Standard.al

Del dosja sekrete e Kënetës së Maliqit/ Si u ekzekutuan dhe  zhdukën pa varr “sabotatorët” e 1946-ës

0

Këneta e Maliqit, – me vitet e gjata për tharjen e saj dhe jetët e sakrifikuara, historitë e tmerreve të punës së detyruar skllavëruese, – ende sot, dhjetëra vite më pas, mban në barkun e vet të zhdukurit pa varr, të cilët u ekzekutuan në vitin 1946 si “sabotatorë”. Autoriteti i Dosjeve ka publikuar dokumentin mbi historitë e të zhdukurve, të të mbijetuarve, të atyre që e humbën jetën në moçal apo arritën të largoheshin

 

 

Këneta e Maliqit, – me vitet e gjata për tharjen e saj dhe jetët e sakrifikuara, historitë e tmerreve të punës së detyruar skllavëruese, – ende sot, dhjetëra vite më pas, mban në barkun e vet të zhdukurit pa varr, të cilët u ekzekutuan në vitin 1946 si “sabotatorë”.

Autoriteti i Dosjeve ka publikuar dokumentin mbi historitë e të zhdukurve, të të mbijetuarve, të atyre që e humbën jetën në moçal apo arritën të largoheshin, që janë dokumentuar në rrëfime si “Këneta e vdekjes” e Makensen Bungos, apo “Libri i burgut” me sonetet e “Kanalit” të Arshi Pipës, të shkruara fshehurazi në atë kënetë, kur autori ishte edhe vetë i burgosur politik.

Të gjitha poezitë u shkruan në letra të holla cigareje, i gjithë libri ishte sa një kuti e vogël shkrepëseje. Prandaj Arshi Pipa mundi ta nxirrte librin, kur doli gjallë nga burgu.

Në kënetë vuajtën vitet e burgut edhe Dhimitër Pasko, (i mirënjohur si Mitrush Kuteli), Halit Selfo, përkthyesi i “Kontit të Montekristos”, Pashko Gjeçi, përkthyesi i Dantes dhe Homerit, Vexhi Buharaja, orientalisti me kontribute, Hafiz Ali Kraja e Atë Thoma Shkurti, mes shumë intelektualëve të tjerë. Në kampin e Maliqit humbi jetën pas një dite sfilitëse pune Atë Josif Papamihali, i cili u varros i gjallë në kanal. Sot Papa Josif Mihali është shpallur martir i Kishës Katolike.

 

Historia

Gjyqi që nisi më 8 nëntor 1946 dhe çoi në ekzekutimin e inxhinierëve më të mirë që kishte Shqipëria. Presidiumi i Kuvendit Popullor urdhëroi ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqirit dhe me pushkatim të VasilManos, ZorikaManos dhe EugenioScaturos

Një ngjarje e rëndë dhe kriminale është konsideruar dënimi i inxhinierëve që punonin në tharjen e kënetës së Maliqit, që përfundoi me ekzekutimin e katër inxhinierëve dhe kryeinxhinierëve dhe një gruaje shtatzënë, me 19 nëntor 1946.

E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore” kishte në përbërje të saj: inxhinierin Abdyl Sharra, 35 vjeç, kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, njeriu që mori akuzën kryesore si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”; Kujtim Beqirin, 30 vjeç, pinjoll i një familje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit; VasilManon, inxhinier në kënetë, që i akuzuar bashkë me të shoqen Zyrikën (e cila u pushkatua shtatzënë), për lidhjet e tyre dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s, por edhe të denigruar në letërsi dhe në dokumentet që do silleshin më vonë; Pandeli Zografin dhe MarioGuarnierin, gjeometra në kënetën e Maliqit; EugenioScaturro, italian, llogaritar në Maliq; MihalStratobërdhën, AnastasRiston dhe JaniVasilin.

Gjyqi filloi më 8 nëntor 1946 dhe përfundoi dhjetë ditë më pas. Në këtë dramë të parapërgatitur nga sistemi u përfshinë edhe qytetarët, të cilët nëpërmjet altoparlantëve dëgjonin zhvillimet e gjyqit, që në këtë rast u bënë në kinema “Nacional”. Gjithçka e organizuar në detaje, ku përveç injektimit të frikës në masat e gjera të qytetarëve, synohej përhapja e terrorit që niste me eliminimin e personaliteteve në fusha të ndryshme, ku më rëndë e pësuan inxhinierët e kënetës dhe të naftës. Grupi i dënuar me vdekje u ekzekutua në Maliq, më 19 nëntor 1946.

Tharja e kënetës së Maliqit ishte një synim i hershëm i shtetit shqiptar për të përfituar tokë buke, kishte nisur qysh pas lufte. Qeveritë e mbretërimit të A. Zogut kishin dështuar në tharjen e kënetës me gjithë masat që kishte marrë. Kjo pasi nga fshatarët e zonës kishte ardhur një lloj “sabotimi”. Këneta shfrytëzohej për lëndë të parë e peshkim prej tyre. Pasi dështimi vazhdoi në kohën e luftës, ishte regjimi komunist që kërkoi të dilte si regjimi që me shpejtësi “thante këneta”. Në vitet 1945-1946 nisi puna me mjete primitive për të hapur kanalet kulluese. Në krye të punimeve ishin inxhinierët më të njohur që kishte vendi. Natyrisht do duheshin vite me të tilla mjete për të përfunduar tharjen e kënetës. Regjimi kërkonte të promovohej si rendi që bënte punime të mëdha. Liqeni i Maliqit ishte një sipërfaqe tejet e madhe, e cila nuk mund të thahej për disa muaj. Në fund të prillit 1945 ishin marrë masat për të filluar tharjen e kënetës. Më 5 maj 1946 me anë të një ceremonie filluan punimet për tharjen e kënetës së Maliqit. Koçi Xoxe ka mbajtur fjalën e rastit duke thënë se punimet për tharjen e kënetës do të mbaronin brenda afatit.

Premtimi i kotë ishte dhënë se përurimi do të bëhej më 28 nëntor 1946. Mosplotësimi në kohë i tharjes së kënetës u shfrytëzua si kombinacion i rekomanduar nga jugosllavët për të sjellë procesin e nëntorit 1946, me të cilin u pushkatuan me skena makabre mesjetare teknikët më të mirë të asaj kohe në Shqipëri. Ky proces ishte përdorur si sebep për largimin e misionit amerikan nga Shqipëria. Me mbarimin e vitit 1946, qeveria komuniste duhet të provonte se e thante kënetën edhe pa specialistët e pushkatuar, të cilët ishin “sabotatorë”. Pak muaj më vonë, në pranverë 1947 u hap kampi i Orman-Pojanit (Vloçisht). Qendra e kampit ishte në Vloçisht, por front pune kishte edhe në Nishavec. Në këtë mënyrë kemi nisjen e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, me të burgosur politikë.

Dekreti i vdekjes

Një dokument që mban vitin 1946 zbardh dekretine dënimit me vdekje të inxhinierëve të Maliqit. Edhe pse ata këmbëngulnin për pafajësi dhe kërkonin t’u falej jeta presidiumi i Kuvendit Popullor e refuzoi kërkesën për faljen e jetës…

Në mbledhjen nr.59, datë 19.11.1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e kërkesave për faljen e jetës së bërë nga të dënuarit e procesit të parë të “Maliqit” dhe familjarët e tyre, duke urdhëruar ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqiri dhe me pushkatim të VasilManos, ZorikaManos dhe EugenioScaturos

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.