Serbia dhe Kosova kanë zgjedhur marrëveshjet e harresës…

0
116
Nga Veton Surroi

Për 20 vjet, Serbia i ka ikur ballafaqimit me të kaluarën. Dhe Kosova i ka ndihmuar në këtë

1.

U kumtua këtë të hënë se në Bruksel është arritur një draftmarrëveshje për të pagjeturit e luftës së Kosovës, që në shifër ende janë 1.600. Kjo duhet të jetë njëra prej një liste të iniciativave e marrëveshjeve të arritura për të pagjeturit në këta 21 vjet. Mbaj mend të parat, të ndihmuara nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar, menjëherë pas luftës. Dhe, nëse vazhdon me këtë ritëm do të mbaj mend pas disa vjetësh se qe arritur në Bruksel një marrëveshje, dhe se duhet një marrëveshje tjetër që do ta zbatojë këtë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera paraprake.

Pse është kështu?

Ndoshta nuk ka mënyrë më të mirë për ta shpjeguar sesa me këtë “draft-marrëveshje” të arritur në Bruksel. Ajo pason “marrëveshjen historike” të Washingtonit, ku “të dyja palët zotohen t’i shpejtojnë përpjekjet për t’i gjetur dhe identifikuar personat e zhdukur”. Pra, pas “marrëveshjes historike” në Shtëpinë e Bardhë u zbrit në draftmarrëveshje në Bruksel, me të cilën përcaktohet se BE-ja do të ketë një të emëruar special që do të mbikëqyrë komisionin e përbashkët Kosovë-Serbi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ky komision do të punojë me të drejtën e qasjes së “pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”. Por e tëra kjo, që pritet të përfundojë brenda afatit kohor prej 18 muajve, do të jetë e mundur vetëm nëse arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Pra, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një dokument në të cilin pajtohen se të pagjeturit e luftës – të gjithë ata fëmijë, gra e burra të marrë peng, pushkatuar e hedhur në varreza kolektive-janë pjesë e negociatave sikur edhe targat, diplomat, Ujmani dhe çka do që t’ju bie në mend negociatorëve. Dhe kështu bëhen pengje të politikës, tashmë për së vdekuri: do të zbulohet fati i tyre vetëm dhe kur Kosova e Serbia mbërrijnë marrëveshje të ndërsjellë që do të quhet “përfundimtare” apo gjithëpërfshirëse.

2.

Të pagjeturit u bënë pengje për së vdekuri që herët pas luftës. Serbia e Milosheviqit refuzoi fare të pranonte se ekzistonte një kategori e këtillë – madje ishte e vështirë të bisedohej edhe për të gjallët, pengjet që mbaheshin nëpër burgjet e Serbisë.

Pas 5 tetorit ishte presidenti i ri, Koshtunica, i cili pas pajtimit fillestar që të fillohet me zbardhjen e të pagjeturve vendosi shumë së shpejti një lloj nevoje për simetri, që në tregtinë e mallrave do të quheshin kuotizime. Pra, nën kujdesin e tij u vendos një politikë që prodhonte gjendjen që Serbia do të kthente aq kufoma shqiptarësh sa do të zbuloheshin e dërgoheshin për në Serbi të personave të zhdukur të nacionalitetit serb.

Prapa këtij parimi dhe kuotizimi mund të jetë bërë përpjekja apo arritur të krijohej një narracion, me të cilin do të barazoheshin “të dyja palët”, pra do të relativizohej e tërë çështja e të pagjeturve në formulën se që të gjithë kanë faj, se krimet janë kryer në të dyja anët, e kështu me radhë. Dhe me këtë do të hiqej nga vëmendja një e vërtetë që vret sytë: të zhdukurit shqiptarë nga Kosova janë marrë pengje, ekzekutuar dhe trupat e tyre janë fshehur nga zyrtarë shtetërorë serbë.

