Standard.al

“Vuçiç, krahu i djathtë i Millosheviç u bë lider demokrat” Mediu bën me faj Ramën: Po ecën në drejtim të kundërt me interesat shqiptare

0

Kreu i Partisë Republikane bën me faj lidershipin e qeverisë Rama për pozitat në të cilën ndodhet tani Kosova, kur komandantët dhe ata që luftuan për çlirimin e Kosovës u duhet të përballen me akuza për krime lufte e kundër njerëzimit në Hagë.

I ftuar në studion e Ora News, , Fatmir Mediu e cilëson jashtëzakonisht shqetësuese presionin që po i ushtrohet autoriteteve politike në Kosovë.

Fatmir Mediu : “Kosova ka një nga historitë më të lavdishme, atë të luftës për Pavarësinë e Kosovës. Ata që kanë bërë luftën dhe e kanë drejtuar politikisht si UÇK dhe Rrugova, kanë dhe duhet të kenë vlerësimin maksimal të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

Shikoj që në mënyrë të vazhdueshme ushtrohet një presion karshi autoriteteve politike në Kosovë dhe tentohet të shtrembërohet një politikë që nuk ka qenë vetëm e Kosovës por e gjithë shqiptarëve. Ka qenë e NATO-s e SHBA-së, e BE-së e Britanisë së Madhe të cilët në atë kohë dënuan regjimin e Millosheviçit dhe i dhanë mundësi shqiptarëve në Kosovë për të krijuar shtetin e tyre të pavarur, i cili duhet të funksionojë në përputhje me ligjin.  

Në këtë pikëpamje ne duhet të shqetësohemi jashtëzakonisht shumë se çfarë po ndodh. Një transformim i historisë ku ata që ishin viktima tentohen të dalin si persekutorë dhe persekutorët si viktima kjo mund të sjellë një shtrembërim jo vetëm të historisë së Kosovës por dhe të sjelljeve politike në këtë gjeopilitikë të ngarkuar ku padyshim Serbia ka tashmë në krah shumë të vendosur Rusinë si këshilltare drejtuese të politikave që bën Serbia. Ka një aleate ekonomike të rëndësishme si Kina.

Mediu thotë se po synohet të bëhet një transformim i historisë ku ata që ishin viktima tentohen të dalin si persekutorë dhe persekutorët si viktima.

Dhe në këtë histori, Mediu thotë se Serbia jo vetëm që ka në krah Rusinë e Kinën por dhe është ndihmuar nga Rama i cili ka arritur që të transformojë figurën e Vuçiç nga krahu i djathtë i Millosheviçit të duket si njeriu i paqes dhe i negociatave dhe lider democrat.

Fatmir Mediu : “Serbia kla arritur të filtrojë edhe në marrëdhënie në Europë dhe në SHBA, kjo edhe për naivitet ose meskinitet të politikës shqiptare. Ne kemi bërë që Vuçiçi të dukej si njeriu i paqes dhe i negociatave dhe lider demokrat në një kohë që ka qenë krahu i djathtë i Millosheviçit.

Për shkak të naivitetit apo meskinitetit tendenca e Tiranës për të bërë një politikë paternalizmi karshi Kosovës për të shfaqur veten se mund të diskutojë me Serbinë çështje të Kosovës ka qenë gjithmonë në dëm të Kosovës.  Ajo që ka kërkuar gjithmonë Serbia ka qenë që çështjet e Kosovës t’i trajtojë përmes Shqipërisë sepse Shqipëria nuk është as autoritet ushtarak, as politik dhe as ekonomik. Është shumë e neglizhuar në këtë aspekt.

Duke pasur një aleat të fuqishëm si Rusia në krah dhe politika që ndikojnë si matanë Atlantikut dhe BE-së absolutisht ata kanë tentuar ti kthehen çështjes së Kosovës në një qasje tjetër. Në një lidership që shfaqet pro europian, ndonjëherë në bashkëpunim me NATO-n, me mbështetjen e fortë të Rusisë dhe Kinës, në raporte të cilat i kanë rregulluar me SHBA falë dhe miopisë dhe meskinitetit të politikës shqiptare. Në këtë mënyrë ne po ecim mbrapsht. Ajo që ka qenë historia e shqiptarëve në fillim të shekullit, për fatin e keq, për mungesë të një trajtimi të drejtë dhe një lidershipi qeveritar në Tiranë me zotin Rama, tërësisht në drejtim të kundërt me interesa shqiptare, edhe për shkak të padijes ndoshta, ka sjellë një situatë të papranueshme.

Si mund të kapërcehet?
Fatmir Mediu:
“Kërkohet një vetëdije e gjithë klasës politike kudo që ndodhen shqiptarët si  mund të angazhohen në një betejë jo kundër drejtësisë por për të mbrojtur historinë e drejtë të Kosovës me të gjithë marrëdhënien që kemi në Ëashington, Europë e kudo që të kemi.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.