Biden prezanton anëtarët kryesorë të ekipit të tij ekonomik

0
116

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris pritet të prezantojnë sot (e martë) anëtarët kryesorë të ekipit të tyre ekonomik.

Emrat u bënë fillimisht publikë në një deklaratë të hënën. Mes tyre bie në sy emri i ish-kryetares së Rezervës Federale Janet Yellen, e cila pritet të jetë gruaja e parë që do të drejtojë Departamentin e Thesarit në historinë 231 vjeçare të këtij institucioni.

Ekipi ekonomik do të përballet me sfidën e menjëhershme të trajtimit të efekteve të pandemisë së koronavirusit në vendin me ekonominë më të madhe në botë.

Neera Tanden u emërua në detyrën e drejtores së Zyrës qeveritare për Menaxhimin dhe Buxhetin. Ajo është aktualisht presidente e Qendrës për Përparimin Amerikan, një grup liberal hulumtimi e që trajton çështje që lidhen me politikat publike në Uashington. Nëse konfirmohet nga Senati, zonja Tanden do të ishte gruaja e parë me ngjyrë dhe e para amerikane me origjinë nga Azia Jugore që do të drejtonte agjencinë.

Zoti Biden emëroi gjithashtu Wally Adeyemo, i cili ka trajtuar prej kohësh çështje që lidhen me politikat ekonomike, si zëvendës të zonjës Yellen. Ai pritet të jetë i pari afrikano-amerikan që do të mbajë pozicionin e rangut të dytë në Departamentin e Thesarit.

Ekonomistja Cecilia Rouse, dekane e shkollës së Çështjeve Publike e Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, u emërua kryetare e Këshillit të Konsulentëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë. Ajo pritet të jetë e para afrikano-amerikane në këtë pozitë dhe e katërta grua në këtë detyrë.

Zoti Biden zgjodhi dy ekonomistë të tjerë, Jared Bernstein dhe Heather Boushey-n si anëtarë të këshillit ekonomik.

“Ndërsa punojmë për të vënë nën kontroll virusin, ky është ekipi që do të sigurojë lehtësim të menjëhershëm ekonomik për popullin amerikan gjatë kësaj krize ekonomike dhe do të na ndihmojë të ndërtojmë ekonominë tonë sërish, më mirë se kurrë më parë” tha zoti Biden në një deklaratë.

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në ekonominë amerikane.

Aktualisht shumë prej 22 milionë vendeve të punës të humbura me shpërthimin e virusit janë rikuperuar.

Ndërsa numri i të papunëve ishte në miliona disa muaj më parë, për pjesën më të madhe të tetorit dhe nëntorit, më shumë se 700,000 mijë vetë paraqitën kërkesë për asistencë papunësie, një nivel i pashembullt që prej vitit 1960.

Emërimet e fundit të zotit Biden nënvizojnë premtimin e presidentit të ardhshëm për të krijuar një ekip zyrtarësh që “duket si Amerika”, nga pikëpamja demografike, në përbërje të të cilit ka gra e njerëz me ngjyrë. Të emëruarit e zotit Biden për postet e larta janë në kontrast me listën kryesisht me burra të bardhë në postet kryesore të administratës në largim të Presidentit Donald Trump.

Të dielën zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris emëruan një ekip komunikimi i përbërë i gjithi nga gra, me në krye drejtoreshën e komunikimit gjatë fushatës, Kate Bedingfield, ndërsa Jen Psaki pritet të mbajë pozicionin e sekretares së Shtypit.

Zoti Biden u informua për herë të parë të hënën nga komuniteti amerikan i zbulimit mbi çështje të sigurisë kombëtare me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara. Ai po përgatitet të marrë detyrën me inaugurimin e tij si presidenti i 46-të i SHBA-së më 20 janar. Zoti Biden gëzon një epërsi prej 306 votash elektorale ndaj 232 të zoti Trump, një rezultat që duhet ende të zyrtarizohet. Në SHBA është Kolegji Zgjedhor ai që përcakton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe jo vota popullore. Por zoti Biden kryeson edhe me votë popullore, me më shumë se 6 milionë vota.

Votimi shtet për shtet i Kolegjin Zgjedhor është caktuar më 14 dhjetor, më pas në fillim të janarit do të jetë Kongresi ai që çertifikon rezultatin e zgjedhjeve.

Procesi i tranzicionit të zotit Biden në postin e presidentit filloi zyrtarisht javën e kaluar pasi një agjenci qeveritare e shpalli atë fituesin e dukshëm të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Megjithatë Presidenti Trump vazhdon përpjekjet e tij ligjore për të zhbërë fitoren e zotit Biden edhe pse ai ka thënë se do t’i përmbahet rezultatit të Kolegjit Zgjedhor.

Zoti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndërsa pretendon, por pa ofruar prova, se zgjedhjet u manipuluan.

Zoti Trump dhe zyrtarët e fushatës së tij kanë humbur apo janë tërhequr nga më shumë se 30 procese gjyqësore nëpërmjet të cilave kanë pretenduar për parregullsi në procesin e votimit dhe numërimit të votive. Ekipi ligjor i zotit Trump ka apeluar në Gjykatën e Lartë të vendit të paktën një nga vendimet e rrëzuara në një gjykatë më të ulët

VOA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here