Sa kushton kjo varësja e floririt? Dy vëllezër që të dy të përfshirë në çështje droge në kryeqytet kishin piketuar një argjendari në rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe pas planeve, njëri prej tyre hyri si klient i interesuar. Sipas dosjes që është vënë në dispozicion nga policia qendrore, njëri prej tyre hyri në dyqan 3 ditë përpara se të kryente sulmin dhe pasi ka këqyrur varëset e floririt e ka pyetur pronaren se kur do sillte furnizim të ri.
Më pas, i riu është kthyer dhe pasi i ka ngulur sytë varëses më të trashë, është lutur që t’i hiqet bustit dhe t’i bëjë një fotografi pasi donte ta bënte dhuratë dhe paraprakisht do t’i bënte një fotografi. I veshur bukur dhe aspak i dyshimtë për shitësen, i riu ka sugjeruar që së bashku me këtë varëse të trashë t’i sillej edhe një tjetër po ashtu e bukur dhe e vlefshme. Shitësja sipas rrëfimit të mëvonshëm në polici i peshoi të dyja që shkonin njëra 70 gramë dhe tjetra 40 gramë dhe ia ka lënë në dorë klientit.
Nga veprimet e mëpasshme policia deklaron se zbuloi që mjeti ishte marrë me hua përdorje nga dy të rinj, që të dy vëllezër me njëri-tjetrin dhe veçanërisht njëri prej tyre rezulton të jetë i implikuar edhe më herët në histori droge. Një zyrtar policie tregoi se janë pyetur familjarët e të dyshuarve, të cilët kanë ngritur supet. Por nuk ka vepruar kështu e fejuara e nje prej dy shtetasve te dyshuar . Ajo tregoi se ditën e ngjarjes kishte dalë nga banesa, pasi kishte bërë një xhiro me të fejuarin dhe kunatin, ata e kishin lënë pranë një dyqani në afërsi të vendngjarjes.
“Më thanë të ikja në shtëpi, por unë hyra në një dyqan celularësh pasi e kam të dëmtuar xhamin, pyeta sa vlente çmimi dhe më thanë 25 mijë lekë të reja”. Sipas të resë në orët në vazhdim e reja është telefonuar nga i fejuari që i ka kërkuar të hynte në internet dhe të shikonte sa kushtonte një gramë flori. “Kërkova në google dhe i shkrova se një gramë kushton 3100 lekë të reja, në darkë i fejuari erdhi në shtëpi dhe më dhuroi 18 mijë lekë të reja”, shpjegon më tej vajza. Por ajo që ka treguar e reja për policinë ka hedhur dritë mbi profilin e të riut dhe të vëllait që pasi morën makinën me qira u zbuluan nga dëshmitari okular, i cili ju dha targat e sakta agjentëve të krimeve, që kanë gërmuar dhe kanë zbuluar agjencinë ku ata e kishin marrë me qira.
“I fejuari im është përdorues i kokainës prej dy vitesh. Ai ka shumë borxhe”, ka thënë e reja, e cila ka radhitur edhe emrat e borxhlinjve, të cileve grabitësi u detyrohet 1 milionë lekë.
Policia thotë se dy vëllezërit, njeri prej tyre i dënuar për çështje droge, bashkëpunuan me njëri-tjetrin për të rrëmbyer dy varëset e shtrenjta. Gjatë aksionit për kapjen e tyre është sekuestruar edhe automjeti, disa bizhuteri të tjera të dyshuara si të vjedhura një shumë prej 5 milionë lekë që dyshohet se janë përfituar nga shitja e floririt dhe 53 gramë kokainë./GazetaSi