Standard.al

“Andi Lila, djali i Kavajës që nuk nxirret dot nga loja”

0

Gjashtë vite më parë, një flamur me hartën e viseve etnike shqiptare do të valëvitej në stadiumin “Partizani”. Kurrë nuk ish parë diçka e tillë në zemër të Beogradit. Dhe ai, do të rendte, djersëmbuluar, për ta shpëtuar nga kthetrat e shkjaut.

I rrethuar nga 33 mijë serbë, si të ish një gladiator përballë spektatorëve lakmitarë, Andi Lila do t’i kundërvihej dhunshëm të ngjashmit të tij, Aleksandar Mitroviç. I pastepur, gjak e nerv, i njëjti person që u përball me grishjen për debat në Fushën e Vjetër, Kavajë.

I paprecedentë ishte i tiji ndalim në stadiumin e qytetit, aty ku erërat dhe shirat i janë bërë aleat në vrap e rritje. Dhe groteske, arsyeja, se ai është kundërshtar politik, aderues në PD. Megjithatë, Lila, me të katra, nuk e ndali hapin. Si rrallëherë zgjodhi fjalët, jo topin.

Ish-futbollisti i Kombëtares vjen në një intervistë për MAPO, sportiv. Ndonëse, i prerë, i bindur se identiteti i gjithkujt po cenohet nga pushteti i sotëm, dhe se ky realitet duhet t’iu përngjajë bisedave dhe mbamendjeve të qytetarëve.

“Situata aktuale në vend përngjan si një film me minutazh të gjatë, që të paralajmëron hera-herës për një fund tragjik. Me keqardhje konstatoj se sporti shqiptar është në ditët më të zeza.

Po ndalem këtu si një ish-lojtar, por edhe si kryetar i Sindikatës së Futbollistëve. Qeveria nuk ka asnjë projekt, asnjë ambicie për zhvillim.

Dhe të rinjtë, me plot ëndrra, nuk kanë shpresë, e nuk i shoqëron një dritë, qoftë edhe në fund të tunelit…Më vjen keq për këtë!” – shprehet Lila kur e pyesim për përfshirjen e tij në politikë.

“Jam bërë pjesë e Partisë Demokratike pas propozimit të anëtarësisë së saj në Kavajë. Për të qenë i sinqertë, e pranova me shumë kënaqësi.

Si një futbollist i dalë nga ky qytet i vogël dhe si një qytetar i një vendi demonstrues nga hera, për liri dhe demokraci. Kavajsit ishin të parët që morën guximin në vitin ’90 të mposhtnin regjimin komunist. Dhe dua të besoj se do të jenë të parët që do t’i thonë “jo” propagandës, mospërfilljes e braktisjes”, – vijon Lila i cili preferon dukshëm të etiketohet si çun i k’tij veni.

Mbetet ende në pikëpyetje e ardhmja e tij si deputet i Partisë Demokratike. Megjithatë, ai shfaqet optimist, edhe në ditë kur i përplaset në fytyrë lufta për pushtet. Një e tillë ishte ajo e 17 nëntorit.

Ndërsa ishte duke regjistruar një dokumentar me kërkesë të News24, ish-lojtari i Kombëtares u ndalua të xhirojë në stadiumin e qytetit.

Në fushë të gjelbër u paraqit Drejtori i Sporteve të Bashkisë Kavajë, ish-futbollisti Aldo Duro, i shoqëruar nga policë, për t’i komunikuar urdhrin e kryetarit ilegjitim Redjan Krajli, se duhej të largohej dhe të ndërpriste intervistën, sepse tanimë ishte kundërshtari i tij politik.

Pra, në një ditë më se të zakonshme, nën të njëjtin diell e qiell, Andi Lila nuk ishte më djaloshi që nxihej fushave të futbollit me qymyr, që pikasej rrugicave të qytetit, e që i rrokullisej loti kur topi i binte në ndonjë bahçe dhe ia çanin.

Dhe si për çudi, Andi Lila nuk ishte më adoleshenti faqet e mureve të të cilit mbusheshin me taktika e skema loje.

Në një ditë më se të zakonshme, në një prej atyre fushave të mynxyrta, Andi Lila u vlerësua si një armik rilindas. “Dua të bëj një krahasim ndoshta të pavend..” , – shprehet Lila, nostalgjik, si për t’u justifikuar për rikthimin pas në kohë.

“Brohorimat dhe dhuna e serbëve për të nxjerrë kuqezinjtë jashtë stadiumit “Partizani”, nuk shkaktuan tek unë kurrfarë ndjesie, përjashtoj këtu dëshirën për të lartësuar futbollin shqiptar, historinë e nderin e një kombi.

Isha i vetëdijshëm se përballë gjendej një armik i kornizuar prej vitesh, dhe se nëse do të arrinte një pikë deri sa të vriteshim, nuk do t’ia ktheja shpinën kurrkujt, aq më pak tifozëve shqiptarë të shumëmunguar. Ideali ishte i lartë!” – tregon ai.

“Ndërsa në shtëpinë time u ndjeva shumë keq. U nxora nga fusha si të isha një hiçgjë, një qenie pa gjymtyrë. Më pushtoi një turp i madh, se si një qytet me zemër gjigante, po poshtërohej nga njerëz të tkurrur. Sepse një akt i tillë, nuk mund të merret kurrsesi si një sulm personal, veçse si një rast injorance. ”

Lila sqaron se nuk po iu referohet djemve me të cilët u përball në Fushë të Vjetër, por kryetarit të Bashkisë.

