Standard.al

Mirësevini në universitetin fantazmë dhe jo virtual!

0

Nga Ndricim Mehmeti

Koha në të cilën jetojmë ka hapur një debat të madh, në lidhje me funksionimin e jetës në tërësi dhe sektorëve të veçantë siç është arsimi. Prej muajit prill 2020, UNICEF, OKB, UNESCO, Programi Botëror i Ushqimit etj, ngritën shqetësimin e madh se mbyllja e shkollave do të shkaktonte probleme të mëdha si në fushën e nxënies, ashtu edhe në atë sociale dhe psiko-emocionale të fëmijëve dhe të rinjve në mbarë botën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, lëshoi një thirrje të hapur për qeveritë dhe donatorët, që të rrisnin sa më shumë financimin për kthimin e fëmijëve dhe të rinjve në shkolla dhe universitet.

Po në Shqipëri, si e përkthyen këtë shqetësim dhe thirrje të institucioneve më të larta botërore?

Si gjithnjë me një heshtje, injorim dhe indiferencë shembullore. Shkollat dhe universitetet u mbyllën me një kënaqësi të pa treguar, u kalua në mësimin onllajn dhe ministrja Shahini na tregonte në intervista e video-selfie, si gatuante, si lahen duart si dhe hapi rubrikën: Ju pyesni për çfarë doni, unë përgjigjem për atë që dua. Ndërsa në të gjithë botën, përpiqeshin si të investonin në fushën e teknologjisë së informacionit, në pagesa shtesë për mësuesit, në lehtësimin e gjendjes së shtresa në nevojë të popullsisë, ne vijonim të dëgjonim broçkullat e Shahinit se “shkolla do të hapej një ditë dhe se ministria kishte skenarët e saj, në një draft”, për të cilin nuk u diskutua asnjëherë publikisht apo me grupet e interesit. Në korrik e gusht vijoi mësimi në universitet, që më shumë u populluan prej pedagogëve dhe shumë pak prej studentëve, por ama u zgjidh një “hall” shumë i madh i arsimit të lartë: U bënë “zgjedhje të shkëlqyera” për trupën drejtuese të universiteteve dhe pas kësaj gjithçka do të shkonte vaj me “urdhër të peshkut”. U dhanë provimet gjysma online e gjysmat në salla. Studentët erdhën me bindje të plotë se votat e tyre do të shpërblehej në nota të mira e kaluese dhe u mbyll viti akademik 2019-2020. Iku dhe Besa e erdhi Kushi, por për arsimin e lartë ende nuk përgjigjet askushi.

Fillimi i vitit të ri akademik me universitet fantazëm dhe aspak virtual

Kur duhen më pak se 2 javë nga fillimi i vitit akademik në universitetet shqiptare, askush nuk e di sesi do të jetë mësimi: Në shtëpi duke gënjyer veten se po japim dije apo në auditorët tona si furrik pule, pa ngrohje, pa ndriçimin e nevojshëm, pa kushtet minimale në tualet, pa një shtesë në buxhetin e universiteteve nga qeveria. Mësimi i quajtur virtual (që me shumë gjasa do të aplikohet edhe në këtë fillim viti), do të kthej universitetet në fantazma dhe në institucione që ndërveprojnë me nxënësit në kushte virtuale për shkak të pandemisë. Sikundër ndodhi edhe në vitin e kaluar një numër jo i pakët studentësh, do të paguajnë për mësimin që bëhet sa për të kaluar radhën. Të tjerët nuk do të hyjnë fare në mësimin online, ndërsa pedagogët, sikundër mësuesit vitin e kaluar, do të kuptojnë fare mirë se qeveria dhe vetë drejtuesit e universiteteve po tallen paq me ta. Ndërsa bota e qytetëruar po hyn në fazën e përdorimit të inteligjencës artificiale në favor të dijes së brezave të ardhshëm, vendi ynë i dashur Shqipëria, nuk ka asnjë shenjë të bibliotekës digjitale, ku studentët do të gjenin falas leksionet e gjithë pedagogëve, të premtuar me bujë prej kryeministrit Rama në të ashtuquajturin “Pakti për Universitetin”. Universitetet tona kanë pak ose aspak laboratorë IT, salla leximi e pale më biblioteka, që të jenë në ndihmë të kësaj situate. Atëherë si do të fillojë mësimi? Thjesht pedagogu do të flasë, do të japë ca detyra, do të bëjë pak gallatë me studentët dhe këta të fundit, do të kënaqen se ja hodhën dhe këtë vit. Si do të diplomohen studentët e Bachelorit apo Masterit, virtualisht.

