U çlirua Shqipëria, por jo shqiptarët!

0
190

29 nëntor – fitimtarët e luftës e caktuan si datë të çlirimit të vendit, kur pushtuesi i egër fashisto-nazist kishte ikur i mundur, (por Shqipëria e gjithë ende nuk është e çliruar), ndërsa shqiptarët ranë në një robëri tjetër më të madhe, nga vetvetja dhe nisi një përçarje tjetër brenda, lufta e klasave, vazhdim i luftës civile në kohë paqeje…

 

 

 

Nga Visar Zhiti

 

29 nëntor – fitimtarët e luftës e caktuan si datë të çlirimit të vendit, kur pushtuesi i egër fashisto-nazist kishte ikur i mundur, (por Shqipëria e gjithë ende nuk është e çliruar), ndërsa shqiptarët ranë në një robëri tjetër më të madhe, nga vetvetja dhe nisi një përçarje tjetër brenda, lufta e klasave, vazhdim i luftës civile në kohë paqeje…

29 nëntori doli kundër 28 Nëntorit. Shqipëria mori rrugë tjetër dhe te gjithë firmëtarët e Pavarësisë i dënoi rëndë, me burgje, pushkatime dhe harrim. Madje dhe djemtë e Ismail Qemalit, që ishin bashkëpunëtorë të të atit, njërin e burgosi dhe tjetri, pasi u grind me Enver Hoxhën, u arratis, duke marrë me vete dhe arkivin me dokumentat historike….

Dhe atë që nuk e bëri dot historia, me liderët e saj e politikat sunduese, e bën arti, poezia. Jo ajo e socrealizmit.

Po tregoj gjëra të thjeshta, nga ato të harruarat. Aktori dhe dramaturgu Hekuran Zhiti, i cili gjatë luftës shkroi poemën “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, i dy vëllezërve, njëri partizan dhe tjetri ballist, që vranë njëri-tjetrin në luftë.

Ja, poema:

 

SIMBOL…

 

Të ngrenë, të ngritën,

Në ëndrra te bregu.

Të zbresin, të shitën,

Posi plaçkë tregu.

 

Të mbrojnë, të mbrojtën,

Me shpirt e me dhëmbë.

Të ndjekin, të ndoqën,

Të shkelin me këmbë.

 

Të heqin, të hoqën,

Në male harrime.

Të djegin, të dogjën,

Me plumba, mallkime.

 

Në flakë si flakë

E shenjta flak’rove.

U derdhe si gjak,

Përgjakur gjakove.

 

Ç’të dhëmbi, ç’të piku,

Një plagë a një yll?

Vërvitu, valëvitu,

Krahët mos i mbyll.

 

AMANETI

 

Për shpirt të dëshmorëve.

Zhgaba po ju thotë:

Mos i bëni nënat të treten në lot.

Qofshi tok, të lirë si bijtë e një fisi,

Se përndryshe, dijeni,

Fati na gremisi.

 

Nën hije të flamurit, si në gji të babës,

Si bijtë e një mëme, rreth e rrotull Zhgabës!

 

Piktori shkodran, Profesor Guljelm Mosi, i frymëzuar nga kjo poemë, realizoi një tablo të shkëlqyer, duke i bërë bashkë, partizanin dhe ballistin nën hijen e Flamurit Kombëtar, me nënën që i bekon. Pra, ashtu si poema, po korrigjonte realitetin.

Piktori vazhdoi dhe me një tablo tjetër, ku autori Hekuran Zhiti është së bashku me idhullin e vet, At’ Gjergj Fishta, që vërtet e kishte takuar një herë Poetin Kombëtar, kur ishte student i Normales së Elbasanit. Më vonë atë do ta quanin “Gjergj Fishta i Toskërisë”, ndërsa fitimtarët, pasi prishën dhe varrin e At’ Gjergj Fishtës, masakruan klerin, inteligjencën patriotike, etj, dhe do ta arrestonin dhe autorin e poemës, ku partizani përqafohet me ballistin; pastaj, atij nuk do t’i ndahej përndjekja.

E gjitha pas 29 nëntorit, megjithëse kishte nisur dhe më parë.

Koha pret që të bëhet ajo që bëri poezia, ajo e dënuara atëherë. Që t’i vejë dhe historia nga pas.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here