A e tha vetë ai?Që sot e tutje t’i thërresim gomar!

0
123

Nga Enkel Demi

“Nuk e kam problem që dikush shprehet negativisht ndaj meje. Në rast se më thonë “gomar”, është opinion, mund të jetë fyerje, por mbetet opinion dhe nuk e kam problem. Në rast se më thonë “hajdut”, ky nuk është opinion, kjo kërkon fakte…”.

Kështu i është përgjigjur Alfred Lelës vetë Edi Rama. Në fakt, argumenti është shterrues, kur në Ministrinë e Drejtësisë të qeverisë që ai drejton po gatuhet një ligj, i cili do të ndëshkojë nga “shpifja” deri tek satira.

Pra, nëse i thua “hajdut” dënohesh, por ama po i the “gomar” lejohesh. Pa dyshim që i duhet thënë vetëm “gomar” edhe kur e mendon se është hajdut, pasi ai vetë na e ka treguar me një argument tejet inteligjent dythundrak se nuk është hajdut. Dikur i vuri në pozitë gazetarët, kur i pyeti: “A mund të jetë hajdut një burrë dy metra i gjatë?”. Patjetër që ky argument shkencor na bind se hajdut nuk ka asnjë gjasë të jetë një shtatlartë si ai, por gomar as që duhet vënë në dyshim.

Pos kësaj duhet kuptuar që liderë globalë si ai e bazojnë vlerën e aktivitetit të tyre në vlera të shëndosha satirike me nam të madh. Fjala vjen, njerëz si Fatos Lubonja shpallën sikur Enveri qenka midis nesh, meqë po dënohet satira. Përkundrazi, diktatori nuk ka si të jetë mes nesh, por gomari është që ç’ke me të. Ai vetë na e dha këtë zgjidhje. A nuk është gomari një element themelor i satirës ballkanike dhe me gjerë? A do të kishte kuptim Nastradin Hoxha pa gomarin e tij? Prandaj, çdokush që e pranon këtë rol historik për zhvillimin e satirës së vendit të tij duhet konsideruar një hero i demokracisë dhe në asnjë mënyrë e kundërta.

Në fabulat shqiptare gomari është më shumë se i pranishëm, mjaft të kujtojmë vargëzimin që i bëri njërës prej tyre Dritëro Agolli:

Kali dhe gomari

Kalonin në një shteg të ngushtë mali,
gomari para, pas gomarit kali.
Të dy ngarkuar me thasë mirë,
nga vapa të munduar e djersirë.

Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte,
ndaj kalit vitheve me shkop i binte.
Por, kali më në fund durimin humbi,
e ngriti bishtin dhe samarin tundi.

Hej mbaj dorën se pastaj ta hedh përdhe samarin,
ti para meje pse ma nxjerr gomarin?
E nga të vete s’di fare unë i ngrati,
kur rrugën ma ka zënë veshgjati.

Përpara nxirrmë mua të mos vuash,
dhe rrih pastaj gomarin sa të duash.
Kështu e ka kjo botë e mjerë e marrë,
Përpara nxjerrin veç gomarë.

Prandaj, në këtë këndvështrim merr kuptim filozofik edhe postulati i shenjtë i Rilindjes: “Mirë ja ky po ikën, por kush do të vijë?”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here