Dëshpërimi që ka përfshirë pushtetin!

0
123

Ermal XHELILAJ

Me afrimin e fushatës zgjedhore dhe me zgjedhjet parlamentare vetëm disa muaj larg, pushtetin duket se e ka përfshirë paniku e dëshpërimi nga frika e një humbje të thellë elektorale. Kjo pasiguri e frikë e pushtetit është evidentuar jo vetëm nga sondazhet e brendshme të strukturave të saj partiake, që e nxjerrin atë me një rënie konsiderueshme të mbështetjes popullore, por edhe nga pakënaqësia e madhe e qytetarëve shqiptarë me qeverisjen aktuale, braktisja e vendit nga të rinjtë e pashpresë, të cilët janë faktor përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë, si dhe nga zhvillimet e fundit politike lidhur me bllokimin e hapjes së negociatave me BE. Refuzimi i Gjermanisë, Hollandës, Francës etj, për hapjen e negociatave me Shqipërinë tashmë është një fakt, dhe qendron si shpata e Demokleut mbi kryet e Qeverisë dhe Kryeministrit për dështimet e tyre.

Ndryshimi i kushtetutës dhe kodit zgjedhor nga ana e Qeverisë në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me parimet bazë të pluralizmit politik e normave themelore demokratike ishte indikacioni i parë që tashmë pushteti ndihej nën presion e pasiguri mbi të ardhmen e tij politike. Ndërkohë, refuzimi i prerë, anti-integrues dhe aspak diplomatik i Kryeministrit për të mos marrë në konsiderate opinionin e këshillat e institucioneve të rëndësishme të BE e të ambasadorëve të aleatëve strategjik të Shqipërisë mbi rrezikun e ndryshimit antikonsensual të kodit zgjedhor, treguan sërisht se dëshpërimi i këtij pushteti për të ardhmen e tij ishte një realitet.

Këtë e konfirmuan edhe “zëdhënësit” klasik të Kryeministrit, të cilët shpejtuan të deklarojnë se parlamenti shqiptar nuk do të priste vendimin e Komisionit të Venecias mbi ndryshimet në kodin zgjedhor. Ky vendim i pushtetit në kundërshtim me misionin, projekt-strategjinë dhe objektivat themelore të Shqipërisë, si një vend anëtar i NATO-s, OSBE dhe një shtet kandidat e aspirant për të aderuar në BE, pasqyruan shqetësimin e thellë që karakterizon pushtetarët shqiptarë se mundësitë pothuajse inekzistente për të patur mbështetjen dhe votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit, duhet të “rekuperohen” vetëm me legjislacion zgjedhor antidemokratik.

Dëshpërimi i Kryeministrit nuk u pasqyrua vetëm me amendime të njëanshme legjislative. Duke qenë nën presion nga segmente të caktuara politike e financiare klienteliste, nga pushteti filloi konkretizimi i operacionit “perça e sundo” me anë të krijimit të partive të reja pseudo-opozitare nëpërmjet financimeve të dyshimta qeveritare e të oligarkëve, me qëllimin themelor fragmetizimin e votave opozitare dhe diversionin politik.
Duke marrë në konsideratë faktin që ndryshimet legjislative dhe krijimi i partive të reja kukull nuk po jep efektin e duhur për shkak të sensibilizmit e ndërgjegjësimit të opinionit publik, dështimit të propagandës qeveritare dhe aksionit të frontit opozitar, pushteti i ndodhur përballë një situatë problematike të paprecedentë politike e ekonomime hodhi në veprim propagandën e sofistikuar me sensibilitet kombëtar kundër liderit të opozitës Lulzim Basha.

Akuzat qesharake kundër z. Basha, të fabrikuara nga pushteti me anë të mediave të blera e financimeve të dyshimta, kishin për synim hedhjen baltë mbi reputacionin e liderit të opozitës për shkak të mbështetjes në rritje që ka ai te qytetarët shqiptarë. Dëshpërimi i pushtetit për të përfituar nga situata e vështirë politike, shëndetësore e ekonomike ku ndodhet, e bëri propagandën kundër kreut të opozitës kaq ineficente, falsë e qesharake sa z. Basha rezultoi të dalë më i konsoliduar në pozitat e tij politike.

Dëshpërimi i pushtetit e këtij Kryeministri është kaq evident sa mungesa e arritjeve e sukseseve gjatë qeverisjes 8 vjeçare ka bërë që premtimet elektorale janë banalizuar në nivele të tilla sa tashmë Qeveria po premton ujë 24 orë, bëhen inagurime qesharake të rikostruksioneve të banesave të qytetarëve, apo duke propaganduar absurditete sipas të cilave Shqipërisë nuk iu mundësua hapja e negociatave për shkak të Maqedonisë së Veriut. E vërteta është se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht të përcaktuar nga BE dhe fatkeqësisht sa të jetë kjo Qeveri në pushtet vendit nuk duket se do t’i jepet mundësia për të qenë pjesë e integrimeve europiane. Dëshpërimi i pushtetit është një indikacion i qartë se ky argument qendron.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here