Standard.al

Komisioni hetimor për akuzat serbe, Spahiu: Akt i turpshëm që bie ndesh me interesin mbarëkombëtar…

0

Kryetari i LSI për Tiranë, Përparim Spahiu shprehet se ngritja e komisionit hetimor për akuzat antikombëtare të bëra nga Serbia është akti më antikombëtar i Parlamentit aktual. Në një postim në Facebook, Spahiu shprehet se “në kohën kur apeli vëllazëror nga Kosova, vjen për të mos i bërë jehonë pretendimeve antishqiptare, Kuvendi njëpartiak bën të kundërtën”.

Postimi i plotë i Përparim Spahiut në Facebook:

“Akt i turpshëm që bie ndesh me interesin mbarëkombëtar, u konsumua sot në parlamentin monopartiak të Shqipërisë.

Votimi i një komisioni hetimor për të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë”, në të cilën sipas pretendimeve serbo-ruse është bërë transplant e trafik organesh, është një autogol për Shqipërinë.

Në kohën kur apeli vëllazëror nga Kosova, vjen për të mos i bërë jehonë pretendimeve antishqiptare, Kuvendi njëpartiak bën të kundërtën.

Ngritja e një komisioni hetimor për një akuzë të turpshme, e cila është varrosur rreth dy dekada më parë bashkë me misionin antishqiptar të Dick Martit në bashkëpunim me prokurorët serbë, përbën një sfidë të hapur ndaj UÇK-së dhe misionit të saj fisnik.

Në kohën kur krerët e UÇK-së, të cilët luftuan për lirinë e Kosovës, mbahen me pa të drejtë në Hagë, Kuvendi monopartiak nën urdhrat e KM hedh një top balte mbi fisnikërinë e luftës së ’99.

Marrëzi dhe aventurë!

Lufta e popullit të Kosovës ishte një luftë e drejtë. Betejat e lavdishme të UÇK-së dhe gjaku i dëshmorëve legjendarë nuk mund të baltoset as nga akuzat e Beogradit, as nga sejmenët e tyre në Tiranë.

Nuk ka ekzistuar kurrë asnjë “shtëpi e verdhë” famëkeqe. Ajo është vetëm në mendjen e ngushtë dhe antishqiptare të vasalëve të Beogradit në Tiranë.

25 Prilli do jetë një referendum, edhe për t’i rikthyer dimensionin kombëtar dhe patriotik, një institucioni të rëndësishëm, si Kuvendi i Shqipërisë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.