Standard.al

Intervista e plotë| Autori i raportit të GRECO: Dhuratat për policinë, praktikë jo e zakonshme në Europë

0

Stephane Leyenberger, autori i raportit të GRECO, në një intervistë për gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania shpjegoi me detaje metodologjinë e ndjekur në raport dhe standardet me të cilat bëhen krahasimet me Shqipërinë.

Teksa thekson faktin se raporti reflekton takimet e nëntorit 2019, z. Leyenberger sqaron se SPAK ka qenë ende në letër në atë kohë, i pangritur plotësisht.

Autori i raportit të GRECO shpjegon edhe një nga çështjet e diskutueshme sa i përket pjesës së policisë së shtetit, ajo e dhuratave për departamentin e policisë, që është disi problematike, pasi siç shprehet nuk është një praktikë e zakonshme në Evropë.

Intervista e plotë

Zoti Leyenberger, shumë faleminderit për këtë intervistë nga Strasburgu me Euronews Albania.

Faleminderit juve që më ftuat.

Mund të na përshkruani metodologjinë që ndoqët për të përgatitur këtë raport? Ju jeni autori. Cilat janë standardet që ju krahasoni kur bëhet fjalë për korrupsionin dhe transparencën e institucioneve në Shqipëri?

Në fakt, jemi në raudin e pestë të vlerësimit nga grupi i shteteve kundër korrupsionit, i ashtuquajtur GRECO, dhe temat që u zgjodhën për këtë raund kanë të bëjnë me ministrat, personat me funksione të larta ekzekutive, këshilltarët e tyre politikë dhe gjithashtu policinë. Për të përgatitur këtë raport, GRECO zhvilloi një pyetësor, duke përfshirë shumë elemente për vlerësimin e shtrirjes së kuadrit ekzistues për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit te ministrat, këshilltarët e tyre politikë dhe policia, për të parë se deri në ç’pikë kuadri ligjor i korrespondon asaj që GRECO pret për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Dhe më pas, autoritetet shqiptare ju përgjigjën pyetësorit, ne patëm shumë diskutime për këtë dhe një skuadër e përbërë nga ekspertë dhe vlerësues të GRECO-s, shkoi në Tiranë për t’u takuar me institucionet kryesore, për të diskutuar me ta dhe mbi këtë bazë u zhvillua raporti.

Zoti Leyenberger, cili është vlerësimi juaj në nivelin e korrupsionit të institucioneve që ju përmendët dhe si po performojmë krahasuar me raportin e mëparshëm? Ky është i pesti, por duke marrë parasysh të tjeret. A po bën hapa para apo pas Shqipëria sa i takon luftës kundër korrupsionit?

Në fakt, është vështirë të krahasosh nga një raund në tjetrin, sepse temat nuk janë të njëjtat. Këtu, për herë të parë po studiojmë luftën kundër korrupsionit te ministrat, këshilltarët politikë dhe policia. Por, mund të themi se përsa i takon këtyre temave, kuadri ligjor është i vendosur, por është vlerësuar si shumë i ndërlikuar dhe ne do t’i rekomandonim Shqipërisë ta thjeshtësonte sistemin dhe kryesisht, dua të këmbëngul te kjo, ta zbatonte tërësisht në jetën e përditshme të këtyre institucioneve.

Është një pikë e rëndësishme të cilën dua ta trajtojmë më shumë. Ju thoni se kuadri ligjor është aty. Pra, çalon zbatimi apo na duhet përmirësim në legjislacion?

Në fakt, legjislacioni është aty dhe kjo është diçka pozitive, edhe pse ky legjislacion mund të jetë më i thjeshtë. Në vlerësimin tonë është tej mase i ndërlikuar. Ka shumë norma në shumë tekste të ndryshme. Ndoshta do të ishte e dobishme të bashkoheshin të gjitha në një tekst të vetëm, që do të ishte më e thjeshtë për t’u zbatuar konkretisht nga palët. Por problemi kryesor nuk është kuadri ligjor që ekzsiton, por është zbatimi praktik.

Po sa i takon vullnetit të përfaqësuesve zyrtarë për ta zbatuar, më shumë se ekzistenca e kuadrit ligjor?