Kjo tashmë nuk është çështje akuzimesh apo hamendësimesh, por ka marrë epilogun e vet ligjor në Tribunalin për krime lufte në ishJugosllavi me seli në Hagë, me dënimin fuqiplotë të rastit Shainoviq et al., të vërtetuar edhe pas gjykimit të apelit më 2014.

3.

Prej vitit 2002 deri më sot çështja e të pagjeturve ka qenë e mbuluar në formë të suksesshme nga qeveritë e njëpasnjëshme të Serbisë. Nga çdonjëra është premtuar se do të merret me to; çdonjëra ka nënshkruar marrëveshje dhe draftmarrëveshje. Por, kjo është hera e parë që Serbia në formë eksplicite pranon se me këtë çështje do të merret pasi të arrihet marrëveshja “përfundimtare” me Kosovën.

Pra, për herë të parë pranon se kjo është edhe një prej çështjeve politike, atë që kishte bërë me dije presidenti Koshtunica, që në fillim të mandatit të tij, pra gati njëzet vjetësh. Por, kjo është po ashtu hera e parë që Kosova është pajtuar për të njëjtin parim, se të pagjeturit janë kategori politike. Kështu, Qeveria e Kosovës është bërë bashkëpjesëmarrëse në përligjen e parimit të Koshtunicës, i cili në formën e vet më brutale shpjegohet me: kufomat janë mall pazari politik. Edhe po të supozohej se Serbia e Kosova kanë pasur qëllimet më të mira, që të shpejtohet disi çështja e të pagjeturve, ato kanë arritur qëllimin krejtësisht të kundërt.

Që të dyja mund të akuzohen se kanë në dispozicion informata për fatin e të zhdukurve, por duke zbatuar parimin e Koshtunicës-kufomë për kufomë, informatë për informatë, copë ashti për copë ashti – dhe futjen e të pagjeturve në kategori të marrëveshjeve politike, janë duke i fshehur ato. Pra, për shembull, Serbia di se ku janë kufomat, por do t’i shpalosë informatat për to kur të themelohet Bashkësia e komunave serbe. Pra, për shembull, Kosova di se ku janë kufomat, por do t’i shpalosë informatat për to kur ta hapë Ambasadën e Kosovës në Beograd. Vështirë të gjendet vetakuzim më i madh.

4.

Kjo qasje nuk ndihmon as zbardhjen e fateve të të pagjeturve e as ndihmon në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, një që do të jetë e qëndrueshme dhe që do të mundësojë jetë në fqinjësi të mirë e bashkëpunim, është e mundur vetëm nëse të dy shoqëritë ballafaqohen me të kaluarën.

Pjesë e rëndësishme e asaj së kaluare, pjesë kryesore e luftës së para njëzet vjetëve – përtej rrëfimeve heroike e mitike të betejave, njësiteve dhe komandantëve – është viktimizimi i civilëve, rrëmbimi i tyre, torturimi i tyre, ekzekutimi i tyre, zhdukja e gjurmëve të kufomave.

Gjermania, prijësi i sotëm i demokracisë në botë, ka 75 vjet që ndërton kulturën e kujtesës, shkruan në librin “Pse e bëjnë gjermanët më mirë” gazetari veteran britanik, John Kampfner.

“Një frazeologji e tërë është ndërtuar rreth nevojës për mbamendje: Vergangenheitsbewältigung (të pajtuarit me historinë); Vergangen – heitsaufarbeitung (trajtim i historisë); Erinnerungskultur (kulturë e kujtesës); dhe më kritike, Kollektivschuld (fajësia kolektive)”.

Nevoja e mbamendjes në Gjermani është akt i përditshëm i përkujtimit pse Gjermania duhet të jetë demokraci liberale dhe pse duhet të jetojë në miqësi me fqinjët e saj e me popujt e tjerë të BE-së.

Për 20 vjet, Serbia i ka ikur ballafaqimit me të kaluarën. Dhe Kosova i ka ndihmuar në këtë. Në vend të frazeologjisë gjermane për nevojën e mbamendjes, Serbia dhe Kosova kanë zgjedhur marrëveshjet e harresës.© KOHA.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here