Ekonomia dhe politika: Dy anë të së njëjtës medalje…

0
81

Nga Ilir Kalemaj

Rëndom në debatet publike të politikanëve apo në media, politika dhe ekonomia trajtohen veçmas, shpesh të ndara si me bisturi kirurgu, pa marrë parasysh kontekstin ndërveprues mes tyre. Që nga determinizmi marksist, të cilën dikur Lin Biao e kishte perifrazuar jo keq kur shprehej se “politika është veçse forma e konçetruar e kapitalit”, deri te idetë klasike apo neoklasike të laissez faire, lidhja organike mes politikës dhe ekonomisë ka qenë gjithmonë simbiotike dhe e nevojshme për të kuptuar, analizuar dhe hulumtuar marrëdhëniet shoqërore, ndërveprimin e tyre dhe efektet te jeta e individit.

Idetë ekonomike sikundër thotë Kejnsi udhëheqin politikën. Por nga ana tjetër, ashtu idetë ekonomike janë gjithashtu burimi i politikës dhe interesave të cilat ajo u shërben. Sikundër shprehet J. Galbraith “ndarja e ekonomisë nga politika dhe nga motivimi ekonomik është një gjë sterile. Ajo gjithashtu është një mbulesë për realitetin e pushtetit ekonomik dhe motivimin. Dhe është gjithashtu një burim primar mosgjykimi dhe gabimi në politikën ekonomike.”

Fjalë këto që duhen mbajtur parasysh vençarisht kur analizohet fuqia strukturore që përcjell vençarisht pushteti ekonomik, shpesh i kamufluar nën një maskë impersonale që duket se është larg të diktuarit direkt apo indirekt të politikës së ditës. Për ta bërë më konkrete këtë mund të marrim si shembull kompanitë shumë-kombëshe të cilat shpesh janë vitale për ekonominë e një vendi për shkak të kapitaleve që sjellin dhe vendeve të punës që hapin sidomos në fazat e para të investimit. Jo rastësisht kur shpesh mendojmë për lidhjet mes biznesit dhe politikës, mendja na shkon te fytyrat apo emri i biznesmenëve vendas dhe shpesh flitet për lidhje të shkurtra biznes-media-politikë. Kjo është njëra anë e medaljes, ajo e dukshmja, ndërsa fuqi mjaft më të madhe ushtrojnë korporatat apo kompani shumë-kombëshe, megjithëse kjo jo domosdoshmërisht këtu te ne, për shkak të investimeve ende të papërfillshme krahasuar qoftë edhe me vendet e rajonit.

Një element tjetër i rëndësishëm në binomin politikë-ekonomi (apo biznes) është politika monetare dhe fiskale, si mjete pushteti korrektues që ka në dorë pushteti politik për të rregulluar apo derregulluar kapitalin, tregjet apo financat e një vendi. Qasjet, ndonëse të ndryshme në këtë pikë, janë gjithsesi komplimentare të njëra-tjetrës, pasi edhe ekonomia në përgjithësi është ciklike dhe nuk mjafton një politikë e ngurtë, lineare dhe me mungesë fleksibiliteti për të përballuar ciklet e suksesit dhe krizave.

Një shembull i kësaj është se, qoftë maksimizimi i vëmendjes ndaj politikës monetare, veprimit të së cilit i atribuohet vençarisht kontrolli i çmimeve sipas M. Fridmanit, një prej avokatëve më të mëdhenj të gjysëm-shekullit të 20-të të lirisë dhe zgjedhjeve individuale dhe shtetit minimal, qoftë theksi i Kejnsit për asimetrinë e veprimeve politike të kërkuara për të stabilizuar kërkesën dhe ulur papunësinë dhe vëmendja e tij ndaj politikës fiskale në veçanti, janë të dyja të nevojshme si shkolla të mendimit politik për të adresuar problematikën politike të ditës.

Akoma më tej, rryma të tilla mendimi ekonomik janë të nevojshme për të gjeneruar debat për informimin sa më të mirë të opinionit publik, i cili kësisoj do ishte edhe më kërkues ndaj kandidatëve për përfaqësues në zgjedhjet e ardhshme. Kjo dhe në raport me statusin e tij social dhe ekonomik, gjë që do ta bënte më të vëmendshëm ndaj programeve të qarta elektorale dhe axhendave qeverisëse që përputhen me to dhe do shmangte deri diku prirjet partizane dhe besnikërinë pasionante ndaj iks apo ypsilon lideri.

E thënë me fjalë të tjera, përpunimi i programeve jo thjesht për konsum partiak (apo akoma më keq si dekor) por edhe për qeverisje reale (nëse do jepet shansi) dhe informimi adekuat i publikut mbi politikat qartazi të majta apo të djathta të faktorëve dhe aktorëve politikë, do mundësonte dhe një rritje të vëmendjes së qytetarëve të këtij vendi ndaj politikës dhe aktit të shenjtë të votës.

Nëse cilido prej nesh do kishte një informim të plotë mbi filozofinë politike dhe ekonomike që ka cilado parti apo kamp politik, duke përfshirë ndër të tjera cështje të tilla si prona, taksat, politikat sociale, arsimi, shëndetësia, siguria publike, zhvillimi ekonomik, cështjet socio-kulturore e me rradhë, të gjithë do ishim dyfish më të përgatitur për të votuar, kërkuar llogari (në rast mospërmbushje të premtimeve apo shmangie ndaj mesazhit elektoral) dhe gjithashtu do shtohej besimi ndaj klasës politike në përgjithësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here