Në cilin nen të ligjit 80/2015, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, shkruhet se mësimi zhvillohet online dhe mund të diplomohesh edhe online?

Askund. E keqja më e madhe është se këtij diskutimi nuk i hyn askush dhe nuk ka ndërmend të flas me njeri, me tezën më absurde, të artikular sa herë që i nevojitet qeverisë dhe ministrisë së arsimit: Universitetet kanë autonomi dhe pavarësi të plotë. Ja e besuam se kështu është shkruar në Kushtetutë. Po përse Ministria e Arsimit dërgon udhëzim të detyruar për zbatim nga universitetet, sesa minuta do të jetë ora e mësimit, u rrëmben pronat sa herë që i duhen për pallate dhe ndërtime shumëkatëshe, u kufizon orët shtesë që dihet të marrin pedagogët, u dikton se kë do të zgjedhin, rektor si në rastin e deklaratës pa dorashka të ministres Shahini në janar 2020? Nëse Ministria e Arsimit shkon kaq larg dhe merret me detajet më të vogla të funksionimit të universitetit, atëherë duhet të na kishte thënë se cili do të ishte plani i saj për të ndihmuar institucionet e arsimit të lartë publik? Sa para do të përdoreshin për të rimbursuar përgjysmimin e tarifës së studentëve? Sa para do të përdoreshin për pagesë shtesë për pedagogëve, që do të bënin mësimin online? Si do të ndihmoheshin ndërmarrjet e trajtimit të studentëve, në mungesë të pagesës së studentëve, pasi këta të fundit me siguri që hezitojnë të regjistrohen sepse nuk e dinë, nëse do t’i ndjekin mësimet nga shtëpia. Këtyre e shumë pyetjeve të tjera, nuk do t’ia marrim asnjëherë një përgjigje, sado që të përpiqemi. Viti akademik do të filloj më 2 nëntor dhe si gjithnjë në kushte sekreti shtetëror, askush vesh Ramës e Kushit, nuk e di si do të fillojë: Në auditor apo në distancë. Një gjë ama e kemi shumë të sigurt: Studentët do të dalin më të paditur se dita që hynë në universitet. Të kënaqur mbeten ata që e kanë hobi shkollën e lartë dhe jo mision e pasion të jetës së tyre. Drejtuesit e universiteteve do të gjenden në vështirësi të mëdha financiare, për shërbimet më bazike, e pale të mbajnë ndonjë premtim të bërë në kohën e fushatës për zgjedhjen e tyre. Vendi do të fitojë mjekë, infermierë, mësues, inxhinierë, juristë, fantazmë, se virtual do të ishte pak më mirë. Studentët, humbën një gjysmë viti dhe do ta humbasin më tej, diploma e marrë do të jetë thjesht një karton me ngjyra, që të rris pak numrin e njerëzve me shkollë të lartë por do të ulë në maksimum cilësinë e tyre për t’ju përgjigjur sfidave të kohës për zhvillim e përparim. Është koha tani për reflektim ndaj kësaj situate, në mënyrë që të mos e kthejmë universitetin në një fantazmë, prej së cilës do të tremben e vuajnë makthet më të këqija, të rinjtë tanë, familja e tyre dhe gjithë shoqëria jonë. Më datë 2 nëntor do të jetë shumë vonë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.