Standard.al

Fushata e Ramës kundër Ilir Metës dhe Kosova!

0

Ka nisur sërish një fushatë e egër, kundër presidentit Ilir Meta.

Aq e egër sa që Edi Rama e mban gishtin gati mbi ekranin e telefonit, i etur për të ushqyer çdo detaj të këtij të ashtuquajturi skandal me ‘nënshtetësitë shqiptare’.

Presidenti ju thotë se po na lini sërish pa hapjen e negociatave, ata e akuzojnë se pse ke bërë shqiptar të Shqipërisë, shqiptarin e madh Kim Mehmeti. Ah po; ai jep intervista te ‘Syri’ ku kritikon piktorin, ndaj kjo është shkelje e sigurisë kombëtare.

Ilir Meta i paralajmëron; kujdes se virusi po na vë poshtë dhe po e çon në kolaps sistemin e shëndetësisë të degraduar dhe të lodhur nga vjedhjet, ata i thonë; pse i jep nënshtetësi shqiptare gruas ruse të Ylli Pangos që kishte 10 vite në pritje dhe me një bebe të lindur në Tiranë.

Po futbollistin `terrorist` të kampionëve të Tiranës, Kobbina, përse nuk e thërret Anti-terrori i Lleshit ta pyesë për bombat që ka hedhur në portën e Partizanit, apo është i zënë me spektaklin e Ramës që dha me fëmijët në kampet e Sirisë?!

Janë po këta që deri dje i thoshin presidentit rri urtë, se vetëm ‘çelësat e kashtës’ ke, ndërsa sot po e nxjerrin sikur ka fuqinë të rrezikojë vetë sigurinë e shtetit.

Se ka pastruar ‘me firmën e tij’ vrasës, terroristë e gjithfarë `istash` që njeh bota!

Po nëse do të ishin vrasës e terroristë, pse policët e Ardi Veliut i lanë që të vinin këtu, të futeshin në zyrat e kompanisë ‘Aleat’ (që monitorohet dhe varet nga ministria e Brendshme), të jepnin shenjat e gishtërinjve, të bënin fotografinë dhe në fund të tërhiqnin pasaportën e Ilir Metës?!

Apo ky i fundit ka hapur një punishte në presidencë dhe aty i bën këto krime të mëdha, në formë pasaporte?

A ka naiv që të besojë se mjafton një firmë e Ilir Metës apo e kujtdo tjetër i cili ka qenë e mund të jetë në atë zyrë, që të mund të shkosh dhe të nxjerrësh pasaportë te ‘Aleat’, nëse procedura nuk ka kaluar edhe nga ministria e Brendshme dhe institucionet e sigurisë si SHISH dhe Anti-terrori?

Por më e bukura është se nuk e fshehin ngazëllimin pas `zbulimit të madh` se shumica, gati 90% e atyre që kanë marrë nënshtetësinë shqiptare, janë shqiptarë të Kosovës!

Harrojnë se Ilir Meta këtë e ka ‘porosi’ nga miku dhe `bashkëluftëtari` i Edi Ramës, presidenti Hashim Thaçi.

Harrojnë se Kosova që hodhën në pjatën e Sorosit dhe të Vuçiç (Për mëngjes do të thoshte Elisa) ka mbetur një vrimë e zezë në hartën e lëvizjes së lirë në Europë.

Kishte të drejtën e zotit në fakt atëherë Hashim Thaçi kur askujt tjetër, të vetmit president, Ilir Metës, i kërkoi publikisht që të pajisë me pasaporta të Republikës së Shqipërisë, të gjithë shqiptarët e Kosovës. Sepse e vërteta është, se Europa e gënjeu popullin e Kosovës për liberalizimin e vizave.

Nuk janë shumë, por janë shumica absolute në listën me emra që ja përplasin si ‘krim dhe investigim’, firmëtarët e borderosë së PPP-ve dhe koncesioneve.

Është pra një kontribut modest, që shqiptarët e Kosovës të mos jenë ‘lebrozët’ e Europës.

Siç ishte për gjithë stafin e presidentit të Kosovës dhe ambasadorëve e diplomatëve. Por edhe një ndihmë për të përkëdhelurit e Ramës, Gent Cakaj dhe Besa Shahini, të cilët nuk bëheshin dot ministra (as kukulla) në qeverinë e tij, pa atë firmë `terroriste` të Ilir Metës.

As Era Istrefi nuk do të kishte mundur të këndonte në mes të Moskës në ceremoninë hapëse të Kampinatit Botëror të Futbollit, nëse nuk do të ishte pajisur ‘me procedurë të përshpejtuar’ me pasaportë shqiptare, nga presidenti Meta.

As shqiptari i mirë dhe kampioni absolute i Europës në boks,Nuri Seferi, nuk do të kishte ngritur flamurin`kuq e zi` në ring nëse presidenti do të kishte vepruar sipas direktivave të Edi Ramës të cilat kushedi nga çfarë qarqesh anti-shqiptare i merr, si në rastin e ndarjes së Kosovës.

E kështu për shumë e shumë artistë e sportistë të shquar kampionë që Kosova prodhon edhe në nder të Shqipërisë.

Janë po të njëjtat media që ushqejnë këtë skandal, të cilat sa herë Rama bën `ham`, ato nxjerrin topat e ndryshkur dhe natyrisht pasi i vaisin mirë me borderotë sekrete, kërcasin; `bam e bam`!

E kanë bërë `skandalin e presidencës` aq të zhurmshëm, sa që të krijohet përshtypja se në Shqipëri pas dhjetëra milion eurove që mungojnë në Shëndetësi,virusi Covid-19 ka ngordhur njëherë e mirë!

Se Edi Rama nuk po shkel Kushtetutë e marrëveshje, për të bërë rregullat që do për garën zgjedhore të 25 prillit 2021.

Se Klodian Mërtiri i kishte bërë autostop në rrugët e Kumanovës Arben Ahmetajt dhe ky, pasi ndanë bashkë një aksident, i dha rastësisht` 430 milion euro me PPP e inceneratorëve.

Asgjë nga këto nuk i shqetëson aq sa firma e Ilir Metës për të bërë një shqiptar të Kosovës, edhe nënshtetas të Shqipërisë mëmë.

Dhe dihet se përse; nuk e kanë me Ilir Metën por me Kosovën!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.