Teatri Kombëtar/ VV paraqet 3 kërkesa: Të vihen para drejtësisë barbarët që shembën godinën…

0
77

Lëvizja VETËVENDOSJE, qendra në Shqipëri kërkon, rrëzimin e të gjitha akuzave ndaj të gjithë qytetarëve protestues që dolën më 17 maj në shesh në mbrojtje të trashëgimisë sonë të përbashkët, Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, VV kërkon
rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte dhe ashtu siç ishte, si dhe vendosjen e plotë të drejtësisë me nxjerrjen para ligjit të atyre që morën vendimin dhe kryen aktin barbar antikombëtar të shembjes së Teatrit Kombëtar mu në zemër të Qendrës Historike të Tiranës.

Përmes një deklarate, VV thekson se ditën e dielë, publiku i gjerë, u informua nga lajmet e një televizioni, se prokuroria e Tiranës ka rrëzuar akuzat për vepra penale për 6 qytetarë që ishin në shesh më 17 maj 2020, në mbrojtje të objektit Monument Kulture të Teatrit Kombëtar.

Mes 6 qytetarëve të liruar nga këto akuza për vepra penale ishte edhe Boiken Abazi, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri.

“Por gjithë ç’dimë, e dimë nga mediat dhe jo me ndonjë njoftim zyrtar të prokurorisë. Presim, nga ato që thonë mediat, të na vendosen gjoba administrative pas rënies së akuzave për vepra penale. Ndërkohë dy qytetarë të tjerë mbeten nën akuzën për vepër penale për këtë rast për kundërshtimin e forcave të policisë.

Prokuroria nuk e njeh rrugën zyrtare të informimit ngaqë ndjek të njëjtën linjë paligjshmërie si dhe autoritetet e Policisë së Shtetit, që gjatë 17 majit 2020 kanë kryer një sërë shkeljesh, duke nisur që nga orari i veprimeve të ndërmarra, mosrespektimi i Procedurës Standarde të Policisë së Shtetit, mosrespektimi i masave anti-Covid-19 nga efektivët, dhuna shproporcionale e ushtruar ndaj qytetarëve protestues, mos-mbajta e procesverbalit për të shoqëruarit, etj.

Për këto shkelje, Avokati i Popullit u ka kërkuar javën e kaluar autoriteteve që të ndërmarrin masa për të ndëshkuar sjelljet individuale apo të organizuara të oficerëve të policisë të përfshirë në këtë operacion policor. Por deri më sot publiku nuk është vënë në dijeni as për masa ndaj atyre që dhanë urdhërat në Policinë e Shtetit, as për masa ndaj atyre pushtetarëve që morën vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës”, thuhet në reagimin e VV.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here