“Redjan Krajli duhet të kërkojë falje, jo vetëm për mua, por një qyteti të tërë. Sa i takon Duros dhe të tjerëve, u lexohej qartazi në sy se nuk po vepronin me dëshirë.”

Deri para pak kohësh, ish-futbollisti cilësonte si momentin më të keq të karrierës kthimin nga Beogradi në Janinë dhe vendimin e shoqatave të Epirit për ta shpallur “non grata”. Sot, Lila buzëqesh me paradoksin dhe ironinë e të ndjerit i padëshiruar, i huaj në të tijin qytet.

I qeshur, sikundër mund të mbahet mend në çdo intervistë apo përfundim ndeshjeje, është e pamundur të mos mendosh se ky lojtar i suksesshëm gëzon një rreth të gjerë shoqëror.

Por edhe një shkreptimë i tillë mendimi, fenitet nga pohimi i Lilës, se për incidentin në fjalë ka patur përkrahjen jo vetëm të dashamirësve, miqve apo familjarëve, por edhe të politikanëve socialistë.

Këta të fundit, ndonëse nuk ua përmend emrat, i konsideron individë me integritet, te të cilët nuk mbizotëron delli i servilizmit dhe patetizmit. Është pikërisht ky koment që tregon shumë për Lilën, jo vetëm nën petkun e mikut, por edhe të njeriut të thjeshtë, që dëshiron t’i përgjigjet gjithkujt që i drejtohet, për mendim apo ndihmë.

Në vazhdën e telefonatave apo mesazheve, Lila përmendi edhe atë të mikut të tij prej një jete, Sokol Cikalleshi. Sepse i tillë është ky lojtar nga Kavaja; besnik i fushës, i lojës dhe besnik i nderimit të ndërsjellë.

Duke u rikthyer për të dytën herë në të shkuarën, ai bindet për domosdoshmërinë e rrotacionit politik.

“Kur u kthyem nga Kampionati Europian, pas ndeshjes me Islandën, kryeministri Edi Rama në shenjë nderimi pajisi me pasaportë diplomatike të gjithë skuadrën e Kombëtares.

Mirëpo, nuk vonoi shumë dalja e një VKM-je ku thuhej se të gjitha pasaportat e këtij lloji do të tërhiqeshin. Isha unë që dola në media dhe e denoncova si rast, madje edhe duke iu kundërvënë ministrit të sapoemëruar, Gent Cakaj.

Të ngjashmet lojëra, duhet të marrin fund. Sepse është e lodhshme të jesh paranojak, dhe kam përshtypjen se një pjesë e madhe e qytetarëve po përballet dita-ditës me idenë e persekutimit dhe atë të mashtrimit.”

Të vegjël për nga trupi, por jo për nga projektimet, jo pak fëmijë ishin dëshmitarë të dëbimit të një lojtari që ka dhënë shumëçka për futbollin shqiptar.

“Andi Lila është shembull, se si një i ri mund të ecë përpara në jetë, por edhe në fushë të gjelbër, pa favorizime apo para të hedhura gjithkund.

Ambicia e tij pozitive, dashamirësia për drejtësi dhe punë të vazhdueshme, janë pikërisht këto cilësi për të cilat vlerësohet dita-ditës.

Dhe së fundmi, edhe nga Partia Demokratike”, shprehet Adem Ajdini, president i një shkolle jo publike; një burrë ky në moshë, ardhur enkas në zonën e banimit të Lilës, për një fjalë të mirë e një shpatull të ngrohtë.

Ish-lojtari i Kombëtares deklaron se po përgatit një padi civile kundrejt kryebashkiakut Krajli, për diskriminim dhe dëm moral.

“Në Kushtetutë i është dhënë një vend mjaft i rëndësishëm dinjitetit njerëzor, duke e kthyer atë në këtë mënyrë në një parim themelor kushtetues.

Megjithatë, funksionarët shpesh e harrojnë faktin se të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit. Dhe për këtë, kam vendosur të kallëzoj kryetarin e Bashkisë Kavajë.

Për t’i risjellë në vëmendje se në radhë të parë është qytetar, me të drejta dhe liri të kufizuara”, -thotë Lila.

Dëshirat, ëndrrat dhe pak filozofi nga ky futbollist kavajas, mbizotërojnë në bashkëbisedim, kundrejt shijes së keqe që ka lënë realiteti.

Ai madje pohon se struket në letërsi, në ditë të ngjashme, mes zhaurimash e buçitjesh.

“Autori im i preferuar është Petro Marko. E konsideroj si një revolucionar, me një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqipe.

Dhe për këtë arsye, shumë shpejt do të marr iniciativën për t’i restauruar banesën në fshatin e lindjes, Dhërmi.

“Retë dhe gurët” e shfletoj kurdoherë, si për të gjetur shëmbëlltyra në të tashmen, ngjashmëri karakteresh e personazhesh”, – shprehet Lila.

Gjashtë vite më parë, në qiell të Beogradit, sipër tifozëve serbë, nga një dron, në fushëlojë, u afrua flamuri me portretet e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit me mbishkrimin “Autochthonous”.

Dhe ai, do të rendte, djersëmbuluar, për ta shpëtuar nga kthetrat e shkjaut, pa e ditur se në të tillë trajtë do t’i shfaqej një bashkëkombës, një bashkëqytetar.

Topi u harrua në 2014-n, dhe nuk vonoi beteja fizike mes lojtarëve të dy ekipeve. Gjashtë vite më pas, topi u harrua sërish, për t’iu drejtuar fjalës, drejtësisë.

 MAPO.AL

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.