Standard.al

Qeveria i jep miliona të tjera Klodian Zotos/ Inertet e tërmetit për inceneratorin

0

Edi Rama ka autorizuar Klodian Zoton për trajtimin e inerteve të objekteve të shembura nga tërmeti në Durrës. Me një vendim të qeverisë dhe më pas me një procedurë të kryer nga Bashkia e Durrësit, inceneratori i Klodian Zotos ka marrë të drejtën e përpunimit të inerteve duke u shpërblyer me 75 milionë lekë të reja

Bashkia e Durrësit ka shpallur së fundmi tenderin për transportin e inerteve të krijuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.  Sipas dokumenteve zyrtare, inertet do të transportohen në landfillin e Sharrës në Tiranë, për një vlerë prej rreth 750 milionë lekë të vjetra pa TVSH.

Bashkia e Durrësit është kujdesur të saktësojë se depozitimi i inerteve në landfillin e Sharrës do të jetë pa pagesë.

Por, ky sqarim i panevojshëm nuk shmang realitetin, atë që koncensionari i Klodian Zotos do të marrë miliona para ekstra nga buxheti i shtetit për përpunimin e tyre.

Me një vendim të 16 shtatorit 2019, Këshilli i Ministrave i akordoi Bashkisë së Durrësit fondin prej 75 milionë lekë të reja, me qëllim transportimin e inerteve të krijuara nga tërmeti. Ky fond është i njëjti që ka vendosur të përdorë Bashkia e Durrësit për transportin e inerteve drejt inceneratorit të Tiranës.

Pra, duket se gjithçka është orientuar nga qeveria e Edi Ramës, i cili ka lëvruar fondin për Bashkinë e Durrësit dhe kjo e fundit të zhvillojë procedurat për t’i transportuar në aktivitetin privat të Klodian Zotos.

Përpunimi i inerteve është një kosto shtesë për buxhetin e shtetit, i pasqaruar si duhet në kontratën koncensionare, siç konstatoi Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport konfidencial, të publikuar së fundmi në media.

Sipas KLSH-së, sasia ditore prej 700 ton mbetjesh është e bazuar në të dhënat historike vjetore të depozitimit të qarkut Tiranë të vitit 2014, të cilat japin një shifër prej 246.800 ton. Megjithatë, kjo sasi nuk përfshin 43.7 ton mbetje inerte që gjenerohen çdo vit gjithashtu në këtë qark, pra në Tiranë.

KLSH vlerëson se studimi i fizibiliteti nuk përfshin një projeksion për sasinë e mbetjeve që do të gjenerohen në këtë qark në 30 vitet e ardhshme, e cila pritet të jetë në rritje për shkak të rritjes së popullsisë dhe sugjeron tejkalimin e sasisë minimale prej 700 ton mbetje në ditë, çfarë do të sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Pra, KLSH konstaton qartësisht se buxhetit të shtetit do t’i shtohen kostot nga rritja e sasisë së inerteve vit pas viti. Por, përtej projeksioneve disa-vjeçare të KLSH-së, kostot për buxhetin e shtetit lidhur me përpunimin e inerteve pritet të rriten menjëherë, me vendimin e qeverisë “Rama” për transportin e mbetjeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës.

Referuar dokumenteve të Bashkisë së Durrësit, tenderi për transportin e mbi 69 mijë metra kub inerteve pritet të mbyllet në datën 11 nëntor 2020 dhe procesi do të vijojë për 12 muaj./SYRI TV

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.