Standard.al

Analogjia vrastare; 2 Dhjetori 1945 i Hoxhës dhe 30 Qershori 2019 i Ramës

0

Nga Aleksandër Biberaj

Ka një analogji vrastare apo paralelizëm të frikshëm ndërmjet zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij kriminal me votimet moniste të 30 qershorit 2019 të Edi Ramës dhe klikës së tij të korruptuar, një paralajmërim i fortë ky për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Zgjedhjet e 2 dhjetorit për Asamblenë Kombëtare u mbajtën një vit pas mbarimit të luftës, ku garuan vetëm kandidatë nën siglën e Frontit Demokratik, që ishte në thelb një ambalazh i Partisë Komuniste. Partitë opozitare apo rrymat e tjera politike, si alternative e mundëshme ndaj komunistëve, nuk u lejuan të marrin pjesë në zgjedhje pasi ato u përjashtuan nga partia-shtet nëpërmjet kodit elektorala apo ligjit zgjedhor. Fatkeqësisht diktatura kishte filluar të instalohej në mënyrë të egër dhe më shpejtësi marramendëse në Shqipëri. Edhe Edi Rama dhe klika e tij e korruptuar organizuan me 30 qershor 2019 farsën-maskaradë të votimeve moniste me një kandidat të vetëm, pasi opozitës reale i’u krijuan kushte që të mos merrte pjesë në zgjedhje, ndërkohë që qeverisja e rilindjes nxiti dhe promovoi parti apo individë fallco që të merrnin pjesë në zgjedhje “për ti veshur ato me petkun e zgjedhjeve pluraliste”. SHBA-ja dhe Britania e Madhe i drejtuan mesazh të qartë Enver Hoxhës dhe pushtetit të tij kriminal në vitin 1945 se “qeveria e tij do të njihej prej tyre, vetëm nëse do të mbante zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ndërkohë që ato zgjedhje farsë vetëm të tilla nuk ishin. Edhe për votimet moniste të 30 qershorit, Perëndimi i bëri thirrje Edi Ramës që të mos bënte votime pa opozitën pasi nuk mund të kishte zgjedhje demokratike me një kandidat të vetëm. Në votimet e 2 dhjetorit teknikisht dhe me hile, edhe për shkak të shkallës së madhe të analfabetizmit, u votua me gogla që hidheshin në dy kuti: për kandidatët e Frontit, dhe për kundërshtarët e Frontit. Në mënyrë tinzare, fundi i kutisë së dytë ishte prej metali, në mënyrë që të dëgjohej gogla që binte në të, kështu që pas përjashtimit të kundështarëve, komunistët identifikuan edhe votuesit që ishin kundër tyre, mbi të cilët do të binte ndëshkimi i Enver Hoxhës dhe pushtetit të tij kriminal. Fronti Demokratik fitoi me 95 % të votave, ndërkohë që Enver Hoxha i përbetohej gazetarëve perëndimorë, se fituesit përfaqësonin aspiratat dhe vullnetin e popullit. Si pasojë Londra dhe Uashingtoni e denoncuan këtë farsë, dhe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike. Edi Rama fitoi me 30 qershor 100 %, pasi vetë votoi, vetë i numëroi votat dhe vetë mezi shpalli rezultatin pas një muaji, ndonëse pati mbi 100.000 vota abstenim apo kundër, si votat me gogla kundër Fronti në vitin 1945.  Perëndimorët e kishin paralajmëruar Edi Ramën se me zgjedhje moniste nuk do të hapeshin negociatat për t’u anëtarësuar në BE, por Edi nuk dëgjoi dhe ja ku jemi tani, ku BE-ja nëpërmjet Kancelares Gjermane Angela Merkel e mbylli derën edhe këtë vit për hapjen e negociatave për të tetin vit radhazi, pasi në Shqipëri akoma nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit, Enver Hoxha duke pasur duar të lira, nisi asgjësimin fizik të opozitës, duke vrarë dhe burgosur qindra intelektualë, patriotë, përfshirë edhe deputetë. Ky ishte edhe epilogu gjakatar i zgjedhjeve të para që zhvilloi regjimi komunist më 2 dhjetor 1945, zgjedhjet e para dhe të fundit në të cilat regjimi kriminal komunist, për arsye të interesit të njohjes së qeverisë së Enver Hoxhes nga ndërkombëtarët, u përpoq që t’i vishte me një “fasadë demokracie”, pasi në të gjitha zgjedhjet e tjera komunistët nuk ruajtën as për sy e faqe fasadën, por sanksionuan diktaturën komuniste dhe shtetin e diktaturës së proletariatit, si dhe zgjedhje monisite me një kandidat komunist të partisë shtet. Edhe Edi Rama po ecën në të njëjtën linjë, ndonëse në kushte dhe rrethana të tjera, pasi me dhjetëra herë flet për shkrirjen e opozitës reale dhe përpiqet që të promovojë opozitën fasadë si ajo e parlamentit aktual që voton gjithmonë për qeverinë e tij. Por fatmirësisht nuk jemi në vitin 1945, por jemi në vitin 2020 ku opozita e bashkuar është shumë më e fortë se Edi dhe qeveria e tij e rilindjes, e zhytur në krime dhe korrupsion sipas të gjithë raporteve të agjensive ndërkombëtare. Me ndryshimet e njëanëshme të kushtetutës dhe kodit zgjedhor, Edi po bën po atë që bëri Enver Hoxha para dhe pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, por Shqipëria dhe shqiptarët kanë tashmë aq eksperiencë, përvojë, njohuri dhe kulturë demokratike, për të mos e lejuar Edi Ramën që të imitojë edhe më gjatë babain e tij shpirtëror, një kopje e deformuar e të cilit është. 25 prilli po afron dhe fitorja e opozitës së bashkuar do të jetë spektakolare, ndërsa Edi Rama dhe banda e tij qeverisëse do t’i perkasin të kaluarës së erret të ketij vendi, periudhës 2013-2021 kohë kur Shqipëria u keq-qeveris nga nja bandw, e cila i bëri Shqipërisë atë që as pushtuesit më të egër nuk do t’ia bënin!

