri është po aq, pra situata mbetet shumë jashtë kontrollit dhe në këtë pjesë, ju thoni për hapjen e spitaleve rajonale sigurisht sepse nuk mund të shkojnë të gjithë në një drejtim tek QSUT ose tek “Shefqet Ndroqi”?
Lulzim Basha: Ka dy arsye. E para është që nuk mund të përplasen të gjithë pacientët në Tiranë dhe kjo po ndihet siç e thatë dhe ju numri i mjekëve numri i infermierëve të trajnuar për të trajtuar të sëmurët që kanë nevojë për trajtim spitalor që është një trajtim invaziv është në kushtet.

Nisida Tufa: Çfarë po bëhet për të përballuar numrin?
Lulzim Basha: Këtë dua të ju them. E para dhe kryesorja është të kuptohet që kërkesa jonë për të hapur spitalet rajonale është në linjë me atë që kanë bërë vendet e tjera të rajonit me gjithë kapacitetet e shtuara, ja po i marr të mirëqenia që janë kapacitete të plotë megjithatë në shumë raste vetë mjekët kanë denoncuar që janë veç shtretër, në shumë raste ju mungon oksigjenimi që është kryesor për trajnimin, ju mungon numri i mjaftueshëm i mjekëve dhe infermierëve për tu përballur, por po e marrim të mirëqenë për një moment që këto 4 spitale funksionojnë, prapë kapaciteti tyre është sa gjysma e kapacitetit që ka Kosova, që ka qendrën kryesore ne Prishtine dhe 7 spitale rajonale që trajtojnë të sëmurët. Çfarë kërkon kjo? Kjo kërkon që qeveria të kishte investuar muajt e verës në vend që të bënte pushime kryeministri, duhet të kishte përdorur siç ja kërkuam ne për të trajnuar mjaftueshëm mjek dhe infermierë për natyrën e veçantë të kujdesit shëndetësor për të sëmurët me COVID në spital. Ky trajnim i veçantë kërkonte ekspertizë, financim kërkonte mjete financiare në dispozicion të shëndetësisë. Ndërkohë që kemi parë që qeveria mjete financiare ka pasur , madje ka pasur me shumicë dhe me shumicë do thoja dhe me nxitim duke shkelur siç ka dalë nga media procedurat e prokurimit, me prokurime te dyshimta me prokurime sekrete me tendera shumë fish çmimi, me tendera ku fituesi me çmimin më të ulët është skualifikuar dhe ka fituar ofertuesi me çmimin më të lartë, pra para ka pasur, kohë ka pasur, por nuk ka marrë masat elementare për ti dalë përpara kësaj vale të re infektimesh ku trajnimi I mjekëve dhe infermierëve dhe hapja e spitaleve rajonale duhet të kishin qenë prioritet absolute. Nëse do të na ishte vënë veshi kur i kërkuam qeverisë të merrte këto hapa nëse veshi do ishte vënë mjekëve, ekspertëve të cilët bashkuan zërin e tyre për të bërë në fund të fundit atë që po bën Kosova, Maqedonia, nuk do të kishim ardhur këtu. Dhe kjo është përgjegjësi vetëm e kryeministrit nuk mund të jetë kjo përgjegjësi e askujt tjetër, këto janë vendim politike. Çfarë pasoja do të kishte pasur kjo për njerëzit. Imagjinoni, nuk keni nevojë ju të imagjinoni fare se ju i keni shfaqur në ekranin tuaj ambulancat që presin me orë të tëra për të liruar një shtrat.

Nisida Tufa: E ka një shpjegim dhe për këtë, bëhet një seleksionim?
Lulzim Basha: S’ka seleksionim jo, shiko ne duhet të bëjmë gjithçka për të çarë perden e propagandës, pasi propaganda në çdo rast e dëmton të vërtetën dhe dëmton interesin e qytetarëve. Janë qytetarët ato që paguajnë faturën, por kur bëhet fjalë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve fatura bëhet shumë e rëndë siç është në këtë rast. Pra, ajo që dua të them është, radhët e gjata në ambulance tregon qartë që Tirana, spitalet COVID në Tiranë nuk janë në gjendje të përballojnë fluksin e ardhur nga gjithë Shqipëria dhe ka dhe pasoja të tjera. Po përmend 2 prej tyre. Pasoja e parë është shpenzimet e shtuara të familjeve të cilët duhet të vijnë dhe të jenë afër familjarëve të tyre që shtrohen në Tiranë. Të drobitur financiarisht siç janë mbi 80 % e familjeve shqiptare sot në pamundësi për të paguar faturën mujore bazë të ushqimit të ujit të dritave. Tani përballen dhe me këtë traumë të dyfishtë. Familjari sëmuret dhe ata vetë duhet të jenë pranë të paktën fizikisht të sëmurit në të njëjtin territori ku ndodhet I afërmi I tyre pasi dihet që brenda nuk futen dot. E dyta për shkak të shkallës së lartë të fataliteteve dhe për shkak të…. Ka dhe një psikozë domethënë kur je në spital rajonal në fund të fundit është disi më e pranueshme, je sëmure nuk ia del dot ne shtëpi do të çojmë në spitalin më të afërt. Shkuarja ne spitalet COVID ka mare dhe një konotacion negativ, duket për fat të keq si një hap drejt të paevitueshmes. Pra ka disa arsye ekonomike, psikologjike por mbi të gjitha shëndetësore sepse Shqipëria duhet të kishte bërë prej kohësh atë që bëri Kosova, Maqedonia dhe arsyeja e vetme dua ta theksoj këtu pse nuk është bërë, nuk është as mungesa e fondeve sepse fonde mesa duket ka pasur, këto fonde kanë shkuar në drejtime të tjera, nuk është as mungesa e kohës pasi e gjithë vera mjaftonte për të trajnuar mjekët, për të trajnuar infermierët po është mungesa totale e qeverisë dhe e vullnetit politik nga ana e qeverisë, përgjegjësi ekskluzive politike, me dy fjalë ne sot po përballemi me dështimin total të Edi Ramës me pandeminë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here