Ndjesia e përgjithshme e grupit të vlerësimit është se ky vullnet po përmirësohet. Mund të themi se po shkon në drejtimin e duhur, sepse ka gjithnjë e më shumë ndërgjegjësim për nevojën për ta parandaluar korrupsionin fillimisht, dhe më pas për ta luftuar kur është e nevojshme. Ky vullnet është aty, është vullnet politik dhe ne e perceptojmë. Por nga ky vullnet, ka një nevojë të vërtetë për të shkuar drejt një zbatimi të përditshëm të kuadrit. Kjo për të thënë se të gjitha palët, ministrat individualë, këshilltarët politikë individualë, oficerët e policisë, duhet të jenë tërësisht të ndërgjegjshëm për të gjitha detyrat e tyre në lidhje me parandalimin e korrupsionit. Ata duhet të stërviten më mirë, duhet të jenë më të mirorientuar dhe ata duhet të zbatojnë konkretisht të gjitha masat që ekzistojnë për të theksuar dhe përforcuar integritetin e tyre dhe për t’i parandaluar ata të korruptohen.

Zoti Leyenberger, ju i keni kërkuar qeverisë të publikojë përshkrimin e punës dhe këshilltarët politikë. Cili është shqetësimi juaj sa i takon kësaj çështjeje?

Mendoj se ideja dhe koncepti i transparencës është thelbësor kur parandalon dhe lufton korrupsionin. Qartësisht, të gjithë i njohin ministrat dhe çfarë ata duhet të bëjnë, por publiku nuk i njeh këshilltarët e tyre politikë dhe ata duhet të dinë çfarë po bëjnë këta këshilltarë, cilat janë fushat e tyre të kompetencës, që gjithashtu të mund të vlerësojnë nëse këshilltarët po veprojnë brenda kuadrit të tyre ose në një tjetër kuadër, që nuk do të ishte i këshillueshëm. Është një çështje transparence dhe gjithashtu besimi i publikut të gjerë te këto institucione.

A morët një përgjigje nga qeveria përse nuk i bëjnë publikë këshilltarët politikë dhe përshkrimet e punëve?

Mendoj se deri tani nuk është parë në këtë formë, por shpresojmë se me rekomandimet e bëra nga GRECO në raport, ata do ta ndryshojnë këtë praktikë së shpejti. Nuk është vështirë të bëhet. Në fakt këshilltarët janë të njohur, emrat e tyre jepen zakonisht në faqet e ministrive. E rëndësishëm është të specifikohen cilat janë kompetencat e tyre të përcaktuara, që publiku t’i njohë.

Është një tjetër rekomandim që më tërhoqi vëmendjen. Fakti që përmendni kodin etik të ministrave dhe ju rekomandoni të ndryshohet diçka aty, besoj sa i përket transparencës. Keni shqetësime sa i takon kontakteve të papërshtatshme të ministrave?

Po, në fakt, kodi ministror ekziston dhe ka disa masa të mira. Mendoj se është një kuadër ligjor pozitiv, por grupin e vlerësimit patëm ndjesinë se ky kod nuk njihet mirë nga të gjitha palët dhe nuk zbatohet. Kur u takuam me institucionet në Tiranë, asnjë prej tyre nuk e përmendi ekzistencën e këtij kodi, edhe pse unë këmbëngul se ai përfshin masa të mira për të ndihmuar në parandalimin e korrupsionit. Ndaj, ne pyesim veten nëse ky kod zbatohet vërtetë dhe inkurajojmë fuqimisht autoritetet shqiptare ta përdorin këtë mjet kaq interesant dhe të vlefshëm.

Zoti Leyenberger, më lejoni t’ju drejtoj një pyetje të vështirë. Nëse do t’ju pyesja të vlerësonit nga 1 deri në 10 performancën e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe në të qenët transparent, ju çfarë do tëmë thonit? Cili është niveli?

Vërtet është një pyetje e vështirë, sepse nuk është mënyra objektive dhe e GRECO-s. Ajo që mund të them është se mendoj që po shkojnë në drejtimin e duhur, kjo është e qartë. Por ka ende shumë për të bërë në zbatimin praktik. Kemi ndjesinë se njerëzit në Shqipëri nuk i besojnë shumë sistemit sepse sërish, ata nuk kanë shumë prova se sistemi funksionon në praktikë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Institucionet shqiptare duhet të jenë të kujdesshme. Ato e kanë një sistem, që është vërtet i mirë, por ata duhet të punojnë shumë që ky sistem të zbatohet, jo herë pas here, por në përditshmërinë e tyre.

Besojini institucioneve, jo njerëzve. Këtë thoni ju.

Kjo është në fakt për njerëzit që drejtojnë këto institucione, që ta bëjnë përpjekjen.

Gjithashtu, në raport flisni për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. I përmendni ata dhe punën e tyre. Cili është vlerësimi për këtë inspektorat dhe a duhet të ketë më shumë bashkëpunim mes prokurorëve dhe ILDKP-së? Cili është vlerësimi juaj?

