Standard.al

Kriza po zgjeron tregun e zi të fajdeve…

0

Kredia informale jashtë tregjeve të rregulluara ka shënuar zgjerim të shpejtë në gjysmën e parë të këtij viti. Rezultatet e dy anketave të Bankës së Shqipërisë në familjet dhe bizneset huamarrëse tregojnë se 48% e individëve që kanë një hua për të paguar, e kanë marrë atë në tregun e zi, nga individë të tjerë. Fenomeni u përhap edhe te bizneset, sidomos tek ato të vogla, ku 8% e tyre janë financuar nga tregu i zi. Fajdet po ushqehen nga qarkullimi i lartë i parasë jashtë bankave. Në gusht, shuma e “cash”-it në raport me ofertën monetare, shënoi nivelin më të lartë që nga viti 2019

Në kulmin e karantinës, në datën 19 prill të këtij viti, autoritetet e policisë vendore në qytetin e Shkodrës arrestuan 12 persona, pjesë e një grupi kriminal që kishte në themel të aktivitetit dhënien e parave me fajde. Grupi jepte shuma parash me afat kthimi deri në një javë, kundrejt interesave mbi 20%. Nëse kredimarrësi nuk i kthente paratë në kohë, atëherë ndaj tij merrej masa e sekuestros me dhunë, duke i përvetësuar makinën, pronën deri tek sendet personale me vlerë.

Grupe të tilla po gjejnë terren kudo nëpër Shqipëri, të ushqyer nga qarkullimi i lartë i parasë cash. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se fenomeni i qarkullimit të parasë jashtë kanaleve zyrtare ka shënuar rritje kohët e fundit, teksa numri i individëve dhe bizneseve që marrin hua me fajde në tregun e zi është rritur këtë vit.

Statistikat zyrtare të BSH-së tregojnë se në muajin gusht, paraja jashtë korporatave depozituese ishte sa 23.5% e ofertës monetare, parasë gjithsej në ekonomi i njohur si agregati M3. Ky raport ishte më i larti që nga dhjetori i vitit 2009, kur shpërtheu kriza financiare globale, që e kishte zanafillën nga bankat. Paraja cash arriti 328 miliardë lekë (2,6 miliardë euro) në fund të gushtit 2020, duke u zgjeruar me gati 40 miliardë lekë, ose 13.8% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Një pjesë e parasë cash që po qarkullon në ekonomi po jepet me fajde. Fenomeni është provuar nga dy anketa që Banka e Shqipërisë ka bërë me 437 biznese dhe 251 familje huamarrëse, rezultatet e të cilave kanë treguar se gjatë këtij viti, janë rritur dukshëm rastet e financimit nga tregu i zi për të dyja kategoritë.

Paraja me fajde në tregun e zi është më e përhapur tek individët dhe më pak tek biznese, por këto qarkullojnë vlera më të larta. Interesat janë të larta dhe afatet e kthimit të shkurtra. Kryesisht përdoret për konsum, për të financuar qarkullimin tek bizneset, ose për të shlyer një borxh tjetër.

Huaja në tregun e zi

Huaja në tregun e zi alokohet kryesisht në dy kanale, nëpërmjet kontratave noteriale dhe grupeve të organizuara kriminale, ose marrëveshje mirëbesimi dypalëshe. Kontratat e huasë jashtë bankave, përgjithësisht, janë për shuma të vogla dhe afate shumë të shkurtra. Palët e interesuara, në rastet kur shkojnë te noteri, bien dakord paraprakisht për kushtet, duke lënë edhe një kolateral, që në të shumtën e rasteve janë pasuri të lëvizshme.

48% e familjeve me borxh financohen nga tregu i zi, rritje më 2020

Individët dhe familjet në Shqipëri historikisht e kanë siguruar financimin e tyre me hua jashtë bankave se sa në institucionet e licencuara të kreditit, sipas rezultateve të një ankete me periodicitet 6-mujor që Banka e Shqipërisë bën në familjet huamarrëse, për të testuar gjendjen e tyre financiare.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti rezultoi se, nga individët me borxhe, 48% e kishin marrë nga persona të tjerë fizikë, 33% e kishin siguruar nga bankat, ndërsa një kategori tjetër, rreth 16%, ishin huamarrës kundrejt dyqaneve, pasi kanë konsumuar artikuj me borxh, të cilat shlyhen në një periudhë të mëvonshme.

Individët që kanë plotësuar nevojat me financim nga tregu i zi arritën përqindjen më të lartë që nga viti 2011, kur ky tregues ishte 54%. Të dhënat tregojnë se financimi nga tregu i zi ka ardhur gjithnjë e në rritje vitet e fundit, duke arritur kulmin në 6-mujorin e parë 2020, ku numri i familjeve që morën hua në tregun e zi u rrit me 6 pikë përqindje, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Huaja në rritje jashtë bankave këtë vit është favorizuar edhe nga pandemia Covid-19, e cila ka i vështirësuar mundësitë për të marrë kredi nga banka. Sipas të dhënave administrative të tregut të punës, rreth 47 mijë individë kanë humbur punën në 6-mujorin parë, shumë prej të cilave kanë financuar konsumin me borxh nga tregu i zi.

Pavarësisht se numri i individëve që merr hua informale është më i lartë se numri i atyre që marrin hua në banka, shuma e marrë nga bankat është më e madhe se ajo në tregun e zi. Paralelisht me rritjen e numrit të familjeve që financojnë borxhin me fajde, ka pësuar rënie numri i individëve që financohen me kredi nga bankat. Të dhënat nga anketa e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga totali i familjeve me borxh, 33% e tyre e kishin ndaj bankave me ulje 2 pikë përqindje në raport me 6-mujorin e parë 2019.

Një numër i madh familjesh borxhlie detyrohen ndaj dyqaneve dhe pikave të shitjes me pakicë. Në 6-mujorin e parë 2020, këto përbënin 16% të totalit. Zakonisht borxhi i tyre është në ushqime dhe bukë, të papaguara nga njësitë e shitjes me pakicë të lagjeve.

Ky lloj borxhi, i cili njihet si listat në dyqane, nuk përfaqëson fajdet në tregun e zi. Zakonisht, dyqanet i japin ushqimet kundrejt pagesave të mëvonshme pa interes. Shumë nga njësitë e shitjes me pakicë e humbasin arkëtimin e këtyre borxheve ose i falin pasi disa nga familjet janë aq të varfra sa nuk ka shpresë për arkëtimin e tyre./Blerina Hoxha/MONITOR

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.