Standard.al

Pas 48 vjetësh zbulon poezinë e falsifikuar/ Poeti Sadik Bejko: Shkruaja një poezi për dashurinë, jo për Enver Hoxhën

0

 

 

Ka mjaftuar një shkrim që të zbulohet një tjetër mekanizëm falsifikues nga diktatura, edhe në fushën e letrave. Ka qenë një ngjarje e rrallë për ditën e sotme, kur dje poeti Sadik Bejko iu ka njoftuar lexuesve se si një poezi e tij, ishte tjetërsuar në titull, dhe qarkullonte e tillë nëpër indekset bibliografike, në Bibliotekën Kombëtare, së paku aty ku u gjet, dhe iu dha referenca fillestare. Shkaku ishte një shkrim i poetit Lisandri Kola, i cili anatemonte mënyrën se si Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kishte krijuar një çmim, dhe përzgjedhjen e autorëve, ku edhe përmend poetin Sadik Bejko, mes të tjerëve autorë që paskëshin shkruar poezi për Enver Hoxhën. Titulli ishte marrë nga një bibliografi dhe ishte: Ditët Enverit në jetën time. Ka mjaftuar kjo situatë që të reagonte poeti Sadik Bejko duke zbuluar se titulli i poezisë së shkruar më ’72 është tjetërsuar, dhe original, sipas dokumentit të publikuar të gazetës “Drita”, ishte: Ditët Everest të jetës sime. Poezia bënte fjalë për dashurinë e poetit me një vajzë, dhe s’kishte aspak lidhje me diktatorin, Enver Hoxha.

“Në nji komentim timin të djeshëm, mbi faktin se Juria e QKLL-së, nga 25 kandidatë pohoi se ishin 26 tue futë në 10-she poetin Sadik Bejko, pa qenë në listën fillestare (dt. 5 tetor 2020), pohova se asht përfshî S.B. autor i nji poezie të hershme ‘Ditët Enverit të jetës time’, tue iu referue skedimeve të mia marrë prej Bibliografisë Retrospektive në BKSH. Fatkeqsisht konstatova se kemi të bajmë me nji lapsus të gjeneruem prej bibliografëve, ku në të vërtetë në vend të ‘Everest’ asht shënue ‘Enverit’. Kjo më ban të marr kostot profesionale e personale përsipër tue i kërkue ndjesë publike z. Bejkos për këtë keqkuptim e dam që i kam shkaktue.

Bashkëlidhë fotoja e retrospektivit bibliografik 1972.”, ka qenë kjo ndjesa publike që Lisandri Kola i kërkoi poetit Sadik Bejko.

Ky i fundit, na ka sjellë historinë e plotë si dhe dy fotokopje të gazetës “Drita”, e vitit 1972, ku poesia mbante titullin “Ditët Everest të jetës sime”. Bejko na zbulon këtë rast fatal, duke na dhënë tjetër argument se si mekanizmi i diktaturës hynte deri në qelizë, si rasti në fjalë për të denigruar, e depersonalizuar njeriun.

Më poshtë po sjellim të plotë sqarimin e Bejkos për këtë ngjarje: “Më poshtë keni dy fotokopje. Kur pashë atë që postonte Kola Mark, fotokopje të indexit te Bibliotekes të falsifikuar, ku “Ditët Everest të jetës sime” ishin bërë “Ditët e Enverit të jetës sime”, u lëndova dhe shkrova si më poshtë:

Kola Mark, ke falsifikuar indexin e Bibliotekës. Ai është një cikël vetëm me poezi dashurie. Më ka thënë atëherë Rudolf Marku: ke shkruar një cikël poetik të lumtur. Ai nr. i gazetës “Drita”, 10 .12. 1972 ekziston. Me fotoshop falsifikatorët kanë ndërruar titullin për një poezi që nuk është shkruar dhe botuar kurrë nga unë.

Mjerë ju. Ato janë poezi për një grua që e dashuroja. Jam krenar që kam botuar një cikël vetëm me poezi dashurie në një gazetë në kohën e diktaturës. Nuk ka fije politike në atë cikël.

Një gjë më bën përshtypje. Pse duhet të falsifikoni? Unë jam 77-78 vjeç, nuk kërkoj as punë, as lavdi, as tituj, as dekorata. Nuk jam as nder i lagjes, as qytetar nderi i fshatit, as poet mjeshtër i madh i lokalitetit.

Jam një pensionist i kryeqytetit. Nuk kam qenë spiun. Nuk kam qenë as komunist, as në familje nuk patur komunistë. Pse mundoheni të më bëni pis?

Me pas pashë që Lisandri Kola me kërkonte ndjesë publike dhe botonte fotokopje të faqes së gazetës Drita datë 10. 12. 1972. Kanë kaluar 48 vjet. Ju luta Ibrahim Uruçit, kryeredaktorit të atëhershëm te gazetes dhe më botoi 5 poezi dashurie. Gjë e rrallë në atë kohë. Ndjesë pastë, edhe sot ia di për nder. Dhjete dite me pas nga kjo date, po në dhjetor 72, në Festivalin e 11-te te RTVSH kisha tre tekse, dy me morive dashurie, një per Vietnamin.

Me pas une i pagova rende keto… te shkruarat për dashurinë. Padashur Lisandri Kola m’i kujtoi ca plage te shkuara Lisandri m’i kujtoi… Veç ne kemi qenë njerëz. Edhe për partinë do të këndonim, se ishte me detyrim. Se ndryshe nuk do të ekzistonim. Do t’i paguanim haraç kohës.

Në këtë rast Lisandri &v co nuk qëlluan në shenjë. Lexojeni poezinë “Ditët Everest të jetës sime”. Nuk ka lidhje me ditët e Enverit…”

 

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.