Standard.al

‘Jap mbretërinë për një kalë! Jap Shqipërinë për një mandat’

0

Nga Belind Këlliçi

Si sot 1 vit më parë, një tërmet me magnitudë 6.4 goditi vendin tonë. Bilanci ishte tragjik dhe vijon të mbetet. 51 njerëz mbetën të vdekur dhe mbi 3,000 vetë u plagosën. 5200 banorë mbetën të pastrehë, 5497 shtëpi dhe 558 pallate u dëmtuan rëndë, mijëra shtëpi të tjera u dëmtuan lehtë. 28 shkolla dhe 15 kabina elektrike gjithashtu patën dëmtime.

Një frymë e jashtëzakonshme solidariteti nga e gjithë bota përqafoi Shqipërinë. Shqiptarët kudo që ndodheshin u bashkuan për t’i bërë ballë fatkeqësisë natyrore.

Dëshiroj të sjell në vëmendje e të falenderoj veçanërisht Kosovën që nuk e la Shqipërinë të rrëzohej. Ato ditë të errëta treguan se kur shqiptarët bëhen bashkë, nuk ka forcë që i ndal. Falenderime e përulje për ushtarakët dhe zjarrfikësit që me vetëmohim të pashembullt dhe pa mjete e pajime rrezikuan jetët e tyre për të mbrojtur jetë të tjera.

Nëse Rikardi III i Anglisë jepte mbretërinë e tij për një kalë beteje, ngjashmërisht atëherë kur lipsej, Shqipëria e vjedhur babëzisht nuk kishte një qen. Teksa specialistët e huaj e kosovarë kërkonin shqiptarët nën rrënoja, tanët me duar në xhepa jepnin deklarata heroizmi nga panelet komode të ekraneve.

Miliona euro u dhuruan për të rimëkëmbur Shqipërinë. Të pastrehët presin ende shtëpitë e premtuara nga kryeministri i tyre. Premtimi se brenda gushtit 2020 të gjithë do të kishin një çati mbi kokë, iku si vapa me gushtin.

1 vit pas tërmetit, të pastrehët qëndrojnë ende në çadra, me shpresën se do u bjerë radha të jenë në Facebook-un e kryeministrit dhe të Erionit të tij, duke marrë çelësat që u tunden me një mburravecëri të pashoqe.

Do durojnë banorët deri në zgjedhjet e 25 prillit. Nuk kanë me se të mbushen ditët e fundit të pushtetit. Një shtëpi sot, një shtëpi nesër. Propaganda kërkon të ushqehet çdo ditë me kronika.

Shqiptarët presin prillin, kur do të shpërthejnë inagurimet e shkollave, pallateve dhe shtëpive. Tani me kursim. Nga pak. Se ashtu është puna.

Jap mbretërinë për një kalë. Jap Shqipërinë për një mandat!

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.