Standard.al

Vdekja e 53-vjeçarit në derën e spitalit/ Dalin të tjera detaje tronditëse…

0

Lutfi Çekiri, 53 vjeç, baba i dy fëmijëve, i papunë dhe i sëmurë rëndë, e kaloi të premten dhe të shtunën në bordurat e trotuareve të QSUT-së. Në gjendje shumë të keqe shëndetësore, me ulçerë dhe diabet, me dhimbje të forta në stomak, ai po kërkonte nga mjekët vetëm ta merrnin seriozisht dhe ta ndihmonin të bëhej më mirë.

Por, në vend të kësaj ai u zvarrit nga burokracitë pa fund të spitaleve duke e dërguar nga urgjenca në Laprakë tek Infektivi, por pa e shtruar. Në një gjendje të pashpresë me duart në bark për të mposhtur dhimbjet, ai foli publikisht duke akuzuar sistemin shëndetësor se po e sorollaste.

Por, as apeli i tij në media nuk u dëgjua.

Të shtunën në darkë Lutfiu ndaloi së luftuari dhe u nda nga jeta duke lënë dy fëmijë jetimë, të cilët i kishte rritur me vështirësi, shumicën e kohës i papunë.

Akuza që ai ngriti para se të ikte sot është kthyer në një kambanë alarmi; a është futur sistemi ynë shëndetësor në kolaps nga pandemia COVID-19 dhe po lihen pacientët me sëmundje të tjera pa shërbimet bazë?!

Një vdekje e paralajmëruar

Gazeta MAPO kontaktoi me familjen e të ndjerit, i cili u përcoll dje për në banesën e fundit. Familjarët vijojnë të jenë të tronditur dhe të dëshpëruar për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Djali 19-vjeçar i Lutfiut i tha MAPO-s se askush nga shteti nuk i ka kontaktuar, që t’u shprehë ngushëllimet apo të shprehë ndjesën për atë që ndodhi.

I biri ripërsërit dhe një herë akuzën e rëndë se babai i tij u la të vdiste pa ndihmën e duhur mjekësore. Në shtëpinë ku janë hapur dyert e mortit të afërmit ndiejnë dhimbje dhe zemërim.

“A mund të shpëtohej?” – është pyetja që qëndron mbi këtë ditë të zezë në shtëpinë e heshtur në fshatin Ndroq të Tiranës.

I ndjeri i ka lënë fjalët e fundit në oborrin e QSUT-së.

“Mbrëmë ishim në urgjencë dhe na kanë sjellë këtu për stomakun. Këtij i thotë shko tek infektivi, tjetri thotë s’je për këtu. Kemi qenë mbrëmë në Urgjencë, nga këtu shkuam në Laprakë. Atje më dhanë qetësues, më bën serum e më thanë duhet të shkosh të vizitohesh për stomakun.

Tani nuk na japin përgjigje, një thotë shko atje. Jam me veshka, me ulcerë në stomak, tensionin e kam të ulët”, u shpreh mes dhimbjesh ai duke folur për gazetaren Fjona Çela të televizionit Faxnews të shtunën në mëngjes.

Çelës, e cila kishte shkuar pranë Infektivit për punën e saj të përditshme, raportimin për rastet e fataliteteve dhe të sëmurëve me COVID-19, i tërhoqi vëmendjen ky njeri i ulur në trotuar me orë të tëra.

“Në një ditë të zakonshme pune, teksa shihja gjendjen nëpër spitalet e vendit, më tërhoqi vëmendjen një zotëri që dergjej nga dhimbjet në trotuaret e pranë urgjencës në QSUT.

Ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe i biri, të cilët me lot në sy më rrëfyen për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore. U afrova pranë zotërisë duke e pyetur si ndihej dhe çfarë e shqetësonte.

I zverdhur në fytyrë, me zërin që i dridhej dhe me duart që i shtrëngonte rreth barkut nga dhimbjet, më tha: Jam me diabet, veshka, ulcerë në stomak, tension. Kam që mbrëmë në urgjencë, na kanë sorollatur sa te Trauma e sa te QSUT. Vetëm Zoti e di ku do shkojmë!

Vetëm pasi e shoqja lajmëroi stafin e urgjencës se ka ardhur gazetarja, ata u treguan të gatshëm ta ndihmonin zotërinë. Por ishte vonë…”, shkruan gazetarja në profilin e saj në Facebook.

Në kronikën e saj për rastin e Lutfiut gazetarja konstaton se përqendrimi i vëmendjes vetëm te pandemia e COVID-19 ka bërë që spitalet të lënë jashtë vëmendjes pacientet me sëmundje të tjera. Sipas saj, janë ngritur shpesh herë ankesa se në QSUT ka pacientë të ardhur nga qytete të ndryshme që nuk marrin trajtimet e nevojshme.

Por, siç konstaton Faxnews, edhe pas publikimit të rastit dhe dëshmisë së tij, familjarët kanë pohuar se sorollatja e tyre ka vazhduar, duke i dërguar herë në spitalin e Traumës dhe në fund në urgjencë, ku Lutfi Çekiri dha frymën e fundit pas betejës me sëmundjet.

Trupi i Lutfiut u mbulua në banesën e fundit të dielën paradite, por vdekja e tij nxori zbuluar vdekjen e sistemit shëndetësor në vend.

MAPO

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.