 

 

——-

 

 

 

 Në djall Evropa dhe FMN, Edi Rama nuk pyet më për njeri!

 

Nga Ermal Mulosmani

 

Dy lajme mjaft shqetësuese u bënë të ditura dje nga agjenda ndërkombëtare e Shqipërisë. I pari vinte nga Gjermania dhe, megjithëse i veshur me elegancë diplomatike nga Kancelarja Merkel, ishte mjaft shqetësues: lajmëronte mundësinë e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në proçesin e hapjes së konferencës ndërqeveritare të negociatave që do të ndodhë në Dhjetor.

Çështja e Shqipërisë është pak më ndryshe, megjithë përparimet nuk mund të premtoj se do ndodhë këtë vit” – deklaroi Merkel në një takim virtual me diplomatë dhe anëtarë të vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së.

Merkel shprehet e shqetësuar për ndarjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe shpreson për një “lënie mënjanë të grindjeve” ndërsa nuk ka asnjë këshillë për Shqipërinë. Thjesht “jemi pak ndryshe” ne dhe nuk mund të na premtojë asgjë…

Po për çfarë jemi kaq ndryshe ne, pse znj Merkel do të na ndajë nga Maqedonia, e cila, sherri ynë nuk e mori çeljen e negociatave as vitin e shkuar?

Ndër mend më vijnë deklarimet e forta të Kryeministrit Macron në Nëntor 2019, kur tha :

Ka një shumicë vendesh evropiane (përveç një pakice) që ishin pro hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut por kishte një shumicë vendesh kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Unë mendoj që hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe lënia vetëm e Shqipërisë do të ishte gabim i tmerrshëm për rajonin”.

Atëherë çfarë e detyroi Kancelaren Merkel sot, një vit pas kësaj deklarate, të shprehej pro ndarjes?

Kryeministri ynë vazhdimisht shprehet se kjo është një çështje e brendshme e Bashkimit Evropian. “Holanda ka probleme të vetat, edhe Franca, më ka thënë vetë Macroni mu kur flas në telefon”. Po për Maqedoninë e Veriut nuk kanë problem të brendshme Holanda Franca etj? Pse për ata bien dakort, madje i luten edhe Bullgarisë për të reaguar tolerante ndërsa për ne deklarojnë: “jemi pak më ndryshe”?

Bundestagu gjerman  vuri 15 kushte për Shqipërinë, vjet në Tetor, kur refuzoi hapjen e negociatave për dy vendet tona. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dha dorëheqje dhe e çoi vendin në zgjedhje të përgjithshme pasi e konsideroi një dështim personal moshapjen e tyre. Ndërsa Kryeministri ynë, që mori në qafë kolegun e vet maqedonas, deklaronte në mënyrë sistematike që këto “janë probleme të brendshme të vendeve të Evropës”

Ndër kushtet kryesore të Bundestagut ishte Reforma Zgjedhore konsensuale. Çfarë bëri Kryeministri ynë? Pasi miratoi një draft të përbashkët me Opozitën, që në thelb nuk ndryshonte asgjë nga ligji ekzistues, bëri ndryshimet kushtetuese kundër vullnetit të opozitës jashtëparlamentare.

