Standard.al

Edhe njëherë: Mbyllja e shkollave është urgjencë!

0
Nga Sali Berisha 

“Edhe njëherë, mbyllja e shkollave është urgjencë për frenimin e pandemisë! Ato janë sot bomba biologjike të përhapjes së pandemisë!”

Nga 15 shtatori gjer sot numri i rasteve të infektuara çdo ditë është rritur me 500%. Vetëm dje u shpallën 17 vdekje spitalore nga Covid-19.

Dje në Shqipëri, me një testim më pak se 1:3, pati 795 të infektuar nga COVID-19 ose 5 herë më shumë raste se sa më datë 15 shtator.

Po kështu, pati dhe 17 vdekje apo mbi 50% të të gjitha vdekjeve të tre muajve të parë të pandemisë.

Këto të dhëna dëshmojnë se situata e pandemisë në Shqipëri është jashtë çdo kontrolli dhe po rrok listën me shpejtësi.

Duhet mbajtur parasysh se me një testim normal, numri i rasteve të infektuara dje do të ishte 2500-3000 dhe po të mos fshiheshin vdekjet spitalore, numri i të sëmurëve të vdekur dje nga COVID-19 në spitalet Covid dhe ato të rretheve është rreth 36 – 40, pa llogaritur këtu vdekjet e shumta jospitalore nga COVID-19 në të katër anët e vendit numri i të cilave është rreth 90 – 100.

Pavarësisht nga këto të dhëna me përkeqësim progresiv, kryepidemiologu injorant i Surrelit, Edvin Hajduti, ka zgjedhur që në krye të radhës mashtrimin dhe manipulimin për trajtimin e pandemisë.

Në këtë kontekst ai vazhdon refuzimin e mbylljes së shkollave duke ndezur kështu flakë pandeminë COVID-19 në Shqipëri dhe po e çon vendin drejt katastrofës.

Në fund të gushtit, por dhe në fillim të shtatorit, duke konstatuar se Shqipëria kishte kushtet më minimale për hapjen e shkollave për nxënësit, kërkova shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor për të parandaluar shndërrimin e shkollave në bomba biologjike të përhapjes së COVID-19.

Natyrisht, reagimi i kryepidemiologut injorant të Surrelit dhe lakejve të tij ishte se shkollat po i hapim, sepse ato i hapën Gjermania, Franca, Italia, Britania etj.

E vërteta është se ato vende i hapën shkollat, por kushtet në shkollat e tyre ndryshonin me ato të Shqipërisë si dita me natën.

Në shkollat e Shqipërisë nuk ekzistojnë kushtet më minimale mbrojtëse të fëmijëve tanë nga Covid-19.

Shumica dërrmuese e tyre janë pa ujë, pa mjediset e duhura higjieno-sanitare, pa dizinfektant me klasa 45 nxënës dhe në asnjë aspekt absolutisht në asnjë aspekt nuk mund të krahasohen me shkollat e Gjermanisë, Francës, Britanisë, Italisë.

Përveç këtyre, në dallim nga të gjitha këto vende, Shqipëria ka nivelin më të ulët të testimeve në Europë, për rrjedhojë nivelin më të ulët të diagnostikimit, izolimit dhe mjekimit të të sëmurëve me COVID-19.

Sot janë me mijëra fëmijë që shkojnë çdo ditë në shkollë me prindër dhe familjarë me COVID-19, të cilët nuk bëjnë dot testin.

Sot janë me qindra e qindra mësues të infektuar me COVID-19 që vazhdojnë punën sepse nuk e bëjnë dot testin ose urdhërohen në mënyrë kriminale të fshehin gjendjen e tyre nga narko-drejtorë militantë, që para shëndetit të kolegëve dhe nxënësve venë urdhrat kriminalë të kryepidemiologut të Surrelit dhe lakejve të tij.

Duke dënuar si të papërgjegjshëm e kriminal dhe me pasoja tejet të rënda qendrimin e Edvin Hajdutit me mosmbylljen e shkollave, kërkoj mbylljen e menjëhershme të tyre në mbarë vendin dhe kalimin e tyre në sistemin online!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.