Video e rrallë/ Sejdiu publikon pamjet e varrimit e të Halit Gecit, aty është momenti i daljes publike të UÇK-së

0
125

Ish presidenti Fatmir Sejdiu ka uruar  qytetarët për Festën e Flamurit.

Ai tha se bashkë me urimin për festën e Flamurit, po ju ofroj pjesë nga rrëfimi im për dy ngjarje në Kosovë në ditën e 28 Nëntorit 1997

…Më 26 Nëntor 1997, ditë e mërkure, në fshatrat përtej Llaushës së Skenderajit, në Vojnik dhe Ludeviq, pati luftime midis pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe. Atë ditë në selinë e LDK-së na erdhi lajmi për luftime të ashpra. Me kolegët nga Kryesia Rexhep Gjergji, Basri Musmurati dhe Adil Pireva, menjëherë ia mësymë Skenderajit, përkatësisht fshatrave ku zhvillohej ngjarja. Sa më kujtohet ka qenë diçka pas mesditës. Mbërrimë shpejt. Dëgjuam krisma me breshëri armësh. Nuk u ndalëm. Në hyrje të Llaushës u takuam me konvojin e autoblindave dhe mjeteve të tjera të blinduara. Ishin të përlloqura e në vrap të tmerrit. Nuk di se si nuk na përplasën në atë shpejtësi që zhvillonin. Shumë shpejt ishim tek shkolla dhe gjetëm njerëzit e vendit duke shpejtuar ta dërgojnë në spital mësuesin e plagosur Halit Geci, i cili ishte goditur nga breshëria e zbrazur nga armët e atij konvoji.

Ishte rrëmujë. Kam mësuar më vonë se në mesin e atyre njerëzve ishte edhe luftëtari Hysen Geci, më vonë oficer i lartë i TMK – së, përkatësisht i FSK-së. Ai me bashkëvendasit të tjerë ishte angazhuar për t’i dhënë ndihmën mësuesit të plagosur. Pas përshëndetjes së shkurtër me ta, vazhduam shpejt rrugën drejt fshatrave ku i supozonim se ende kishte luftime.

Në kthesën e parë te fshati Ludeviq, vërejtëm gjurmë të shumta të makinerisë serbe. Aty pamë edhe rrethatore fishekësh të zbazëta, por edhe të mbushura, të armëve të kalibrit të madh, jelekë antiplumb dhe gjësende tjera. Në të majtë një veturë “Opel Askona” e bërë shoshë. Nuk kishte të vrarë e as gjurmë gjurmë gjaku.Kam mësuar më vonë se kishte qenë e Komandantit legjendar Adem Jashari i cili edhe kishte organizuar sulmin me pritë ndaj forcave serbe. Me gjasë, ajo veturë ishte përdorur për qëllime strategjike, përkatësisht si pikë orientimi hapësiror ku duhej të ndodhte sulmi.

Pas dy ditësh Mësuesi Halit Geci kishte vdekur nga plagët e marra. Thuhej nga moskujdesi në spitalin e Mitrovicës, sepse nuk kishte pasur përkujdesje për t’I ndalë gjakderdhjen.

Të premten e 28 nëntorit organizohet varrimi. E njejta ekipë ishim prapë. Kishte shumë njerëz nga të gjitha anët e Kosovës.  Unë isha i ngarkuar nga Presidenti Rugova që të mbaj fjalë dhe të përcjellë ngushëllimet. Fjalë rasti mbajti edhe Idriz Rreci, tani Hero i Kosovës, i cili ishte kryetar i Degës së LDK-së së Skenderajit. Idrizi ka qenë një burrë trim dhe i palëkundur.

Nga një fjalë të shkurtër mbajtën edhe Rexhep Gjergji dhe i fundit Rexhep Abdullahu. Ato momente drejt turmës dhe binës qendrore u afrua vetura me tre pjesëtarët e UÇK-së. Më vonë u muar vesh se kush ishin. Mbajtën fjalën e tyre.

Kjo siç thuhet ishte paraqitja e parë publike.

Me të shkuar në tubim, unë kisha informacionin se mund të vijnë. Këtë më dha Halil Geci, aktivist i LDK-së, luftëtar i dallluar i UÇK -së, kusheri i mësuesit të vrarë.

Në mbrëmje bashkë me këtë ekipë u nisëm për në fshatin Gjocaj, që është në buzë kufirit administrativ me Shqipërinë.

Së pari, takuam njerëzit nga Dega e LDK-së së Deçanit e më pastaj ata të Junikut.Një pjesë të rrugës së përlloqur e kaluam këmbë. Mbërrimë shumë vonë. Diku pas orës 10 të mbrëmjes. Ismeti, një djalë kolos ishtë maltretuar dhe masakruar në mënyren më  barbare në stacionin policor të Irzniqit. Ishte akuzuar si njeri i rrezikshëm për pushtetin okupator. Si i tillë, ai kishte bartur armë nga Shqipëria.

Ishte e rëndë për familjarët dhe gjithë ne për të parë atë së çfarë veprimesh sadiste kishin bërë në trupin e tij.
Burri i madh nuk ishte gjunjëzuar, tha ish presidenti Fatmir Sejdiu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here