Publiku shqiptar shihte plot maraz talljen publike me surrogatët parlamentarë, që, nën petkun e një sistemi me lista të hapura, zhdukte përfundimisht koalicionet parazgjedhore! Më në fund Edi Rama bëri realitet ëndrrën e tij të vjetër, daljen e partive me lista të veçanta ose me vetëm një listë të përbashkët por kurrsesi me koalicion parazgjedhor me lista të ndara.

Ky ndryshim kushtetues, që rrëzonte marrëveshjen e 5 Qershorit, ishte përfundimisht një tallje edhe me ndërkombëtarët, me ambasadën amerikane, Bundestagun, integrimin dhe çdo factor tjetër evropian që ishte bërë ndërmjetës dhe garant për Reformën konsensuale!

Në emër të sovranitetit, Edi Rama u dha një shkelm bythëve të gjithë të lartpërmendurve dhe i kënaqur vazhdoi punën për rrënimin  e listave të hapura në seancën e Shtatorit…

Mirëpo ja, Merkeli nuk mund të harronte. Po bën të pabërën, atë që dikur Makroni e komentonte si “Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia është një gabim i tmerrshëm për rajonin”!

Nuk ka gjë, më mirë këtë gabim të tmerrshëm sesa të durojmë kapardisjen e një mendjemadhi ballkanas. Le të vazhdojë me Minishengenin ai” – duket sikur thonë liderët evropianë.

Edhe Rama nuk është fort i merakosur. Në fund të fundit, ndoshta është më mirë kështu, me raporte të ngrira me BE-në. E çdo e gjejë Ramën nga refuzimi kokëfortë? Kështu do shtojë edhe më abuzimin brenda vendit. Me zgjdhjet në sfond duket që ky refuzim është i mirëpritur madje.

Shqiptarët  po, ata do humbasin. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” – kanë 30 vjet që ulërasin dhe shpresojnë të bëhen vërtetë. Por kjo është një punë e tyre jo e Kryeministrit…

Lajmi i dytë kishte të bënte me Fondin Monetar Ndërkombëtar, institucionin më me reputacion të financave. Në raportin e tij për Shqipërinë, përveç përgëzimeve që ndodhin rëndom, ngrinte disa probleme mjaft shqetësuese:

FMN i rekomandon qeverisë që të frenohet dhe të mos kryejë shpenzime jo prioritare në mënyrë që të lirojë fondet për reagimin ndaj emergjencave si dhe të sigurojë një përdorim të përshtatshëm të fondeve dhe monitorim të tyre”.

FMN vlerëson që ka një rrezik të lartë që projektet e partneritetit publik privat (PPP) të hartuara keq, të rrisin detyrimet. Rreziku është mesatar që këto kontrata të dëmtojnë eficiencën e investimeve publike dhe të krijojnë detyrime të mëdha, që mund të cenonin qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit.

Një tjetër rrezik i mesëm është që kriza të çojë në pakënaqësi sociale dhe destabilitet politik dhe nëse kjo do të ndodhte rreziku i pasojave do të ishte i lartë dhe do të rriteshin pabarazitë.

Ndërkohë që FMN po na lajmëron se po mbarojnë amortizatorët fiskalë dhe ekziston një rrezik i lartë nga projektet PPP, Kryeministri ka vendosur që, përveç PPP-ve ekzistuese të shtojë edhe 6 të tjera, ndër të cilat vetëm rruga Milot – Fier ka të planifikuara rreth 1,4 miliardë Euro për 115 km! Shto këtu edhe rreth 160 mln Euro për infrastrukturën e bazës së të dhënave dhe mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore, rreth 100 milionë Euro për Aeroportin e Vlorës etj etj. Në total janë planifikuar në buxhetin e shtetit rreth 1 miliardë e 778 milionë Euro!

Është e drejta e Kryeministrit dhe e Qeverisë të vendosë shpenzimet prioritare. Por, kur institucioni më i lartë financiar ndërkombëtar të këshillon të kihet kujdes me paratë se po bëhet batërdia, taksat po ulen, sëmundja po përhapet, varfëria po shtohet, Kryeministri ynë i jep edhe shkelmin e fundit financave që edhe ashtu ishin drejt greminës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.