Standard.al

Në 1-vjetorin e tërmetit tragjik/ Videoklipi elektoral i Ramës me komandë nga Dubai

0

Nga Gëzim Saliu

Në 1-vjetorin e një prej tragjedive më të rënda që ka përjetuar vendi ynë në shekullin e fundit, tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019, kryeministri Edi Rama zgjodhi vizitën në Emiratetet e Bashkuara Arabe. Për të qenë virtualisht i pranishëm në Shqipëri, Rama kishte përgatitur për shqiptarët një videoklip, i cili më shumë se një përkujtimore për ngjarjen e rëndë, ngjasonte me një spot elektoral.

Pikërisht në ditën që kryeministri duhej të dilte para shqiptarëve e të bënte publik bilancin e punëve të kryera nga qeveria për rindërtimin, Rama zgjodhi të shkonte me çarter në Dubai. Me argumentin se vizita atje ka në thelb marrëveshjen për rindërtimin e disa pallateve në Durrës, Rama shkoi në parajsën e qejfit dhe luksit, në ditën e përkujtimores së ngjarjes tragjike ku humbën jetën 51 qytetarë shqiptarë dhe mijëra ngelën të pastrehë.

Të kthehemi të videoklipi.

Në 3 minuta mesazh, Rama kujdeset në të gjitha sekuencat e videos që të jetë ai vetë protagonisti. Kryeministri flet në filmin me metrazh të shkurtër për veten dhe ankthin që ndjeu kur ra tërmeti.  “U zgjuam natën nga tundjet e shtëpisë, ishin tmerr, menjëherë filluan telefonatat, Durrësi keq se aty ishte dhe epiqendra”- thotë Rama.

Më pas filmi i Ramës vazhdon me tregimet e tij plot heroizëm se si ai dhe ministrat u turrën drejt Durrësit, ndërsa protagonistë në video nuk shohim as viktimat e tërmetit dhe as familjarët e tyre. I vetmi i cili qëndron në rolin e regjizorit, skenaristit dhe aktorit protagonist të filmit, është vetë kreu i Qeverisë. “Kanë qenë ditët më të çmendura të jetës time nuk mbaja mend më as datat pas 2 ose tre ditësh ndërkohë kujtoj frikën e njerëzve ato daljet me furi kur dikush shpërndante lajmin se po vjen tërmeti.”, vazhdon Rama rrëfimin e tij në vetën e parë.

Më tej, videoklipi i kryeministrit merr trajtat e një spoti elektoral, ku Rama paraqitet me çelësat në dorë të shtëpiave të rindërtuara që u jep familjarëve! A thua se ishte ky që nxorri paratë nga xhepi i tij dhe iministrave e po ua jepte qytetarëve?! Miliona euro që u morën nga BE si ndihma për tërmetin ende nuk e kanë parë dritën e rrugëve të Durrësit, Thumanës, Krujës, Laçit etj.

Nëse ka një dështim spektakolar dhe të dhimbshëm të qeverisë në këto vite është pikërisht ai me premtimet e post-tërmetit. Ndihmat financiare me bonus ishin fare të mimimizuara për qytetarët, ndërsa procesi i rindërtimit sot një vit më pas, rezulton një dështim i vërtetë. Qindra qytetarë janë ende në çadra.

Në fund të klipit, Rama e mbyll me thënien, e cila për këtë ngjarje, kërcet rëndë. “Çdo krizë është një mundësi dhe e dija se duhet ta shndërronim këtë krizë në një prespektivë të re”, theksoi Rama. Kjo nuk ishte një krizë z.kryeministër, kjo ishte një ngjarje tragjike e cila sa nga natyra aq edhe nga dora e ndërtuesve të papërgjegjshëm dhe atyre që i dhanë leje ndërtimi, solli humbjen e jetës për 51 qytetarë shqiptarë dhe mijëra të tjerë që mbetën të pastrehë.

Do të kishte qenë në nderin e kryeministrit që së paku për një here të vetme të ishte i përgjegjshëm e të përballej me shqiptarët për atë se çfarë qeveria bëri në 365 ditë për rindërtimin e banesave dhe pallateve të të prekurve nga tërmeti.

Rama duhej të tregonte specifikisht se sa bansa janë rindërtuar apo ngritur nga e para, sa pallate janë prishur e sa rindërtuar dhe se sa pritet të kryehen në vitin pasardhës. Mos mbajtja e premtimeve bëri që kryeministri t’i bëj sërisht bisht përgjegjësive dhe në vend të ballafaqimit me shqiptarët, të zgjedhë të na shfaqë një videoklip elektoral me komandë nga Dubai.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.