Standard.al

Një pyetje për ambasadoren amerikane Juri Kim, në 29 nëntor…

0

Në cilën ditë të vitit uron për çlirimin e vendit në Luftën e Dytë Botërore ambasadori amerikan në Francë? Në asnjë ditë, sepse Franca nuk ka një ditë të tillë si festë zyrtare. Dhe Franca ishte ndër fuqitë e mëdha që u shpall fituese në këtë luftë si anëtare e Koalicionit Antifashist.
Kur e bën këtë urim ambasadori amerikan në Poloni? Në asnjë ditë, sepse Polonia, anëtar zyrtar I Koalicionit Antifashist, për shkak të së cilës nisi Lufta e Dytë Botërore nuk ka një ditë çlirimi, si festë zyrtare.
Kur e bën këtë gjë ambasadori amerikan në Greqi? Në asnjë ditë, sepse Greqia për shkak të së cilës nisi Lufta e Dytë Botërore nuk ka një ditë çlirimi, si festë zyrtare.
Kur e bëjnë këtë gjë ambasadorët amerikanë në Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Norvegji, Danimarkë, të gjitha këto vende të pushtuara nga Gjermania naziste në Luftën e dytë Botërore. Në asnjë ditë, sepse këto vende, anëtare zyrtare të Koalicionit Antifashist, nuk kanë një ditë çlirimi, si festë zyrtare.
Në cilën ditë të vitit e uron festën e çlirimit ambasadori amerikan në Republikën Çeke vend i pushtuar nga Gjermania naziste pas Marrëveshjes së Munihut, kur ishte pjesë e Çekosllovakisë? Në asnjë ditë të vitit sepse Republika Çeke nuk ka një ditë të tillë, si festë zyrtare.
Jugosllavia ishte një anëtare e rëndësishme e Koalicionit Antifashist. Në cilën ditë të vitit e uronte ambasadori amerikan në Jugosllavi festën e çlirimit? Se supozohet që Jugosllavia të ketë pasur ditë çlirimi si federatë dhe republika të veçanta. Pra, në cilën ditë të vitit e urojnë festën e çlirimit ambasadorët amerikanë në Beograd, në Shkup, në Podgoricë, në Sarajevë, në Lubjanë? Sepse shtetet e reja të krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë supozohej të kishin si ditë çlirimi atë të largimit të ushtarit të fundit gjerman nga territori i tyre. Por Jugosllavia komuniste nuk ka pasur ditë çlirimi, si festë zyrtare, as si federatë, as si republika të veçanta.
Italia në 1943, pas përmbysjes së Musolinit dhe kapitullimit iu bashkua zyrtarisht fuqive aleate antifashiste. Në cilën ditë të vitit e uron ambasadori amerikan në Itali festën e çlirimit? Në asnjë ditë të vitit sepse Italia nuk ka një të tillë, si festë zyrtare. 25 1945, festa zyrtare, prilli është dita e fillimit të kryengritjes së përgjithshme, ndërsa trupat gjermane në Itali iu dorëzuan aleatëve perëndimorë në fillim të majit 1945.
Rumania, pas përmbysjes së diktaturës së Antoneskut në gusht 1944, iu bashkua ushtarakisht bllokut antifashist. 300 mijë ushtarë rumunë u vranë duke luftuar kundër Gjermanisë Naziste deri në maj 1945. Në cilën ditë të vitit e uron ambasadori amerikan në Bukuresht festën e çlirimit? Në asnjë ditë të vitit sepse Rumania nuk ka një të tillë, si festë zyrtare.
Bullgaria, pas përmbysjes së regjimit pronazist në shtator 1944 iu bashkua ushtarakisht bllokut antifashist. 20 mijë ushtarë bullgarë u vranë duke luftuar kundër Gjermanisë naziste. Shkupi, Prishtina, Mitrovica u çliruan nga Ushtria Bullgare. Në cilën ditë të vitit e uron ambasadori amerikan në Sofje festën e çlirimit? Në asnjë ditë të vitit sepse Bullgaria nuk ka një të tillë, si festë zyrtare.
Bashkimi Sovjetik ishte vendi që mbajti peshën kryesore në luftën kundër Gjermanisë Naziste. Në cilën ditë të vitit e uronte ambasadori amerikan në Moskë festën e clirimit kur ekzistonte Bashkimi Sovjetik. Në asnjë ditë sepse Bashkimi Sovjetik nuk kishte një ditë të tillë, si festë zyrtare, as si shtet federal, as për republikat e veçanta ku shkeli këmba e ushtarëve pushtues në Luftën e Dytë Botërore. Pra, as Rusia, as Bjellorusia, as Ukraina, as Moldova, as Lituania, as Estonia, as Latvia nuk kanë ditë çlirimi, si festë zyrtare.
Vetëm një vend në Europë ka ditë çlirimi si festë zyrtare në Luftën e Dytë Botërore, dhe ky vend është Shqipëria, vendi i vetëm europian i pushtuar që nuk u pranua zyrtarisht si anëtar i Koalicionit Antifashist.
Ambasadorja amerikane në Tiranë është e vetmja ndër ambasadorët amerikanë në Europë që uron ditën e çlirimit në Luftën e Dytë Botërore, në vendin ku gjendet me detyrë. Duhet pena e satirikut të famshëm amerikan Mark Twain për ta përshkruar më mirë këtë ndodhi.
Lereni të qetë poetin tonë rilindas Naim Frashërin zonja ambasadore, mos e përzieni me bëmat e komunistëve serbofilë shqiptarë, traditën e të cilëve e vazhdojnë sot të ashtuquajturit socialistë.

Kastriot Myftaraj

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.