Standard.al

Kosova shpëton turizmin shqiptar nga falimentimi, gjatë shtatorit. PD: Kosova na shpëtoi edhe pse Rama i vuri traun

0

Shtatori ka sjellë pak frymëmarrje për turizmin në vend, pas situatës së vështirë që ai po kalonte që nga marsi, kur për gati tre muajt lëvizja ishte pothuajse e bllokuar dhe pas një vere të vakët, ku ata që i mbajtën hotelet në këmbë ishin shtetasit nga Kosova.

Të dhënat e INSTAT treguan se Në Shtator 2020, hyrjet  e shtetasve  të  huaj në territorin  shqiptar janë 377.033. Krahasuar  me Shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2%. Ndonëse në rënie, tkurrja ishte më e ulët se në periudhat e mëparshme, ku në gusht hyrjet e të huajve ranë me 63% dhe në korrik me -67.1%.

Kosova është në fakt shpëtimtari i turizmit këtë verë. Vetëm në shtator erdhën 239 mijë turistë nga Kosova, që përbënin 64% të totalit të të huajve që hynë në vend këtë shtator.  Hyrjet e shtetasve nga Kosova në shtator ishin 44% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke mbajtur të zëna hotelet në të gjithë vendin dhe duke kompensuar rënien e turistëve nga Maqedonia (-50% në shtator), Greqia (-87%), Italia (-69%), Mali i Zi (-46%) etj.

Psh, nga 23 mijë turistë polakë që erdhën në shtator 2019, këtë vit kishte vetëm 1422, nga Greqia (një pjesë e madhe emigrantë) hynë vetëm 5,840 shtetas nga 47 mijë në shtator 2019, apo nga Italia erdhën 10 mijë shtetas, nga 35 mijë një vit më parë.

Gjithsesi, për 9 mujorin, rënia e hyrjeve të shtetasve të huaj është e lartë. Sipas INSTAT, numri  i  shtetasve  të huaj  të  hyrë  në Shqipërinë në nëntëmujorin 2020 është 2.122.202, duke rënë me 61,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Përgjatë nëntë muajve të 2020,Kosova ka rënien  më  të  ulët të hyrjeve  të shtetasve  në  Shqipëri me 45,2%, ndërsa tkurrjen më të madhe e ka pasur Spanja me 90,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019

Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shtator2020, janë 604.703. Krahasuar me Shtator2019, ky tregues rezulton me rënie 43,1%. Në Shtator2020, hyrjet  e shtetasve  të  huajnë territorin  shqiptar janë 377.033. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2%.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit Shtator 2020 janë 706.145, duke  shënuar një rënie me 44,7%,krahasuar  me  të  njëjtën  periudhë  të  një  viti  më  parë. Daljet  e shtetasve  shqiptarë nga territori  i Shqipërisë gjatë  muajit Shtator 2020 janë 271.586. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë 51,7%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2020, janë 434.559. Krahasuar me Shtator2019, ky numër ka rënë 39,2%. Numri  i  shtetasve  shqiptarë  të  dalë  nga Shqipëria në  nëntëmujorin 2020, është 2.208.821 duke rënë 50,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor

Reagimi i PD

Lidhur me këtë analizë të “Monitor”-it, ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila përmes ish-deputetit Florion Mima shprehet se Kosova na shpëtoi turizmin edhe pse Rama i vuri traun, e përqeshi dhe e hodhi në gjyq

“Thjesht:Faleminderit Kosovë! Ta mbyllën derën, të vunë traun me pagesë, të perqeshën, të hodhën në gjyq, por ti erdhe, erdhe në vendin amë, aty ku ke rrënjet, aty ku i thonë bukës bukë, nanës nanë e vëllait vëlla. Erdhe, u shplodhe por edhe harxhove, bleve “shqip” mallra e shërbime, duke ndihur ekonominë e vendit amë. Erdhe nga rruga më e bukur në botë, Rruga e Kombit, vepër e atyre burrave vizionarë, që për bashkimin lëvizën malet. Të tjerët, asokohe në opozitë, talleshin dhe e quanin “rruga drejt asgjëkundit”. Sot, në qeverisje, nuk kanë bërë një km rrugë, nuk kanë vizuar rrugët që gjetën gati, dinë vetëm të zhgarravisin në 3D dhe e kanë mbushur hartën me porte, aeroporte, shkolla e spitale virtuale. Reale janë veç djegësat e plehrave që po djegin taksat e shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës dhe po helmojnë jetën dhe të ardhmen e fëmijëve. Edhe një herë, Faleminderit Kosovë!”, shprehet Florion Mima.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.