Standard.al

Përballë trudhënëses Iris Luarasi…

0

Zonja Luarasi ju kam emërtuar “ trudhënëse” në titullin e shkrimit, për shkak të aktivitetit dhe profesionit tuaj. Duke qenë se jeni anëtare e stafit akademik të Universitetit të Tiranës, e përditshmja juaj ngrihet mbi procesin e mësimdhënies në auditor. Procesi i mësimdhënies është një process trunor kur një individ i caktuar me disa të dhëna të caktuara, u jep tru një grupi studentësh të caktuar mbi një fushë të caktuar.

Në rastin konkret, ju jepni mësim në degën e gazetarisë dhe formësoni në një mënyrë apo një tjetër gazetarët e ardhshëm të këtij vendi, të cilët në parim duhet të pasqyrojnë siç duhet ngjarjet që ndodhin në këtë vend për publikun shqiptar.

Përveç kontributit të çmuar në formimin e gazetarëve të ardhshëm shpesh gjendeni në studio televizive në cilësinë e trudhënëses për ngjarje të ndryshme që ndodhin në këtë vend. Media ka një rol thelbësor në formimin dhe orientimin e opinionit publik. Nëse një dietolog do të thonte: “Ne jemi çka hamë”, një individ që e njeh mire median do të zëvendësonte foljen “ ha” me foljen “ shoh” dhe do të shprehej “ Ne jemi çka shohim”.

Duke qenë se brendia ime nuk përkon me atë çka shohin sytë e mi, u shtrëngova të shkruaja mendimin tim.
Teksa keni qenë e ftuar në emisionin e Alfred Lelës, jeni gjendur përballë pyetjes mbi ndërtesën që po ngrihet pranë Sahatit të Tiranës.
Kësaj pyetjeje i jeni përgjigjur me faktin se edhe Lulzim Basha ka dhënë leje për ndërtime të larta në Tiranë.

Në cilësinë e trudhënëses, Iris Luarasi duhet t’ju bëj një pyetjeje- Në cilin libër të literatures shqiptare apo botërore gjendet e shkruar logjika juaj, që e faji i së tashmes përligjet nga faji i së shkuarës?
Personalisht nuk e kam hasur kund këtë logjikë dhe do të kultivoja një ndjenjë të thellë mirënjohjeje nëse do të më ndihmonit me një titull apo me një autor të caktuar që është ithtar i kësaj filozofie.

Unë po e braktis logjikën e së vërtetës dhe po kaloj në anën tuaj, duke deklaruar se Lulzim Basha e ka gjymtuar shumë keq këtë qytet, pasi ka dhënë leje për shumë ndërtime. Duke bërë këtë pohim jam në anën e së vërtetës së shtrembëruar, pasi dihet fare mirë që vrasësi me pagesë i këtij qyteti është Erion Veliaj.

Ju keni pohuar se Lulzim Basha ka dhënë leje për ndërtimin e një hoteli shumëkatësh. Unë për t’ju favorizuar në pseudoargumentin tuaj, po trilloj dhe po ju them se Basha ka dhënë 10 leje.
Tani po ju ribëj pyetjen – Ç’mendim keni për ndërtimin pranë Sahatit të Tiranës?
Ju me siguri do të përgjigjeni se Basha ka dhënë 10 leje më pare, pasi nuk keni argument tjetër.

Iris Luarasi, qeverisja nuk është ndeshje futbolli. Me pak fjalë shoqëria shqiptare nuk duhet të presë që të barazohet dëmi i qeveritarit aktual me dëmin e qeveritarit të mëparshëm dhe pastaj të nisë revoltën.

Kundera do të kishte të drejtë kur shprehej se asgjë nuk kërkon sforcime më të mëdha të menduari sesa argumentimi që synon të justifikojë jomendimin .

Në përpjekje për të justifikuar jomendimin tuaj zonja Luarasi, orvateni të na paraqisni si normal kriminalitetin ndërtimor që po ndodh në këtë vend, nën alibinë foshnjarake se një kriminel në të tashmen nuk mund të gjykohet për sa kohë ka ekzistuar një kriminel në të shkuarën.

Le ta përmbysim situatën Luarasi dhe le të përqëndrohemi tek hipoteza e një rrotacioni politik në vitin 2021.
Hamendësojmë se Lulzim Basha bëhet kryeministër i vendit. Hamendësojmë se gjatë qeverisjes kryen një veprim që nuk duhet ta kryejë.
Po të ndjekim logjikën tuaj të mosmendimit në cilësinë e trudhënëses na rezulton se shoqëria shqiptare apo opozita e ardhshme nuk duhet të revoltohet pa arritur shenja e barazimit mes demit të Bashës dhe atij të Ramës.

Me pak fjalë, një socialist nesër në opozitë, nuk mund t’i kundërvihet Lulzim Bashës, pasi do të marrë përgjigjen se këto veprime i ka kryer edhe Rama më parë.

Pra, Lulzim Basha duhet ta shkatërrojë, ta plaçkisë dhe dhunojë këtë vend sa bëri Rama dhe vetëm kur të arrijë shenja e barazisë mes tyre populli shqiptar ka të drejtë të revoltohet.

Kjo është logjika më absurde që më kanë zënë veshët dhe që më kanë pare sytë.

Dhe për ta përmbyllur zonja Luarasi, në cilësinë e trudhënëses jeni shprehur se kudo ku keni udhëtuar keni pare ndërtesa të larta. Edhe në këtë rast nuk keni bërë gjë tjetër veçse keni deformuar të vërtetën.

Në çdo qytet në Evropë ekziston ajo që quhet “ pjesa e vjetër e qytetit”. Në kryeqytetin e Shqipërisë, kjo pjesë është drejt zhdukjes falë punës së ‘’’’ vyer” të Kryebashkikaut tuaj.

Ndaj, zonja Luarasi filtroni gjuhën dhe mendimin qoftë kur jeni në auditor, qoftë kur jeni në një studio televizive, pasi në vend që të formoni mendimin e dikujt, e shformoni këtë të fundit.

Post Scriptum- Firmosur nga një trumarrëse.

Elona Caslli

Image may contain: 1 person, closeup and outdoor
Image may contain: 1 person, text
Image may contain: 6 people, closeup

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.