Ideja e raportit është që të mbështesë ILDKP-në. Ne e dimë se ata po bëjnë një punë të madhe. Ndoshta mund t’ju duhet më shumë staf dhe burime, që ta bëjnë edhe më mirë punën. Po bëjnë aktualisht një punë të mirë që mund të ishte më e mirorganizuar, me më shumë mjete dhe kryesisht, ne ndiejmë se rezultati, konkluzioni i punës së tyre nuk ndiqet mirë nga institucionet e drejtësisë dhe sidomos nga shërbimet e prokurorisë. Ndaj, ka nevojë për për bashkëpunim më të mirë mes ILDKP-së dhe prokurorisë dhe shpresojmë se Struktura e Posaçme Anti Korrupsion e sapovendosur, do të ndihmojnë në përmirësimin e këtij sistemi, që kontrollet e kryera nga ILDKP të rezultojnë edhe me sanksione nëse është e nevojshme.

Ishte SPAK pjesë e vlerësimit tuaj? A mundët të flisnit dhe të diskutonit me ta dhe të shihnit performancën e tyre?

Në fakt, kur po përgatisnim raportin, SPAK ekzistonte në letër dhe jo fizikisht. Tani e dimë se hapi i parë i rëndësishëm është bërë që SPAK-ut i është dhënë jetë. Mundemi vetëm të inkurajojmë institucionin të fillojë të funksionojë dhe t’i provojë popullit në Shqipëri se gjyqësori dhe shërbimet e prokurorisë kanë vullnetin të luftojnë korrupsionin dhe funksionimi si duhet i SPAK do të jetë një tregues i mirë i këtij vullneti. Nuk ishte e mundur për ne që ta vlerësonim sepse nuk funksiononte kur bëmë raportin, por e dimë se tani institucioni ekziston dhe i inkurajojmë ata të punojnë si duhet.

Pra, ky raport reflekton situatën deri kur, deri në çfarë periudhe?

Vizita e grupit vlerësues u bë në nëntor 2019. Për shkak të krizës sanitare, u vonua pak. Besoj se të gjithë do ta kuptojnë këtë. Ndaj ka njëfarë hapësire mes vizitës dhe nxjerrjes së raportit. Por ne u përpoqëm të merrnim në konsideratë të gjitha elementet e dhëna nga autoritetet shqiptare deri dhjetorin e kaluar.

Ju flisni shumë për policinë në raport dhe ka shqetësime sa i takon emërimit të nivelit mesatar të drejtuesit. Ata duhen emëruar nga drejtori i policisë dhe jo nga ministri i brendshëm. Kishit ndonjë shqetësim specifik për këtë?

Po, e vërtetë. Duke folur përgjithësisht, raporti dhe GRECO shtyjnë autoritetet shqiptare të shkojnë më thellë në depolitizimin e policisë, që niveli i lartë dhe i mesëm i oficerëve të policisë të mos varet shumë nga rrethanat politike, por të jenë duke ecur në afatgjatë. Prandaj, rekomandohet mes të tjerash, që niveli i mesëm i policisë të mos emërohet politikisht nga ministri i brendshëm, por nga drejtori i përgjithshëm i policisë, që do të ishte një sinjal i depolitizimit të policisë në Shqipëri.

Raporti përmend dhuratat për departamentin e policisë, që është disi problematike. Keni problem me transparencën, kush janë donatorët dhe me arsyet pas këtyre dhuratave?

E vërtetë. Grupi i vlerësimit u habit kur pa se ishte e mundur që policia të merrte dhurata. Nuk është e zakonshme në shtete të tjera evropiane. Nuk na takon neve të themi se nuk mund të bëhen të tilla dhurata por të paktën, të jenë nën rregulla strikte, që të sigurohemi se nuk ka mundësi korrupsioni përmes dhuratave të tilla. Duhen vendosur rregulla më të qarta nëse policia shqiptare dëshiron të vijojë të marrë dhurata të tilla.

Nëse mund të bëni një vlerësim për punën e policisë në luftën kundër korrupsionit. Jeni i kënaqur?

Mendoj se ka shumë përmirësime të bëra në këtë drejtim. Ka ende punë për të bërë. Për momentin, është thjesht ndjesi se populli po i beson gjithnjë e më shumë policisë së nivelit të ulët, por ata kanë ende shumë dyshime për integritetin e plotë të oficerëve të lartë të policisë. Ka gjithashtu shumë punë për t’u bërë për të dhënë të gjitha garancitë se policia punon me nivel të lartë integriteti dhe me nivel të lartë transparence. Mendoj se me rekomandimet nga GRECO, ka një mundësi për t’u përmirësuar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.